Osmani mesazhe Kurtit dhe VV’së: Asnjëherë nuk i kam kuptuar e mirëkuptuar talljet dhe sulmet në llogari të aleatëve
Në adresimin vjetor para Kuvendit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani i ka dërguar mesazh Kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, për raportet me vendet aleate, duke thënë se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido politikan apo cilado palë zgjedhjesh.
Para deputetëve, Osmani deklaroi se asnjëherë s’i ka kuptuar e mirëkuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve, sulmet ndaj tyre e keqpërdorimin i emrit të tyre për të fituar pushtet, raporton Express.
Sipas Osmanit, vënia në rrezik e këtyre aleancave e luajtja bixhoz me to, e cënon mbrojtjen e Kosovës.
“Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, ka thënë Osmani para deputetëve.
Osmani tha se koordinimi me aleatët s’do të thotë nënshtrim e as shantazhim.
“Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjesh”