Opozita e shqetësuar për shpenzimet buxhetore
Gjilan – Opozita ka vlerësuar sot se pasqyra e shpenzimeve buxhetore të qeverisë komunale, flet për shpenzime të pakontrolluara dhe si e tillë paraqet shqetësim për qytetarët. Në drekat zyrtare, udhëtimet brenda e jashtë vendit, karburante e telefona, opozita theksoi se është shpenzuar në mënyrë të pakontrolluar ka thënë Bajram Dërmaku i PDK-së.
Në seancën e së martës këshilltarët komunal nga radhët e PDK-së kanë dhënë vërejtje të shumta për pasqyrat financiare dhe buxhetin komunal i cili sipas tyre po shpenzohet në mënyrë të pa kontrolluar.
Bajram Dërmaku shef i grupit të PDK-së tha se vetëm për dreka zyrtare janë shpenzuar 44 mijë euro. Një shifër tjetër shqetësuese sipas tij janë edhe 36 mijë euro për mirëmbajtjen e veturave. Shifra tjera shqetësuese të shpenzimeve gjejmë në karburante, telefona e udhëtime tha Dërmaku.
Vërejtje për shpenzime adresoi edhe delegati tjetër i PDK-së, Enver Morina.“Një gjë që më ka ra në sy në raportin financiar, është shpenzimet rreth 2 e 500 mijë euro për karburante të veturës së kryetarit. Me këto shpenzime, kryetari sun e mbulon as rrugën Karaçevë-Kamenicë e jo më shumë. Vetëm kryesuesi i Kuvendit, ka më shumë se 4 mijë euro shpenzime. Tash nuk po e di kush e menaxhon dhe përfaqëson politikisht komunën”, tha Morina.
Zyrtari kryesor financiar Naser Hashani, ka thënë se shpenzimet lidhur me karburantet janë të shtuara, sepse komuna tani mirëmban edhe Ndërmarrjen Publike “ Ambienti”, bartja e nxënësve nga viset rurale deri në shkolla dhe anasjelltas.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit, delegati Enver Morina, ngriti shqetësimin e banorëve të Rubocit për dëmtimin e rrugës, e cila është asfaltuar para pak muajsh. “Të shtrohet një rrugë në muajin nëntor dhe të vije deri në këtë gjendje siç e shihni në foto në muajin shkurt, është vërtetë për të ardhur keq. Unë nuk po e akuzoj askënd këtu, por udhëheqja komunale ka obligim të dalë në terren dhe ta shoh gjendjen e kësaj rruge”, theksoi ai.
Kuvendi diskutoi edhe për raportet e vitit të kaluar të disa drejtorive komunale, shqyrtoi kërkesën e Bashkësisë Islame për ndërtimin e xhamisë në fshatin Strezoc, si dhe shqyrtoi propozimin e drejtorisë së Kadastrit për ndryshimin e vendimit për ngarkesa, tarifa e gjoba komunale.
Në këtë mbledhje u miratuan edhe shqyrtimi i raportit të komisionit komunal për ish kafiterinë “Titaniku”, shqyrtimi i propozimit të Drejtorisë së Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë për ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të Vendimit të Kuvendit Komunal për ngarkesa, tarifa dhe gjoba komunale./rajonipress/


