Olters: Qeveria e re nuk duhet bërë gabime si ajo e kaluara në ekonomi

Qeverinë e ardhshme e presin vendime shumë të vështira për adresimin e prioriteteve urgjente zhvillimore dhe paralelisht për të siguruar stabilitet makro-fiskal. Kështu ka thënë menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Jan-Peter Olters në një intervistë për “Kohën Ditore”. Ai i ka numëruar faktorët dhe vendimet e qeverisë që sipas tij do të ngufatin çfarëdo potenciali për shpejtim të rritjes ekonomike.
Qeveria e re, sipas tij, duhet të hartojë një strategji të pranueshme ekonomike nga shumë palë, në mënyrë që mos të përsëriten gabimet siç ka qenë dështimi i privatizimit të PTK-së. Olters ka folur edhe për sektorët në të cilët duhet të koncentrohen zhvillimi ekonomik i Kosovës. Thotë se bujqësia është sektori që aktualisht mund të sjellë më shumë punësim dhe zhvillim.
“Gjatë kohës së nevojshme për të ndërtuar bazat për një ekonomi të fortë, sidomos në sektorët e energjisë dhe të arsimit, stimuli për rritje në aspektin afatshkurtër dhe afatgjatë duket se vjen nga bujqësia, një sektor ky që po ka sukses në rritjen e produktivitetit dhe kualitetit të prodhimit të vet”, ka thënë ai.
Menaxheri i Bankës Botërore, Olters, ka folur edhe për dështimin e procesit të privatizimit të PTK-së, debatin e gabuar për privatizimin e Distribucionit, investimet e huaja dhe për kartonin e gjelbër.