Hidromorava

Njeriu, jo natyra

/ 5 minuta lexim

Nga Arben Idrizi – Kjo që po ndodh është një zgjatim i shumë fenomeneve jo ligjore e jo humane që kanë ndodhur jo vetëm në kryeqytet dhe jo vetëm nga njëri subjekt i caktuar politik a tjetër.

Nga fotot dhe xhirimet që patëm dhe e kemi rastin t’i shohim në pothuajse të gjitha mediat e shkruara e elektronike këto ditë, të cilat dëshmojnë dhe dokumentojnë lëvizjet e shtëpive, dridhjet dhe tamam rrezikun e shembjes së tyre, në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, si shkak i gërmimeve me qëllim të ndërtimeve të reja, (më) ngjallin një ndjesi katastrofe natyrore.

Ama, nuk është ashtu: katastrofa rrezikon të vijë nga vetë mendja dhe dora e njeriut. Thënë kështu duket, ndoshta, si një sajesë e pa kripë letrare. Mirëpo, është tamam kështu: zyrtarët komunalë kanë dhënë leje për ndërtimin që mund (do) të shkaktojë shembjen e ndërtimeve të banueshme përreth, duke rrezikuar mbi të gjitha vdekjen e banorëve, pa e çarë kokën aspak për këtë.

Për fat, tashmë policia ka urdhëruar evakuimin e të gjithë banorëve nga ajo pjesë e rrezikuar.

Ama, edhe pas kësaj, zyrtarëve komunalë të Prishtinës, e para se gjithash, kryetarit të Komunës dhe njëherit kryetarit të LDK-së, njërit prej subjekteve më të mëdha dhe më me ndikim në vend, z.Isa Mustafa, nuk iu shkon në mend ta marrin përgjegjësinë, të urdhërojnë ndalimin e gërmimeve, ndërtimit, të sqarojnë si ndodhi dhe t’i bëjnë të japin llogari ligjore ata që janë të lidhur drejtpërdrejt apo në çfarëdo mënyre qoftë me këtë katrahurë.

Pos kësaj, problemi nuk zgjidhet vetëm me evakuimin dhe problematizimin medial. Ka, së pari, një urgjencë në strehimin e të rrezikuarve. Jo pse ata u rrezikuan nga natyra, por sepse ata u rrezikuan nga vetë njeriu, nga vetë ata të cilët duhej të kujdeseshin për ta.

Rrezikimi i përbindshëm i jetës së tyre dhe kjo urgjencë e panevojshme dhe e pa pritshme kërkon një reagim edhe ligjor edhe human.

Shpesh na bën vaki që në raste të tilla të pamundësive tona qytetare për të kërkuar dhe mundësuar përgjegjësinë ligjore, të heqim dorë bile edhe nga gjykimi moral i çështjes. Meqë, mendojmë, moralizimi nuk na çon askund.

E megjithatë, për një lloj moralizimi ka vend edhe kur ligji e kryen punën e vet siç është më së miri.

Pra, kjo që po ndodh është një zgjatim i shumë fenomeneve jo ligjore e jo humane që kanë ndodhur jo vetëm në kryeqytet dhe jo vetëm nga njëri subjekt i caktuar politik a tjetër.

Unë nuk kam zgjidhje, politike, as pretendoj të kem, për të ofruar. As në këtë rast. Propozimet e mia mund të jenë përgjithësime dhe dërdëllitje.

Eco Higjiena

***

Seneca e kishte njëfarë zakoni të këndshëm që në fund të letrës t’i jepte Lucilit një sentencë filozofike si kompensim për, sipas modestisë të tij intelektuale, humbjen e kohës që i kishte shkaktuar me leximin e asaj letre.

Unë do të doja, prandaj, t’ju ftoj ta rikujtoni Neorealizmin italian, sidomos filmin L’onorevole Angelina, me të mrekullueshmen Anna Magnani.

Kah fundi i filmit, pasi që është liruar nga burgu dhe i ka krijuar të gjitha gjasat të zgjidhet deputet, Angelina, mban një fjalim të këndshëm e të druajtshëm, plot emocion për shikuesin.

I parafrazuar, na vjen kështu:

Qeveria do të duhej të bënte të obligueshëm burgun si shërbimin ushtarak…pak sepse të gjithë e meritojnë e pak sepse atje brenda të kthjellohen idetë…kështu atje unë e kuptova se jam njëra si ju, njëra që e ka kaluar jetën duke ngrënë drekë e darkë bashkë, me dritare pa xhama, e me të gjitha hallet që i njihni ju vetë më mirë se unë… e edhe nëse është meritë imja që tash kemi nga një shtëpi që ëndërronim ta kemi, e kam kuptuar se ky nuk është sistemi për t’u bërë deputet… sa më përket mua pastaj… duhet të zgjidhni një më të mirë se unë, më i përgatitur, që na ndihmon dhe nuk lejon të na mashtrojnë… unë do të rri në shtëpi, ku në të vërtetë bëhen disa diskutime që në Dhomë as që e kanë idenë… por kur të më thërrisni për protesta, unë do të jem aty, e gatshme… kështu të gjithë do të jemi deputetë… deputetë seriozë.

***

Unë, megjithëse ndoshta lashë të kuptohet, nuk shkoj me mendjen se duke i rrasur në burg matrapazët e kriminelët e pozitës dhe opozitës, ata që japin leje në mënyrë të parregullt për të ndërtuar dhe ata që ndërtojnë duke rrezikuar jetët dhe pronat e të tjerëve, do t’iu bëjmë një nder të madh: do të këndellen. Të tillët, kam bindjen, nuk janë të prirë për nga natyra për t’u përmirësuar, penduar dhe humanizuar. Duke i rrasur në burg, vetmja gjë është se mbase do të çonim në vend një trohëz drejtësi. Sigurisht, kjo nuk është pak.

Por, ne e dimë, ata janë pushteti, ata janë ligji.

Fajtorë mund të jemi vetëm ne, të pafuqishmit, të pambrojturit.

Jo pse është ligj i natyrës, por sepse është ligj i njeriut, kafshës brenda njeriut.