Eko Higjiena

Nuk mund të ketë epilog të mirë dialogu qëllimisht i paqartë

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Nga Augustin Palokaj – Gjithçka që arrihet në dialog nuk e ka forcën formale të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ato janë vetëm pranim i obligimeve politike që Kosova, duke i miratuar si akte ligjore, i bën obliguese për vetveten. Kështu do të jetë edhe me krijimin e Asociacionit/Bashkësisë, e cila do të formohet. Kjo që po bën bashkësia ndërkombëtare është përpjekje që t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës të nisë një dialog me opozitën, për të tejkaluar krizën politike, e që në praktikë pa ndonjë ndryshim përmbajtjesor të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Që në fillim të vitit të ri do të duhej të zhvillohej një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të çuar përpara këtë proces. Kështu thonë në Bruksel, ku po ashtu mundohen të kenë një lexim pozitiv të mendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rreth kushtetutshmërisë së marrëveshjes për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kështu, në vend që të merren me thelbin e problemit, të cilin edhe e identifikon Gjykata Kushtetuese, e që është fakti se disa pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim të plotë me frymën e Kushtetutës, edhe zyrtarët e BE-së fokusin e vënë në faktin se “Asociacioni/Bashkësia duhet të formohen”.

Është e qartë se në këtë dialog që nga fillimi asgjë nuk ka qenë e qartë. Dhe kjo ka qenë e qëllimshme. BE-ja në cilësinë e lehtësuesit jo vetëm se nuk është munduar të shtojë transparencën në proces, qartësinë dhe parashikueshmërinë në të, por edhe e ka inkurajuar paqartësinë, shumëkuptueshmërinë në mënyrë që të ndihmojë palët që në vend se të informojnë opinionin e tyre, ta manipulojnë atë. Verdikti i Gjykatës Kushtetuese është një incident i vogël në proces dhe madje duket se kjo Gjykatë është munduar që duke dhënë mendimin të mos e dëmtojë procesin. Nëse shikohet mënyra se si ka nisur, si është zhvilluar dhe çfarë ka sjellë dialogu, dalin shumë gjëra jonormale. Kjo ndoshta më së miri mund të shihet edhe për nga gjuha e përdorur në dialog nga të tria palët, gjuha e atyre që quhen marrëveshje dhe deklarimet publike të palëve.

I tërë procesi nga fillimi qëllimisht është quajtur dialog për shkak se nuk mund të përdoret termi negociata. Negociata bëjnë vetëm palët e barabarta, që njohin njëra-tjetrën, e Serbia dhe BE-ja nuk mund ta konsiderojnë Kosovën si të barabartë. Prandaj i tërë procesi është quajtur dialog. Thuhet se procesi i bashkëpunimit rajonal është kusht për integrime evropiane. Por nuk ka pasur asnjë “dialog”mes ndonjë shteti tjetër të rajonit të Ballkanit. Prandaj edhe “dialogu” zhvillohet mes “Beogradit e Prishtinës” e jo mes “Kosovës dhe Serbisë”. Pala kosovare ka insistuar në fillim se ky është vetëm një “dialog teknik” dhe se me Serbinë nuk do të ketë negociata për çështjet e brendshme të Kosovës. Por, gjatë tërë kohës ishte evidente se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka probleme teknike të cilat nuk janë rezultat i mospajtimeve politike rreth statusit. Dhe në këtë “dialog” të gjitha temat e diskutuara janë çështje të brendshme të Kosovës. Edhe BE-ja nuk ka dashur të ketë rolin e “ndërmjetësuesit” por të “lehtësuesit”. Kështu BE-ja lan duart nga të gjitha anomalitë e këtij procesi në të cilin jo rrallë janë shkelur edhe parimet e vetë BE-së. “Ne jemi vetëm lehtësues, ky është dialogu i tyre, ata vetë arrijnë marrëveshje” gjithmonë përgjigjen në BE sa herë që kërkojmë të prononcohen kur palët japin interpretime të kundërta të asaj se çfarë po ndodh në dialog.

Pala kosovare e ka quajtur këtë si një dialog “mes dy shteteve të pavarura”. Madje edhe Kuvendi i Kosovës ka rënë në këtë grackë duke e miratuar një rezolutë për ratifikimin e “Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”. Por në fakt një marrëveshje me emërtim të tillë nuk ekziston fare. Zakonisht kur miratohen vendime për ratifikim të marrëveshjeve atëherë duhet t’i referohen të njëjtës marrëveshje me emërtimin e saktë. Kështu Kuvendi i Kosovës vetë, ndoshta për ta bërë më të pranueshme këtë marrëveshje, e ka shtuar se ajo është “marrëveshje ndërkombëtare” dhe është mes dy republikave.

E fjala është për një dokument me status të paqartë formal që mban titullin “Marrëveshja e parë e parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve”. Kjo nuk duket si ndonjë “marrëveshje ndërkombëtare” dhe në përmbajtjen e saj shihet qartë se nuk flitet fare as për ndonjë “normalizim të raporteve”. As në emërtim e as në ndonjërën prej 15 pikave të kësaj letre, që sa e dimë nuk është nënshkruar fare por vetëm janë vënë inicialet, nuk përmendet fjala Serbi. Në vend të “normalizimit të marrëdhënieve” mes “Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë” në këtë letër 15-pikash flitet për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, për kompetencat, për policinë, gjakrat, zgjedhjet lokale. Dhe gjithçka në Kosovë e asgjë në Serbi. Edhe pika e cila ka pasur për qëllim të detyrojë Serbinë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë është banalizuar duke u shndërruar në mospengim të palëve në “rrugën përkatëse drejt BE-së”, që nuk do të thotë asgjë. Pra, prej kësaj “marrëveshjeje” Serbia vetëm ka shtuar aktivitetet e saj në pengim të Kosovës gjithkund ku ka mundur. Po ashtu ka inkurajuar edhe të tjerët. Madje askund më shumë se në përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare nuk ka qenë më shumë evidente se kurrfarë normalizimi nuk ka ndodhur në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, BE-ja e ka vlerësuar si jashtëzakonisht pozitive sjelljen e Serbisë dhe ka avancuar procesin e integrimeve të saj në BE, së fundi duke hapur edhe dy kapitujt e parë për negociata.

Gjatë procesit palët kanë arritur pajtim edhe rreth IBM-së, që askund të dokument nuk shkruan se çfarë është dhe çka do të thonë këto shkurtesa. Për Kosovën ato shihen si shkurtesë e “Menaxhimit të Integruar të Kufijve”, ndërsa për Serbinë dhe BE-në si “Menaxhim i Integruar i Linjës Administrative”. Këtu është përdorur mundësia që jep gjuha angleze ku me shkronjën B fillon edhe “Kufiri” (border) edhe linja administrative (boundary). Dhe secili mund të interpretojë sipas qejfit të tij.

Edhe marrëveshja për Asociacionin/Bashkësinë përdor dy këto terme, edhe pse në gjuhen shqipe, edhe në atë serbe e angleze ekziston dallim mes këtyre dy emërtimeve. Dhe kjo po ashtu është bërë me qëllim manipulimi.

Fundamenti

Është për t’u habitur sesi BE-ja ka inkurajuar këtë lojë të manipulimit ndërsa vetëm tash pas disa vjetësh pranojnë se duhet të ketë më shumë transparencë në dialog. Shpresojmë ta kenë kuptuar se mungesa e transparencës jo vetëm se nuk ka ndihmuar, por tash është bërë edhe e rrezikshme. Më shumës sesa për interpretime të dialogut, për kualifikime se sa të rëndësishme janë dhe çfarë domethënie historike kanë, kemi nevojë për qartësi.

BE-ja brenda institucioneve të saja, të cilat njohin 24 gjuhë si gjuhë zyrtare, pos përkthyesve ka edhe të ashtuquajturit “linguistë juristë”, të cilët kontrollojnë secilin përkthim pikërisht për t’u siguruar se në secilin variant të përkthyer dokumentet kanë të njëjtin kuptim. E si atëherë kjo BE inkurajon që në dialog të përdoret qëllimisht gjuha e cila mund të ketë kuptim të ndryshëm.

Ndoshta në fillim dikujt në Bruksel i është dukur ide brilante në teori, që përmes “ambiguitetit konstruktiv” të arrihet pajtim mes palëve që kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Por ky ambiguitet ka kufijtë e vet. E kufiri është kur kjo shihet si tallje me qytetarët, edhe pse thuhet se dialogu pikërisht ka për qëllim që t’ua përmirësojë jetën qytetarëve.

Dialogu ka krijuar si duket më shumë komplikime sesa që ka zgjidhur probleme. Ai vërtet i ka dhënë një rast Serbisë që të faktorizohet në skenën ndërkombëtare, të arrijë sukses në procesin e integrimeve evropiane, pa pasur nevojë që të ndryshojë qëndrimet kundërshtuese ndaj pavarësisë së Kosovës dhe madje pa pasur nevojë as të ndryshojë Kushtetutën, ku Kosova quhet si pjesë e Serbisë. Madje një ndër personat kryesorë në dialog nga ana e BE-së në fillim të tij, Robert Cooper, edhe publikisht pati thënë se gjatë dialogut do të sigurohet respektimi i Kushtetutës së Serbisë, që thotë se Kosova është pjesë e saj. Sikur ndaj shumë gjërave të tjera, edhe ndaj kësaj deklarate zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë kaluar pa reagim, duke u bërë kinse “nuk janë në dijeni për këtë deklaratë” apo “nuk e kanë parë”.

Tash është tepër vonë që të shlyhen disa dëme që Kosovës i ka bërë ky dialog. Ai edhe ashtu ishte nisur si pranim i dështimit të Pakos së Ahtisaarit dhe me qëllim që serbëve dhe Serbisë t’u jepen diçka më shumë sesa që u jep Pakoja në bazë të së cilës Kosova e shpalli pavarësinë e saj.

Gjithçka që arrihet në dialog nuk e ka forcën formale të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ato janë vetëm pranim i obligimeve politike që Kosova, duke i miratuar si akte ligjore, i bën obliguese për vetveten. Kështu do të jetë edhe me krijimin e Asociacionit/Bashkësisë, e cila do të formohet. Kjo që po bën bashkësia ndërkombëtare është përpjekje që t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës të nisë një dialog me opozitën, për të tejkaluar krizën politike, e që në praktikë pa ndonjë ndryshim përmbajtjesor të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Në rrethana të tilla, sapo të qetësohet situata, do të vazhdojë dialogu. Pos nëse vërtet kryeministri Isa Mustafa ka menduar seriozisht kur ka thënë se nuk do të udhëtojë në BE nëse mundësinë për lëvizje pa viza nuk do ta kenë edhe qytetarët e Kosovës.

http://koha.net/?id=31&o=1051