RCCOLA

Operacioni “Mleqani” arreston gjilanas e llapjan të dyshuar për kontrabandim

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Policia e Kosovës, pas hetimeve të kryera disamujore lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi të personave për të cilët dyshohej se merreshin me kontrabandim me migrantë, më 23 gusht në rajonin e Gjilanit dhe të Podujevës, ka realizuar operacionin policor të koduar me emrin “MLEQANI ”.

Gjatë realizimit të këtij operacioni policor janë arrestuar katër (4) persona që vepronin si grup, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit në vazhdimësi kryenin veprën penale të kontrabandimit të migrantëve, duke përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme.

Personat e arrestuar janë:P. G. i lindur më 1990 mashkull shqiptar S. S. i lindur më 1988 mashkull shqiptar , K. H. i lindur më 1990 femër shqiptare B. Z. i lindur më 1981 mashkull shqiptar.

Në kuadër të këtij operacioni janë identifikuar edhe gjashtë viktima të trafikimit me migrantë, të cilët ishin përgatitur nga të dyshuarit që përmes rrugëve ilegale të shkonin në shtetet e BE-së, që për këtë shërbim kishin paguar nga 2000 euro për person.

UBT

Ky operacion policor është realizuar në rajonin e Gjilanit, konkretisht në pikëkalimin kufitar te Dheu i Bardhë, ku janë arrestuar personat e dyshuar, ndërsa viktimat e kontrabandimit me migrantë janë ndaluar në pikëkalimin kufitar në Merdare.

Bazuar në hetimet preliminare policore dyshohet se personat e dyshuar kishin planifikuar që ata të kalonin kufirin në pikëkalimin kufitar te Dheu i Bardhë, ndërsa viktimat në pikëkalimin kufitar në Merdare, me qëllim që të takoheshin në Serbi për të vazhduar tutje për vendet perëndimore.

Gjatë këtij operacioni policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe gjësendet e mëposhtme: 2 (dy) vetura, 8 (tetë) telefona celularë, 9 (nëntë) sim kartela 1545 euro kesh, 320 dinarë të Serbisë.

Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje për të vazhduar me procedurat tjera hetimore./rajonipress/