ARKATANA

Ofertat që hapin dilema

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Ibrahim Rexhepi – Hapja e ofertave për shitjen e PTK-së, në vend se të sqarojë të gjitha detajet edhe më shumë ka mjegulluar procesin. Madje, as çmimi nuk ishte formuluar saktë.

Privatizimi i Postës dhe i Telekomit të Kosovës do të përfundojë shpejt. Ka mbetur vetëm edhe një “po” e kabinetit qeveritar dhe vënien e nënshkrimeve në dokumentin për shit-blerje. Nuk ka dyshime se gjërat do të zhvillohen në këtë drejtim, meqenëse kjo shitje do të ndodhë për tri arsye themelore: buxheti nuk ka mjaft para, vazhdon presioni i institucioneve ndërkombëtare dhe duhet vazhduar projektet e premtuara nga Qeveria e Kosovës.

Nisur nga kjo, privatizimi nuk po ndodhë për qëllime që do të kishin ndikim më të gjerë ekonomik e social. Ai nuk e ka për synim financimin rritjes ekonomike, por blerjen e asfaltit dhe të çimentos.

Hiq përplasjet e ashpra që ka nxitur ky proces, bërja publike e ofertave ka hapur Kutinë e Pandorës, përkatësisht ka theksuar edhe më shumë dilemat dhe paqartësisë për finalen e këtij procesi. Ato janë të mëdha dhe do të jetë e pandershme nëse procesi mbyllet pa i sqaruar ato.

ÇMIMI i shitjes: Oferta më e mirë për këtë aset ku hise kanë të gjithë kosovarët ishte ajo e konzorciumit gjermano-amerikan “Axos GMBH & Najafi Companies” e rëndë 277 milionë euro. Mirëpo, si shkarazi u përmend një detaj që mjegullon çmimin. Blerësit kërkojnë që posa të marrin pronësinë, në konton e kompanisë të kenë 35 milionë euro. Një matematikë e thjeshtë nxjerr rezultatin- blerësi duhet të ketë 242 milionë euro, ndërsa obligimet shtesë do t’i paguaj me paratë e kosovarëve.

ARKATANA

ÇMIMI i tregut: Shitësi i kësaj pasurie nuk ka caktuar vlerën e mallit që ka nxjerrë në pazar. Këtë kalkulim e ka lënë në mëshirën e blerësve, të cilët atë do ta kalkulojnë sipas gjendjes në treg. Por, dallimi i madh ndërmjet ofertave krijon përshtypjen sikur vlerësimet janë bërë bazuar në gjendjen ekzistuese në tregjet e ndryshme, e jo në Kosovë. Blerësi potencial ka ofruar 277 milionë euro, ndërsa oferta e dytë, ajo e “International/M1 Group” – 150 milionë e 10 mijë euro. Pra, dallimi është hiq më i vogël se afër 127 milionë euro. Kur kemi parasysh këtë ndryshim, gjithsesi se është e paevitueshme pyetja: Ofertuesit a kanë pasur për vlerësim pasurinë dhe tregun njëjtë, apo ofertat janë kalkuluar nëpër kabinete larg nga PTK-ja dhe nga Kosova ?

PAGESA: Para se të vihet nënshkrimi në marrëveshje, institucionit që i është bartur përgjegjësia për këtë shitje, duhet të sqarojë se cilat janë kushtet e pagesës. Paratë do të derdhen në konton e buxhetit në momentin kur bartet pronësia, apo pagesat do të bëhet në këste të caktuara për një periudhë më të gjatë kohore. Kjo e dyta nuk duhet të pranohet, meqenëse i bie që pos 35 milionë eurove që duhet të jenë në trezorët e PTK-së, edhe këstet e tjera duhet të shlyhen me paratë që gjenerohen nga biznesi i këtij operatori.

DIVIDENTA: Kur pushon e drejta e pronarit aktual (që shpejt do të jetë ish-pronar) në tërheqjen e fitimit – në momentin kur bartet pronësia, apo në momentin kur paguhet i tërë çmimi i shitjes? Qeveria e Kosovës nuk duhet të injorojë dy fakte: nga fitimi i krijuar deri në ditën kur përmbushen pagesat dhe bartet pronësia, si edhe nga 25 përqindëshi i mbetur, i cili duhet të jenë brenda pakos të operatorit VALA, e jo të kalkulohen si aksione në Postën e Kosovës.

PUNËTORËT: Këtu ka më pak dilema – raportet ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit rregullohen me kontratë. Por, për qëndrueshmërinë e saj duhet krijuar disa parakushte – të ketë ligje që mbrojnë të drejtën e punëtorit, gjyqësi efikase në zbatimin e këtij ligji, kontratë kolektive që sqaron edhe më shumë raportet kontraktuale, si edhe sindikata të fuqishme që krijojnë partneritet me punëdhënësit, me qëllim të mbrojtjes së të drejtës së punëtorëve.

Privatizimi po ndodhë në kohën kur nuk është plotësuar asnjëri nga këto parakushte dhe punëtorët për ardhmërinë e tyre duhet të luftojnë individualisht. Kjo situatë punëdhënësit i krijon përparësi të madhe.
EPILOGU: Shitja do të ndodhë, kurse dilemat do të mbesin. Ndërkaq, fatkeqësia më e madhe është mungesa e konsensusit të përgjithshëm rreth këtij procesi. Në mungesë të tij, çmimi i PTK-së është nënçmues, përftimet janë minimale dhe fati i punëtorëve mbetet për brengosje.