UBT

Pacolli: Disa parti politike po luajnë lojëra të posaçme para zgjedhjeve

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Presidenti i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, i quan lojëra politike parazgjedhore, debatet e fundit lidhur me rrëzimin ose jo të qeverisë. Thotë se AKR, është e gatshme, për zgjedhje kurdo që ato të mbahen. Behgjet Pacolli u ka bërë thirrje partive politike që të caktojnë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve e që deri atëherë të lënë të punojnë të qetë qeverinë dhe parlamentin.

Debatet e fundit lidhur me zgjedhjet, ai i quajti lojëra të partive politike.

Ja shkrimi i plotë i Behgjet Pacollit:

Sa herë që afrohet koha e zgjedhjeve, disa parti politike krijojnë një lojë të posaçme që u ngjan se do prodhon vota më shumë në garën e afërme për besimin e qytetarit. Bëhen lloj lloj manovrash, diku për t’ju larguar qeverisjes, diku për t’ju afruar asaj.

Kështu i kam parë, me këtë sy veprimet e fundit për të ndërprerë mandatin e qeverisë, apo për t’ja zgjatur jetën asaj. Bëhen deklarata të forta, të buta, nisen veprime që mohohen të nesërmen, bëhen takime të fshehta dhe të hapura, që frymëzohen nga interesi partiak i seicilës palë, gjegjësisht interesi politik i tyre.

Të mbrosh apo të frymëzohesh nga interesi partiak, nuk është kurrgjë e ndalueshme. Por interesi politik, interesi partiak jo gjithmonë përputhet me interesin e Kosovës. Interesi i Kosovës është interesi i gjithë qytetarëve pa dallime partiake, ndërsa interesi partiak është interesi i një grupi udhëheqës, i një partie, i votuesve të saj, të cilët në kohë pluralizmi nuk janë baraz me trupën votuese, me të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote. Sot në këtë kohë të veçantë diskutimesh të tilla, unë dua të shpjegoj pse interesi partiak i dikujt, s’ka rëndësi se kujt, nuk përputhet me interesin e Kosovës. Dhe dua të bëj një thirrje të hapur sesi të pajtojmë interesat tona partiake me interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Eco Higjiena

Sipas llogarivekushtetuese ne duhe të shkojmë në zgjedhje në janarin e vitit të ardhshëm. Si pjesë e qeverisjes unë kam pakënaqësitë e mia, pse pjesë të rëndësishme të programit tonë nuk janë përmbushur, ose janë zhagitur pafundësisht. Si pjesë e një marrëveshje politike dhe një rezolute parlamentare tërësisht kushtetuese, ne duhet të përfundojmë reformën zgjedhore dhe kushtetuese para se të shkojmë në zgjedhje. Në çfarëdo rrethane, AKR-ja është e gatshme për zgjedhje, kur siç e kanë pranuar dhe kundërshtarët apo aleatët tanë politikë, AKR-ja ishte njëlloj fituese morale e zgjedhjeve të fundit vendore. Pra interesi ynë partiak nuk cënohet kurrsesi nga zhvillimi i menjëhershëm i zgjedhjeve, përkundrazi. Na vjen keq që nuk po mbahen zotimet e asaj marrëveshjeje politike të shpallur dhe garantuar solemnisht prej miqve tanë perëndimorë, por ne do ta rrisim peshën tonë politike që të imponojmë realizimin e tyre.

Interesi i Kosovës është gjithashtu që institucionet të punojnë deri në ditën e fundit të mandatit të tyre, madje disa institucione nuk duhet të ndalen kurrë. Por kjo zhurmë politike, këto manovra politike, me deklarata publike, me takime, me fushata të fshehta apo publike e cënojnë punën e tyre. I trullosin institucionet, i lënë të paqartë njerëzit për fatin e tyre. Dhe mbi të gjitha ndërpresin procese të rëndësishme, apo më pak të rëndësishme që kjo qeveri i ka nisur dhe s’janë vetëm në interes të saj, por në interes të Kosovës. Të ndërpresësh këto procese, e dëmton besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës, e dëmton besueshmërinë e një institucioni si Kuvendi i Kosovës i cili sot nuk është funksional, por që duhet të jetë funksional deri në fund. Të gjithë e dimë se ky parlament nuk po merr vendime të rëndësishme, por vazhdon të shndërrohet në arenë debatesh që nuk prodhojnë kurrgjë.

Për këto arsye si president i AKR, pa kurrfarë interesi partiak, por vetëm duke vënë mbi krye interesin e Kosovës, do doja të bëja një thirrje të gjithë partive politike. Hajde ta rrisim qartësinë tonë për jetën e institucioneve dhe proceset jetike për një shtet të ri sikur joni që mbushi 6 vjet.

Të bëjmë një marrëveshje të plotë politike për kohën kur do i mbajmë zgjedhjet. Pasi ta përcaktojmë atë afat, të lemë institucionet të punojnë, në veçanti parlamentin dhe pastaj qeverinë. Kush është në opozitë dhe shpreson të vijë në pushtet duhet ta kuptojë se nëse bën manovra jolojale sot për t’a bllokuar qeverinë, nesër kur të ndërrohen rolet do të pësojë të njëjtën gjë prej rivalëve politikë. Pra pasi të fiksojmë afatin e zgjedhjeve, pasi të mbarojmë reformën zgjedhore, t’i lemë kohën e duhur proceseve që kemi nisur, apo institucioneve organizuese të zgjedhjeve si KQZ. Të miratojmë ndoshta dhe një listë ligjesh apo vendimesh të cilat ky Kuvend duhet t’i miratojë para se të shkojë në zgjedhje. Unë jam i vetëdijshëm për raportet e numrave në parlament, dhe këtu do ta vlerësoja opozitën për qëndrimet shpesh konstruktive që ka mbajtur duke mos krijuar krizë qeveritare të panevojshme. Kështu ajo i ka dhënë borxh rivalit në qeveri, të cilat dikur do t’ja kërkojë. Por konstruktiviteti duhet të vazhdojë deri në fund.

Ftesa ime, qëndrimi im publik më duket se e respekton qytetarin e Kosovës, më mirë se çdo manovër jopublike e dikujt. Qytetari është dëshmitar katër vjeçar apo më i hershëm se çfarë ka bërë gjithseicili në rolin e vet, në opozitë apo në qeverisje.Gënjehet kushdo që mendon se qytetari e ka kujtesën e shkurtër dhe do mbajë mend vetëm manovrat e fundit të mandatit. Pra gënjehet rëndë kushdo që mendon se mund ta mashtrojë qytetarin me hilet apo lojrat e veta të këtyre ditëve të fundit. Më duket se e tregova pse këto lojra pra frymëzohen nga interesi politik dhe jo nga interesi i vendit,interesi i Kosovës, interesi i qytetarit të saj. Qytetari i do të gjithë në punë, të gjithë në rolin e vet, pa stërkambsa, pa dredhi dhe me sinqeritet.