Numër shumshifror plagësh
Jam i ngazëllyer para teje, Kah të shoh hijerëndë, Shtrirë në shtratin tënd
Gjilanit
Jam i ngazëllyer para teje
Kah të shoh hijerëndë
Shtrirë në shtratin tënd
Rënd të peshon trasta e brengave
Shtresuar në shtresimet e rreshkura
Ato nuk numërohen me numra
Vetëm me ofshamat e heshtura
Kush ta mbushi vallë trastën pa tojë
Varur në qerpik syri përlotur
Unë të kundroj dhe mundohem t’i numëroj
Përcëllimet përvëluese të acareve
Më dalin numëra shumëshifrorë
Të lidhur pa lidhësa e pa vangji
Shkoqur e leckosur arave djerrina
Nё ecjen me pranga
Ta nëpërkëmbën edhe emrin
Ta bartën hijeve të fshehura skutave pa shteg
Edhe atje ku lëpihej ndryshku i dryrëve
Edhe atje ku balta e bodrumeve mykej
Edhe atje ku
Myktira e stërstepur lëshonte helm nepërke
Ardhur nga Remremulët
e stërshtrirë në histori
Ku ta gjej mehlemin për t’i shëruar plagët
E picëkimeve nga shushunjat e fryra
Të erdhën nga të gjitha anët
Po ti nuk ua lëshove shtratin tënd për t’u shtrirë.
Ikën e na i lan varret stërshtrirë rrëzë maleve tej
Tek përmenden
(Varret e romakëve u thonë)
Madhështia ime
Nuk pate kohë të marrësh pak frymë
Veç sa për t’i mëkuar plagët
II.
Nga Bosfori Çallmëmadhët me daulle e zurna
Ta prishën zhxhëndrrën e posa filluar
Cingrima e shpatave harkore
Pa harmoni e komponim u shtri natën vonë
Deri në thirrjen e mëngjesit për falje
Një tjetër zë
Një tjetër britmë po në atë gjuhë
U shtri luginave të mundura
“U prura fe e liri”
Ç’pate mundësi të bësh o madhështia ime
Pos të dëgjosh thirrje në emër të lirisë
E t’i shohësh njerëzit të ngulur në hunjë për së gjalli.
A mund të gjendej një Rozafë për ta vajtuar
Trimin e rënë në log burrash
tek sa përpëlitej nga plaga
Nuk më lëshon shpirti pa ta bërë me dije
Nëpër rreshtat e kronikave
“Ti më le pa liri ”
Ti madhështia ime bëre rrugë
Nëpër teh shpate
Thirrjet e mëngjesit t’u bënë para lindjes së diellit
-Eja e bjer në gjunjë, përulju urdhërit tim
Do liri në këtë botë a parajsë në amshim
Numra shumëshifror plagësh po shtratin nuk e lëshove
Ikën e çka na lanë
Asgjë Gjilan
Pos xhamive, tyrbeve e ndonjë hamam
Ikën kur bota u kthye mbarë
Me leckat e mykura pesëqindëvjeçe
Me zhurmë rënkimesh e me thirrje për falje
Edhe ti madhështia ime ec
Me plagë numrash shumëshifror
-Në zemër ke bërë tatuazh kuptimin e lirisë
* * *
Filloi të fryjë edhe veriu i ziu
Me grremëza helmuese drejt vendit të mjaltit
Me besimin në Dabog, të krekosur në log
Nëntë plagët e Gjergjelezit të palidhura t’i gjeti
Zgjuar të gjetën Gjilan se logu donte gjak
Se lulëkuqet do të thaheshin
Se bozhuret nuk do të çelnin
Se aromë lirie nuk do të kishte
/Përsëritje ofshamash/
Bilbili e ndali këngën
Nënës iu dogjën ninullat në gji
Vasha e braktisi faculetën e nusërisë
Lotët ujëvar e patharë
Në, Gjilan
Masakër e paparë
Demi notoi në gjak
Nga ti o kullak
Më erdhe për pak
E më mbete në prak
* * *
Lot i patharë në çepallë
Pik në tingull çiftelie
Këngëtari rradhitë rënkimet
Heshtja shëron shurdhërinë
Përsëri këngë kushtrimi
Përsëri grushta shtrënguar në rrugë
Bubullimë e vetëtimë
Në jug e në veri
Në lindje e perendim
Marrëshon Kosova
E Gjilanit tim
Lubia lubi
Në Gjilanin plak
Demi notoi në gjak.
Poeti në zemër skalitë shkëndij
Mbi letër të bardhë vë shpirtin e tij
“Jak o dritë e uruar
Që lind nga perëndon”…
-Këtu më keni me tërë hirësinë time
Unë shlyej në shpirtë përcëllime…
Edhe një herë bota u kthye mbarë
Iku edhe Lubia me leckat njëqindvjeçe
* * *
O madhështi
Sot të shohë me rreze praruar
Shtrirë gjerë e gjatë në shtratin tënd
Ec me diellin në ballë
Ta shoh gëzimin
Ngritjen tënde shkallë-shkallë.
Hysen Kqiku


