Origjina e botës
Nga Naser Sertolli – A do të vijë ndonjëherë dita kur shoqëria jonë do t’i presë e kalojë pa u tronditur një palë zgjedhje? Ose, pse shpirtrat tanë duhet të trazohen nga premtimet e vendimet e pushtetarëve sa herë afrohet fundi i mandateve të tyre dhe a ka ilaç kjo punë?
Sado që po mundohen t’i shesin si pjesë të angazhimeve permanente për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të vendit, nuk ka tjetër epitet pos elektoral fushata e miratimit të vendimeve të ndryshme nga shefi i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi. Si mund të shihet ose pranohet ndryshe miratimi i Ligjit për Dëshmorët, Invalidët, Veteranët dhe Pjesëtarët e UÇK-së, nga i cili pritet të përfitojnë (veç Zoti e di prej kur, si e sa!) mijëra persona e familje kosovare.
Sikurse për këtë ligj, çfarë tjetër pos pjesë e fushatës parazgjedhore mund të konsiderohet vendimi i kreut të ekzekutivit për rritje të pagave për “25%” për 82 mijë punonjës të sektorit publik dhe dymijë minatorë. Përqindja është vënë qëllimisht në thonjëza, meqë këtu ka një tendencë të mashtrimit të opinionit. Duke qenë se rritja e pagave e premtuar të bëhet nga 1 prilli, pra tre muajt e parë të vitit shkojnë “në bisht të sorrës”, atëherë ngritja reale del të jetë afër 18.7 për qind.
Për t’i hequr dyshimet se Ligji për Veteranët… dhe vendimi për rritjen e pagave nuk kanë implikime zgjedhore, pse kryeministri Thaçi nuk i miratoi ato shumë kohë më parë? Pse veteranët dhe gjithë ata të përfshirë në ligjin e miratuar në Parlament më 3 prill u desh të presin pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës që të zyrtarizohen beneficionet që u takojnë për kontributin e dhënë, ndërkohë që Hashim Thaçi është në pushtet që prej shtatë vitesh (duke mos llogaritur këtu faktin që partia e tij ka drejtuar qeverinë edhe në vitet e pasluftës).
Edhe vendimin për përgjysmimin e pagesave për semestër të studimeve, të banimit në konvikte e të të ushqyerit të studentëve në mensë duhet parë në të njëjtin prizëm.
Në këto rrethana, është më se e qartë se shefi i qeverisë e ka nisur këtë fushatë vendimesh jo aq nga vullneti për të përmirësuar vërtet pozitën ekonomike të qytetarit kosovar, sa për të fituar vota që do t’i mundësonin mbetjen edhe më tej në pushtet.
Sikur të ishte vërtet i interesuar për të mirën e qytetarëve, kryeministri Thaçi do t’i miratonte më herët këto vendime dhe tani do të mundë t’u ofronte atyre ndonjë temë më relaksuese. Në një situatë të tillë, qytetari në vend që të vihej në siklet, sikur tani, duke u përpjekur të kuptojë se për sa euro po i ngrihet paga, ose se kur do të nisë të zbatohet Ligji për Veteranët… dhe se çka e sa do të përfitojnë, të priste në qetësi ditën e zgjedhjeve dhe të diskutonte për ndonjë temë që as nuk ngre tensione as nuk e bën atë që kur e sheh shefin e qeverisë në ekrane t’i japë epitete çfarë i dhanë para dy ditësh një grusht studentësh.
Në një situatë të tillë, pra të një përkujdesjeje të sinqertë për mirëqenien e qytetarëve, kryeministri e as asnjë zyrtar tjetër nuk do të duhej të brengosej për fatin e tij në zgjedhje. Rizgjedhja do të ishte e natyrshme dhe vazhdimi i qeverisjes së njëjtë do të bëhej pa zhurmë. Pak a shumë si në Francën e këtyre ditëve. E keni parë se sa lehtë e pa zhurmë u ndërrua qeveria? E keni vërejtur që tema që më së shumti u diskutua, dhe kjo shumë pak, ishte emërimi në postin e ministres i ish-partneres së presidentit aktual, François Hollande, Ségolène Royal?
Më shumë vëmendje dhe më shumë diskutime se ndërrimi i qeverisë në Francë janë bërë, para pak muajsh, rreth asaj se a duhet që posta ta editojë si pullë postare një pikturë. Fjala është për pikturën “Origjina e botës” (“L’Origine du monde”), e piktorit francez, Gustave Courbet, e realizuar më 1866. Përfundimisht, posta refuzoi ta editonte për shkak të karakterit të saj pornografik dhe si e tillë ishte “e ndjeshme për publikun e ri”.
Shembulli duket banal, por tregon se me çfarë temash relaksuese do të mund të merreshin qytetarët tanë sikur të kishim qeveri të përgjegjshme, të cilës për mirëqenien e tyre nuk i bie ndërmend vetëm kur afrohen zgjedhjet ose kur e ndjejnë erën e disfatës.


