KKVITI

Opozita e painteresuar për rrëzimin e Qeverisë

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Pavarësisht zhvillimeve aktuale, analistët politikë, Ardian Arifaj dhe Shkëlzen Maliqi, nuk parashikojnë rrëzim të Qeverisë nga opozita. Ata kanë thënë se nuk është në interesin e asnjë partie politike, sidomos atyre opozitare, shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Analisti politik Ardian Arifaj ka thënë të premten se partitë opozitare asnjëherë deri më tani nuk kanë qenë të afta për t’i bashkërenduar veprimet e tyre në mënyrë që ta rrezikojnë seriozisht jetëgjatësinë e Qeverisë.

“Kjo Qeveri ka jetuar deri më tani në masë të madhe duke iu falënderuar një opozite të përçarë dhe të paftë për t’i bashkërenduar veprimet e veta. Opozita në Kosovë në këta katër vjet gati asnjëherë nuk ka qenë e aftë t’i bashkërendojë veprimet e veta. Edhe pse shpeshherë matematika ka qenë në favor të opozitës, opozita asnjëherë nuk ka arritur të veprojë e bashkuar dhe me atë matematikë të arrijë ta rrezikojë Qeverinë”, ka thënë Arifaj për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se rrëzimi i Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk do të ishte në dobi të asnjërës nga partitë politike, në veçanti atyre opozitare.

“Vendi edhe ashtu është duke shkuar në zgjedhje nacionale, pra nuk shihet ndonjë dobi në nxitimin për të rrëzuar Qeverinë dhe për të shkuar në zgjedhje, sidomos pa e përfunduar reformën zgjedhore. Kështu që, nuk ka nevojë edhe opozita të ngutet të rrëzojë Qeverinë dhe të shkojë në zgjedhje menjëherë. Në fakt, kur e shohim gjendjen brenda partive politike opozitare, të cilat nuk janë të konsoliduara përbrenda ende, është vështirë për të parë ndonjë interes për partitë politike opozitare që të shkojnë në zgjedhje qysh tani”, ka deklaruar Arifaj.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve nacionale sipas kalendarit zgjedhor do të ishte e favorshme për të gjitha partitë politike në mënyrë që gjatë kësaj periudhe të konsolidohen plotësisht.

“Më e mira do të ishte që zgjedhjet të mbahen sipas kalendarit zgjedhor dhe para mbajtjes së tyre të përgatitet reforma elektorale. Është në interes të të gjitha partive të konsolidohen brendapërbrenda, pastaj në fushatë elektorale të mos merren me përçarjet dhe problemet e brendshme, por të përqendrohen në prezantimin e programeve dhe ofertave sa më bindëse për votuesit”, është shprehur Arifaj.

Eco Higjiena

Ndërkohë analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se te disa parti opozitare ka munguar vullneti të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk kanë qenë të sigurta se do të kalojnë mirë në zgjedhje.

“Opinionet për rrëzimin e Qeverisë nuk kanë qenë të shumta, por sporadike, sepse nuk kishim opozitë të bashkuar as për çështje madhore. Te disa parti opozitare ka munguar vullneti që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk kanë qenë të sigurta se do të kalojnë mirë në zgjedhje. Megjithatë, edhe nëse nuk ka opozitë të mjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë, është e mundshme mundësia e dytë e vetërrëzimit të Qeverisë, sipas skenarit tashmë të njohur nga viti 2010”, ka thënë Maliqi.

Bajrami: Opozita s’ka fuqi as dëshirë ta rrëzojë Qeverinë

Ndërsa nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, ka thënë se ata që po kërkojnë zgjedhje të parakohshme nuk kanë fuqi ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës.

“Opozita nuk ka as fuqi e as dëshirë ta rrëzojë Qeverinë. I kuptoj prononcimet e opozitës nëpër medie, të cilat i bën për kalkulime politike. Deri më tani nuk e kemi parë asnjë mocion të votimit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës. Dhe nëse do të kishte vullnet të njëmend për rrëzimin e Qeverisë, opozita do ta shtronte këtë mocion, por realiteti ka treguar se opozita është shumë e përçarë. Më shumë ka probleme të unifikimit të qëndrimeve të opozitës sesa të mazhorancës”, ka thënë Bajrami.

Ai ka kërkuar nga partitë opozitare ta lënë anash debatin për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të merren me përfundimin e reformës zgjedhore.

“Ne si mazhorancë nuk do ta mbivotojmë reformën zgjedhore, do t’i prijmë konsensusit, por nuk do të marrim përgjegjësi për divergjencat të cilat i ka krijuar opozita. Ju e dini se edhe në ish-Komisionin për Reformë Zgjedhore më shumë ka pasur divergjenca në mes të opozitës sesa PDK-së. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë korrekte dhe konstruktive në mënyrë që ta arrijmë këtë konsensus, që liderët politikë t’i japin përgjigjet e fundit për reformën. Nuk mendoj se duhet të ketë më shumë se edhe një takim në mes të liderëve, sepse tani reforma ka ardhur në Kuvend dhe ky institucion ka mekanizmat e vet për t’i çuar proceset përpara”, ka deklaruar Bajrami. /Epoka e Re/