Hidromorava

Nuk shkon më kështu!

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Burim Ramadani – Nuk shkon më kështu! Të gjithë janë lodhur! Kuptohet, përveç hajnave. Ata nuk lodhen në këso rrethanash. Të tjerët janë në hall. Nuk mund të vazhdohet më e njëjta situatë. Keq e më keq. Çdo ditë e më tepër jeta po bëhet më e vështirë. Më e rëndë. Më e pashpresë! Nuk ka kategori të njerëzve normalë dhe lojalë ndaj shtetit të Kosovës që nuk po e ndjejnë në lëkurën e vet të keqen që po ndodh.

Secili njeri i ndershëm – i lodhur!

Qytetari i rëndomtë është lodhur. Nuk është i barabartë në asnjë aspekt të jetës. Nuk ka punë. Nuk ka mundësi për prosperitet. Nuk ka fuqi të mirëmbajë jetën e vet e lëre më të ndryshojë standardin familjar. Nuk ka besim tek shteti dhe shoqëria. Nuk ka besim tek institucionet qendrore a komunale. Nuk ka besim te KEK-u, as te Posta. Për çdo moment mund t’i ndalet rryma. Për çdo moment mundet të mos i funksionojë telefoni. Uji është “privilegj”! Pak më shumë se gjysmën e 24-orëshit ka ujë. Koha tjetër – flaka i daltë! Bërllogu të zë rrugën kah të sillesh.

Dhe, jo vetëm këto janë të mundimshme! Jeta i është rënduar dhe si e tillë po i keqësohet edhe për të ardhmen. Fëmijët në shkolla nuk marrin as gjysmën e asaj që pritet. Niveli i arsimit në Kosovë është në pikët më të keqe që prej përfundimit të luftës. Jo për fajin e mësimdhënësve, por për fajin e menaxhimit jashtëzakonisht të dobët të sistemit arsimor. Kjo vlen sidomos për nivelin e arsimit para-universitar. Ndërkaq, niveli i arsimit të lartë është domosdoshmërisht i paragjykuar të dështojë. Të prodhojë (me pak përjashtime Kolegjesh a Universitetesh) “analfabetë me diplomë”! Këto masa “studentësh” mund të kthehen shumë shpejt në një problem serioz social. Nuk shkon më kështu!

Njerëzit e ndershëm të biznesit janë llomitur. Janë çkallmuar. Nuk mund të ndërtojnë biznesin e vet në këtë ambient të pabarabartë. Lloj-lloj problemesh, vështirësish, pengesash, kushtëzimesh. Haraçi vazhdon të jetë një problem tepër i madh. Kudo nëpër Kosovë.

Me pak përjashtime të disa komunave. Pra, edhe ata biznesmenë që kanë arritur një stabilitet financiar dhe investues, përballen me dukurinë më të shëmtuar në shoqërinë kosovare – haraçin. Kjo jo vetëm që nuk duhet të pranohet, por jashtëzakonisht shpejt duhet të ndalet. Duhet vepruar më shpejt! Nuk shkon më kështu!

Politikanët e ndershëm janë në hall. Të tillë nuk janë shumë. Pikërisht për shkak të numrit jo të madh të tyre, të gjithë së bashku apo veç e veç gjenden në pozicion vërtet të vështirë. Me vullnetin më të madh për të ndryshuar gjendjen e keqe në vend, përballen me të këqinjtë. Me të korruptuarit. Me ata që politikën e shohin si monedhë. Me ata që të qenit aktiv në politikë e shohin si mënyrën e vetme të përfitimit të shumave të parave. Me ata që nuk dallojnë asgjë prej kriminelëve ordinerë.

Pra, thjesht: sikur për një hajn që gati u dalin sytë prej vendit kur sheh bankën, ashtu edhe këtyre gati u dalin sytë prej vendit kur të shohin tenderin apo mundësinë për të bërë “diçka”! Të këtillët, fatkeqësisht, janë më shumë. Prandaj, edhe kanë bërë më shumë përkrahës-klientelistë! Prandaj, rrinë në pushtet më gjatë. Prandaj, të mirët janë të pabarabartë me ta! Të pabarabartë për nga mundësitë logjistike, sikurse edhe përnga niveli i veprimit!

ARKATANA

Gazetarët profesionistë janë në pozitë të keqe. Të mbetur pothuajse të pashpresë. Nën trysninë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të qarqeve të caktuara. Qofshin këto qarqe të politikës, qofshin të biznesit. Një numër i madh i gazetarëve në Kosovë as kontrata pune nuk kanë! Nuk mund të kenë as sigurim shëndetësor edhe nëse këtë duan ta bëjnë vet.

Ligji i Punës shkelet në shumë e shumë raste individuale apo kolektive. Presioni i profesionit është i kuptueshëm, mirëpo jo edhe presioni nga natyrat tjera. Gazetarë që po ashtu nuk kanë asnjë dallim me shpjegimin e hajnit, bankës dhe politikanit. Sërish, një numri jashtëzakonisht të madh të gazetarëve dhe shefave të tyre gati i dalin sytë nga vendi kur të shohin paratë. Edhe në këtë profesion, të mirët dhe profesionistët janë më pak në numër. Janë më të goditurit. Dhe, për më keq, besueshmëria ndaj tyre minohet çdo ditë nga këta tjerët. Lloj-lloj thashethemesh e spekulimesh, vetëm për t’i rrëzuar reputacionin në mënyrë që shkrimet e tyre të mos kenë efektin e duhur.

Kriza shumëdimensionale!

Kriza në Kosovë është shumëdimensionale. Nuk zgjidhet thjesht dhe lehtë. Kriza e ka kapluar sistemin e të menduarit, fatkeqësisht. Sot në Kosovë edhe gara për Miss-in manipulohet. Pra, edhe aty që krejt bota mund ta sheh. Manipulohet edhe gara për shoqatat apo grupet e interesit. Edhe peshkatarët kur të mbledhen për të zgjedhur udhëheqjen e vet, manipulojnë! Koncepti akual i sistemit shoqëror në Kosovë është manipulimi. Asgjë më pak!

Gjithçka në mendjet e shoqërisë kosovare është kthyer në oportunizëm. Në shfrytëzimin e mundësive për të “arritur” diçka. Për të grabitur çkadoqoftë. Për të marrë me vete! Të korruptuarit janë bërë shumicë në Kosovë. Që prej kafiterive, që mundohet të grabisin një pjesë trotuari për të vendosur tavolina dhe karrige, e deri tek niveli më i lartë i institucioneve. Udhëheqja institucionale e ka kthyer ekzistencën e vet në qëllim të përfitimit personal e grupor. Për t’u pasuruar deri sa s’dinë më!

Nuk janë pak njerëz të korruptuar. Nuk janë të të njëjtit profesion apo kategori. I gjen çdokund. Në çdo sektor të jetës. Edhe mjeku nuk të shëron pa i dhënë ryshfet. Prandaj, nuk është e lehtë të zgjidhet. Prandaj, kërkon shumë vendosmëri. Nuk lejon të ketë kompromis!

E vetmja shpresë që ka mbetur është ndryshimi i shpejtë i qeverisjes. Dhe, jo për të ndryshuar njerëzit, por për të ndryshuar vërtet qeverisjen. Filli i lëmshit të krizës në Kosovë duhet të fillojë me ndryshimin e qeverisjes. Për këtë ekziston opsioni politik. Ky opsion nuk duhet të digjet! Duhet mbështetur. Duhet besuar se mund të ndryshojmë gjendjen. Nuk shkon më kështu!

Autori është kolumnist i rregull i gazetës “Zëri”