Mobi Casa

Pahor: Zgjidheni problemin me Maqedoninë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Bisedimet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme, dhe si të tilla paraqesin seriozitetin e dy vendeve për t’i normalizuar marrëdhëniet në mes vete. Kështu ka deklaruar presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, i cili të martën e ka zhvilluar vizitën e parë të tij në Kosovë, ku është pritur nga presidentja Atifete Jahjaga.

“Kjo vizitë në një mënyrë ballafaqohet me një dialog të suksesshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Unë dua të shpreh mendimin tim që kjo është një nga çështjet më pozitive, arritje impresive, mençuri, guxim dhe vullnetit politik, për zgjidhje paqësore të çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

I pari i shtetit slloven më tutje ka thënë se në Kosovë ka ardhur me dëshirë që dy vendet ta thellojnë miqësinë, traditën dhe marrëdhëniet në mes vete. Ai ka folur edhe për problemin e fundit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, gjegjësisht për bllokadat në kufirin Kosovë-Maqedoni. Sipas tij, një problem i tillë duhet të zgjidhet nga drejtuesit e institucioneve të dy vendeve, si rrugë e vetme nëpërmjet të së cilës mund të zgjidhet një problem i tillë.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se vetë fakti se presidenti slloven, Borut Pahor, ndodhet në Prishtinë, flet për marrëdhënie shumë të mira në mes të dy vendeve.

Uji Dea

“Dy vendet tona janë shembull i mirë i bashkëpunimit dhe dy vendet tona janë faktorë paqeje dhe stabiliteti. I shpreha mirënjohjen time (gjatë takimit) presidentit Pahor për kontributin e zyrtarëve të Republikës së Sllovenisë që kanë dhënë në Republikën e Kosovës, gjatë shërbimit të tyre në kuadër të misionit të UNMIK-ut, misionin e EULEX-it dhe misionin e KFOR-it”, ka thënë Jahjaga.

E para e vendit ka theksuar se me homologun e saj slloven janë pajtuar që bashkëpunimi në mes të shteteve të thellohet edhe në fusha të tjera, si në arsim dhe kulturë, për çka, ajo ka thënë se është në interes të dyja vendeve. Edhe Jahjaga ka folur për problemin e kufirit, që është krijuar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë.

“Vlerësoj se zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura duhet të jetë zgjidhje institucionale dhe me mirëkuptim të ndërsjellët. Duke marrë parasysh po ashtu edhe strukturën e CEFTA-s, unë iu bëj thirrje, iu kam bërë thirrje qeverive të të dyjave vendeve që të gjejnë zgjidhje të përbashkët e cila është në të mirë të dyja vendeve, por në asnjë rast, në asnjë moment duke cenuar lirinë e lëvizjes së njerëzve”, ka thënë Jahjaga.