Pacolli përkujton Rugovën: Sot ne duhet të qajmë

Në 9-vjetorin e vdekjes, Ibrahim Rugovën e ka përkujtuar edhe kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli.Në një postim në profilin e tij në Facebook, Pacolli ka thënë se sot “duhet të qajmë për Rugovën”
“Sot në përvjetorin e vdekjes së liderit tonë të madh, Ibrahim Rugova, është momenti për bilancin e kontributeve të tij për Kosovën dhe kombin. Nuk po them të idealizojmë figurën njerëzore të Rugovës, por t’ i përkujtojmë meritat. Merita e tij më e madhe është ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës.
Ka shumë popuj të tjerë në botë që e duan pavarësinë, por nuk arrijnë dot ta bëjnë kauzën e tyre, kauzë ndërkombëtare. Ai, përfaqësuesi më i ndritshëm i një populli që jetonte në gjenocid, pa shkollim masiv, me elitë të vogël administrative, ia arriti me sukses. Si? Ai ishte diplomat i madh. Ai ishte i pranueshëm nga Jugu në Veri, Lindje dhe në Perëndim, ai ishte i respektuar nga të gjithë shtetet, rrymat politike, kombësitë, fetë dhe besimet. Ai na la frymën e pajtimit që kemi sot në politikën e brendshme, pajtim që na është dashur dhe na duhet shumë.
Kjo frymë u përhap tek gjithë partitë që u rritën, ndërsa partia që ai themeloi pas humbjes së tij fizike u zvogëlua. S’kam hallin e LDK-së, por na mungon shumë brenda institucioneve tona, si autoritet ndërkombëtar, si figurë përfaqësuese. Politika zyrtare e qeverisjes nuk e ofron një të ngjashëm dhe kjo është mungesa që duhet të qajmë sot më 21 janar, në përvjetorin e largimit të tij nga jeta”, ka shkruar Pacolli. /Telegrafi/