Fundamenti

Partitë nuk kanë të drejtë t’u ndërhyjnë organeve të drejtësisë

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Nexhat Buzuku- Respektimi i ligjit është kulturë, e kjo e fundit, kultura, është baza dhe themeli i shtetit dhe i shtetësisë.

Me këtë rast po shërbehem me një fjali të njërit prej mendimtarëve të spikatur të filozofisë greke, të Sokratit, në ditën e gjykimit të tij me vdekje. Në këtë fjalim, i cili llogaritet ndër 10 më të famshmit në botë, i urti Sokrat, akuzuesve të vet u kishte thënë : “Unë zgjodha rrugën e vdekjes, ju atë të jetës. Cila është më e mirë, një Zot e di”.

Prandaj, kjo porosi vjen pikërisht prej Sokratit që nën akuzën se po helmonte rininë e Athinës, jo me helm klasik, por me oratorinë e tij të mrekullueshme filozofike dhe me metodat që ai praktikonte në bashkëbisedim – atë të ironisë dhe majeutikës, dhe se po shpikte perëndi të reja që nuk i njihte shteti helen, ai u gjykua dhe u dënua me vdekje – me pirje të kupës me helm, në prani të 501 qytetarëve.

Kjo që u tha përmes Sokratit dikuj që është larg dijes dhe kulturës i duket jointeresante, por sakaq dëshmon dhe vërteton respektimin e ligjit dhe të organeve të tij, edhe kur ai ndonjëherë mund të mos jetë krejt perfekt.

Ligjit dhe drejtësisë nuk mund t’i jepen ngjyrime partiake e diktate politike. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë monopol, pra ndikim, mbi ligjin. Ashtu sikundër njerëzit e ligjit duhet të jenë plotësisht sovran dhe të pandikuar nga influencimet e çfarëdoqofshin ato. Partitë, sado të mëdha e të vogla qofshin, nuk kanë të drejtë t’i ndërhyjnë drejtësisë.
Secili që arrestohet nën dyshimin e krimeve ekonomike apo të natyrave të tjera kriminale nuk duhet të marr ngjyrë partiake apo politike.

Nëse një i arrestuar është nga LDK-ja dhe menjëherë pason reagimi dhe thuhet se këtë e ka burgosur partia tjetër – PDK-ja, ose e kundërta kur ishte në pushtet LDK-ja, siç mund të ketë akuzuar taborri tjetër politik, atëherë policia, prokuroria dhe gjyqësia nuk do të jenë të pavarura në punën e tyre, në vendimet e tyre.

Fundja, Policia është e shtetit dhe nuk është as e PDK-së, as e LDK-së, edhe pse flitet e përflitet se ky oficer policie, ky apo ai gjykatës e prokuror është i LDK-së e tjetri i PDK-së. Askush nuk e mohon ndikimin e politikës ndaj drejtësisë, por kjo nuk i bën nder ligjit dhe ndërtimit të shtetit ligjor.

Partitë duhet të qëndrojnë larg ndikimeve në drejtësi, të bëjnë më mirë punën që u takon, pra të merren me politikëbërje aq sa dinë dhe aq sa munden. Ta lënë drejtësinë të punojë e lirë, e pavarur dhe e e arsyeshme para ligji dhe qytetarit.

Partitë nuk i bëjnë nder as vendit, as vetes as njëra – tjetrës duke u shtyrë se kush po flet e fyen më shumë, se kush po mohon e hiperbolizon më shumë, kush kuj po ia hedh, cilës parti po i kapen njerëz nga policia, cilës komunë po i arrestohen e burgosen kryetarët.
Para ligjit nuk ka mundur të amnistohet as të ngritet mbi te as kryetari i Ferizajt, as i Kaçanikut, andaj edhe rasti Hajdari duhet pritur epilogun e drejtësisë dhe jo shfajësimin e partisë.

Dhe, nëse Xhavit Hajdari ka shkelur ligjin, ose ka rënë në kundërshtim me drejtësinë, ai duhet të përgjigjet sikur edhe çdo qytetar tjetër. Dhe e kundërta, nëse provat mungojnë është detyrë e drejtësisë që ta lërë atë të lirë.

Secili qytetar, pavarësisht pozitës në shoqëri, hierarkisë politike, qoftë edhe pjesë elitare e sistemit shoqëror nuk mund dhe nuk duhet të jetë i amnistuar nga drejtësia kur ai bie ndesh me te.

Fundamenti

Dhe, tashti u arrestua akëcili i dyshuar, që i paska takuar këtij apo atij pushteti, kësaj apo asaj partie dhe ta vejmë në dyshim, të ngrisim hamendësime e dilema se arrestimi, burgosja, aktakuza…u bë nga ky apo ai ndikim partiak apo politik. Kjo nuk flet tjetër, nuk përçon mesazh tjetërfare vetëm se shpërfaq tendencën provinciale të bajraktarizmit se akëcili njeri, në këtë rast ka qëlluar të jetë një mjek, një drejtor spitali, edhe anëtar kryesie i një dege partiake, edhe paska punuar në aktivitete disa vjet, dhe si i tillë u dashka të jetë i paprekshëm.

Nuk ka rëndësi kush çka është, para ligjit të gjithë janë ose duhet të jenë të barabartë, si bariu, si këpucëtari, si rrobaqepësi, si farkëtari, si drejtori, politikani, kryetari i komunës, kryetari i shtetit, edhe aktivisti, edhe kryetari i partisë, edhe deputeti. Askush nuk mund të kërkojë amnisti para ligjit nëse e ka shkelur atë, nëse ka rënë ndesh me te.

Reagimet partiake, si në rastin e Xhavit Hajdarit, na kthejnë në reagimet e para 1999-s kur bëheshin kundër arrestimeve që bënte pushteti serb. Atëherë reagimet ishin të drejta, të arsyeshme, të logjikshme. Por, sot e këtu, kanë ndryshuar epokat, sistemi dhe rendi shoqëror, ka ndryshuar edhe Kosova, ajo nuk është më provincë apo krahinë e Serbisë, por shtet me këto kapacitete që ka në rrugë të vazhdueshme për t’u konsoliduar, forcuar e avancuar.

Andaj, mënyra e tillë e reagimit të LDK-së i shëmbëllen një kohe që as ekziston më as kthehet më, të cilën e kemi përjetuar dhe vuajtur secili në mënyrën dhe lëkurën e vet, dhe të gjithë së bashku – në mënyrë kolektive. Pse e them këtë, sepse nëse nuk i bindemi këtij shteti, ligjeve të tij, kushtetutës së tij, simboleve shtetërore, që, ashtu siç thoshte filozofi gjerman Hegeli, siç është shtëpia për njeriun ashtu është shteti për kolektivitetin, për popullin, atëherë ne i kapërcejmë dimensionet e arsyes dhe përqafojmë kaotiken.

Prandaj, si në rastin Limaj, si në rastet tjera, duhet t’ia lëmë drejtësisë që ta kryej punën e vet, dhe të mos ndikohet nga presionet partiake apo politike.

E, shteti as bëhet, as ndërtohet me ndikime të akraballëkut, të lidhjeve farefisnore, partiake e të ndërhyrjes politike në drejtësi.

Organet e drejtësisë duhet të jenë të lira, plotësisht të pavarura, thellësisht të pandikuara në administrimin e çdo prove në secilin rast të dyshuar për shkelje ligji.
Policia, gjykatat, prokuroria nuk guxojnë të jenë as në minimum të ndikuara, të varura, aq më pak të bien pre e shantazhit, kërcënimit prej kujdoqoftë dhe nga kushdoqoftë.

Politika dhe partitë politike, si grupime të organizimit qytetar, duhet ta mbështesin sistemin gjyqësor dhe drejtësinë, nuk kanë të drejtë as guxojnë të bëhen padronë i ligjit, por, përkundrazi, duhet t’i nënshtrohen respektimit të tij.

Prandaj asnjë parti, individ apo grupim shoqëror, sado i fuqishëm që të jetë, nuk mund të luaj rolin e Luigjit të XIV e të thotë “ligji jam unë”.

Respektimi i ligjit është kulturë, e kjo e fundit, kultura, është baza dhe themeli i shtetit dhe i shtetësisë.