Opozita: Gjilani ka pak rezultate për tu mburrur në këtë 5 vjetor

Gjilan – Arben Mehmeti i LDK-së dhe Avni Rudaku i VV thonë për rajonipress se Gjilani ka pak arsye të mburret e krenohet në 5 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Gjilani është zona më e pazhvilluar ekonomikisht, me shumë biznese të mbyllura, me shumë projekte të papërfunduara, mungojnë investimet, kualiteti shëndetësor, investime të kufizuara në infrastrukturë etj, mendojnë Mehmeti e Rudaku.
Deklarata e Qemajl Mustafës se janë bërë kthesa epokale në këtë 5 vjetor duke shënuar avancime në të gjitha fushat e jetës politike, arsimore, ekonomike, shëndetësore dhe kombëtare i ka bërë nervoz taborin opozitar.
Arben Mehmeti nga LDK-ja thotë se Gjilani nuk ka pasur ndonjë zhvillim të veçantë gjatë kësaj periudhe, përpos përdorimit të territorit të Gjilanit për efekte elektorale. “Shikoni projektet kapitale për Gjilanin ku kanë mbetur në rrugë pa krye, dhe Gjilani vazhdon të mbetet edhe pas pesë viteve të pavarësisë si zonë e mbyllur e zhvillimit ekonomik. Për këto pesë vite Gjilani veç sa e ka shkatërruar ekonominë e vetë burimore” mendon ai.
Sipas Mehmetit fabrikat që kanë gjeneruar punësime në të kaluarën janë shndërruar në qendra eksterritoriale ekonomike që Gjilani tashmë as nuk mundet t`i kontrollojë. “Gjatë kësaj kohe kemi pasur shumë mbyllje të zejtarive dhe bizneseve të ndryshme gjilanase për faktin që territori i Gjilanit është lënë si zonë e lirë e investimit, pa ndonjë kontroll mbi atë se çka është interes për komunën tonë dhe qytetarët e saj. Pra edhe pas pesë viteve pavarësi nuk kemi as gjysmën e përfundimit të lumit “Mirusha” si projekt kapital me interes për Gjilanin, nuk kemi trajtim adekuat të lumit “Baja” dhe “Stanishorka” dhe çka është me rëndësi nuk kemi as edhe ndonjë vendim qeveritar në lidhje me devijimin e autostradës në drejtim të Gjilanit” tha Mehmeti.
Mehmeti tha se nëse i shikojmë me vëmendje këto ngecje mund të themi dhe t`i bëjmë pyetje vet vetës se çka u bë për këto pesë vite në Gjilan. Përgjigja është e lehtë, se s’është bërë asgjë përveç se Gjilani nga Qeveria e Kosovës është shndërruar edhe në territor stërvitor dhe eksperimental ku jo rrallë Gjilani ka qenë në fokus mbi atë se shteti po luftonte dukuritë negative, pra për këto pesë vite kemi identifikimin e komunës sonë si zonë problematike. Kjo është vlera e investimeve për këto pesë vite tha Mehmeti.
Kurse Avni Rudaku nga Vetëvendosje (VV) tha se nuk mund të ketë mburrje në 5 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë për Gjilanin, ngase pasojat e deindustrializimit të tërësishëm, privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe decentralizimit, tashmë kanë hyrë vetëm se në fazën e rijetësimit edhe praktik.
“Mburrja do të ishte edhe sikur të kishim rritje të investitorëve vendorë dhe të huaj, hyrjen e investimeve nga diaspora në investime e jo vetëm në konsum, rritje të kualitetit të arsimit, shëndetësisë primare dhe sekondare, hapjen e vendeve të reja të punës, investimet në fshatrat përreth “etj.
Rudaku tha se 5 vjetori i 17 shkurtit, e gjen Gjilanin me shumë pakëz hapësirë për mburrje, ngase ka mbetur ndër qytetet me më së paku investime në infrastrukturë, me ndarje minimale buxhetore, me mbetjen e shumë projekteve të pakryera kapitale dhe që po e shëmtojnë qytetin. “Për pesë vite, Gjilani nuk ka ndryshuar shumë në linjën progresive, me përjashtim të ndërtimit të ndonjë shkolle a objekti, që mund të jetë arritje, porse në tërësi, bilanci i gjendjes dhe zhvillimeve në Gjilan, është për keqardhje” mendon ai.
Sipas Rudakut, fatkeqësia është se me këtë ritëm, edhe vitin tjetër të Pavarësisë, nuk do të ketë përparime, ngase Gjilani ka mbetur larg investimeve buxhetore, larg projekteve të mëdha qeveritare dhe larg vizionit zhvillimor. “Për pesë vite, Gjilani po e thellon krizën e investimeve, zhvillimeve dhe mbetjes larg edhe nga qyteti i Ferizajit dhe qyteteve të tjera të mëdha.”/rajonipress/