Eko Higjiena

Njëqind vjet pamjaftueshmëri

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Veton Surroi- Kosova është shtet i papërfunduar, dhe përderisa të jetë i tillë, do të jetë e papërfunduar edhe arkitektura politike shqiptare

1.

Kur me këtë 28 Nëntor shqiptarët gjithandej botës të kremtojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, do të shënojmë pikën kulmore historike të identitetit tonë. Njëkohësisht do të kemi mundësi , nëse pranojmë të analizojmë me sy kritikë, që dikush mund t’i quajë blasfemikë, të shënojnë thellësinë e madhe të kundërthënieve , ende të gjalla, të këtij identiteti.

Të fillojmë nga e para kundërthënie. Shqipëria, në kuptimin juridik, nuk është shtet i shqiptarëve; në rastin më të mirë , është shtet i një pjese shqiptarësh, që quhen qytetarë të tij e që kanë obligim-privilegjet si shtetas të tij. Megjithatë , që të gjithë shqiptarët po e festojmë. Kjo do të thotë se po e kremtojmë një paradoks. Paradoksi është lehtë i kuptueshëm me faktin se jashtë shtetit të Shqipërisë gjenden po aq shqiptarë që kanë shtetet e tyre sa edhe brenda. Shikuar kështu, e kremtja e 28 Nëntorit sivjet, pra , nuk e kremton 100-vjetorin e shtetit shqiptar, por mungesën e realizimit të tij. Në kësi konteksti, të kremtuarit e mungesës së shtetit , atëherë , është kremtim aspirate.

2.

Shënimi i aspiratës ka rrënjët më të thella, besoj, ndër shqiptarët e Kosovës. Në mendjen kolektive të kosovarëve është i gjallë, në përmasa të ikonografisë (aq sa ta shohim Isë Boletinin në mesin tonë sa herë ta shohim edhe Reshat Arbanën që e luan rolin e tij në film) momentin e puthjes së flamurit në Vlorë nga prijësi i delegacionit kosovar. Ai moment ikonografik përmban në vete së paku tri përcaktime të identitetit politik të Kosovës, të riaktualizuar në këtë kremte.

Një, në mendjen kolektive kosovare luftërat për Shqipërinë filluan në Kosovë, por përfunduan me formimin e shtetit të Shqipërisë pa Kosovën në të, që do të thotë një përfundim i pasuksesshëm (apo jo krejtësisht i suksesshëm i luftërave) gjë që e bën edhe këtë një kremte të pasuksesit.

Dy, më shumë se në momentin e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, kosovarët munguan në 100 vjetët e ardhshëm, gjegjësisht ndien mungesën e ombrellës së shtetit shqiptar, pra edhe kjo mund të quhet si kremte e të munguarve.

Dhe tre, arritja e Isë Boletinit me vonesë në Vlorë shndërrohet në metaforë vonese historike të kosovarëve, ngase shtetësia e munguar për njëqind vjet u zëvendësua më vonë me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Kështu , kjo shndërrohet në një kremte vonese, e vonesa tipar i zhvillimit të kombit.

3.

Vonesa nuk mund t’i atribuohet vetëm pjesës kosovare të kombit shqiptar. Vetë akti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë erdhi kur tashmë të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit e kishin bërë këtë gjë, kishin ndërtuar shtetet e tyre dhe tashmë kishin filluar me gllabërimin e tokave të të tjerëve, në radhë të parë të shqiptarëve. Kremtimi i njëqindvjetorit, kështu, shndërrohet në kremtim të vonesës historike, madje të asaj të shndërruar në pjesë të identitetit kombëtar.

Dhe vonesa historike, ajo e shpalljes së Pavarësisë, erdhi si produkt i një zhvillimi interesant, të shpenzuarit e të gjitha opsioneve të tjera historike. Vetëm kur prijësit shqiptarë panë se nuk do të ketë hair prej kërkesave për autonomi brenda Perandorisë Otomane, morën vendimin independentist. Kështu , shpallja e Pavarësisë erdhi jo si planifikim i ardhmërisë , por si shpenzim i së kaluarës.

Mungesa e planifikimit ka mundur ta shpallte Shqipërinë kudo, për shembull në Shkupin të cilin e çliruan kryengritësit shqiptarë. Rastësia e deshi që të shpallej në Vlorë. Kështu, Shqipëria është e sendërtuar me rastësi , me aksidentalitet historik më shumë se me projekt historik.

E ky aksidentalitet ishte evident me rrezikimin e territorialitetit shqiptar që qe sulmuar prej shteteve të reja kombëtare , të popujve fqinj.

Shteti u shpall, pra, vetëm kur kombi ishte gati të humbiste si i tillë, erdhi si nocion ekzistencial.

4.

Aksidentaliteti historik solli edhe një dimension tjetër që do të shndërrohet në tipar kombëtar.

Ideja bazike për ndërtimin e shtetit shqiptar ishte evropiane, pra një ide që popujt e tjerë evropianë e kishin konsumuar apo duke e konsumuar me sukses në treqind vjetët e kaluar. Shqiptarët, të vonuar me procesin e tyre, arritën të definonin edhe këtë shtet të cunguar vetëm me ndërhyrjen amerikane. Lindja e Shqipërisë e përputhur me hyrjen e superfuqisë amerikane në Evropë , me rolin e presidentit Wilson në tryezën e fitimtarëve, siguroi shtetësinë shqiptare.

Në fund të shekullit XX dhe në fillim të atij XXI, ndërhyrja amerikane mbrojti një pjesë të madhe të kombit shqiptar, duke ua siguruar ekzistencën e qytetarëve të Kosovës e pastaj edhe pavarësinë e shtetit.

E kremtja mund të konsiderohet kështu edhe pjesë e një lidhjeje krejt të veçantë, gati Kanunore, që kanë shqiptarët (njëanshëm) me SHBA-në.

Në fakt , është e kremte e lëvizjes (së vonuar e tejet të ngathtë) të historisë së shqiptarëve drejt Perëndimit. Në njëqind vjetët e shkuar Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë më shumë pjesë e Lindjes sesa e Perëndimit (me despotizmin e Zogut, me komunizmin andej e këndej kufirit shqiptar, madje duke shkuar aq larg sa të kërkohet lidhje me Kinën e Mao Ce Dunit).

5.

Përcaktimi kanunor proamerikan është i pazëvendësueshëm, por është gjithashtu i pamjaftueshëm. Shtetësia shqiptare është projekt integrues brenda trupit evropian, dhe kjo shtetësi në njëqind vjetët e veta të ekzistimit nuk ka arritur të fitonte certifikatën e nevojshme, atë të shtetit anëtar në BE. Për më tepër, shqiptarët në Evropë kanë arritur të shënojnë dy veçori që nuk janë për të lëvduar. Janë i vetmi popull evropian në perëndim të Bosforit (në Shqipëri, Kosovë dhe pjesë shqiptare të Maqedonisë ) që në mënyrë konsekuente refuzon të organizojë zgjedhje të lira e demokratike , të pakontestueshme dhe të pranueshme nga aspekti i kritereve evropiane. Janë po ashtu i vetmi popull majtas nga Bosfori që shënon afërsi me Bashkimin Evropian vetëm atëherë kur pjesëtarët e tij gjenden në minoritet. Sot shqiptarët më evropianë janë ata që emigruan dhe jetojnë në vendet e BE-së. Ndërsa, për sa u përket territoreve autoktone, më afër BE-së janë shqiptarët e Malit të Zi e të Serbisë , ku janë në pakicë, sesa në Shqipëri e Kosovë, ku janë në shumicë.

Njëqindvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë , të idesë bazike të rilindësve për vendosjen e kombit jashtë dominimit aziatik otoman dhe brenda trungut të kulturës evropiane, e gjen ende shtetin në përcaktim të paverifikueshëm.

Për më tepër, e me ironinë e kohës, Shqipëria filloi pavarësimin kur pesha specifike e historisë zhvillohej në Perëndim e njëqind vjet më vonë e gjen Shqipërinë të pangulitur në Perëndim, ndërsa pesha specifike e historisë bartet për në Lindje, në një ekuilibër të ri mes SHBA-së dhe Kinës, si dy superfuqi ekonomike.

6.

17shkurt

Shqipëria e këtillë i vendosi shqiptarët në Ballkan në një pozitë, dhe pothuajse profesion kolektiv, unikal. Përgjatë njëqind vjetëve të kaluar, me të kuptuar se Shqipëria do të përfshijë në të vetëm ata shqiptarë që u gjetën në kufijtë e përcaktuar nga historia e fundit e luftërave ballkanike, shqiptarët e përjashtuar nga ky projekt u detyruan të inicionin projektet e veta shtetndërtuese.

Kosova do të zgjohej nga fundi i luftërave botërore për të parë se ende ka kufi mes vetes dhe Shqipërisë e për të kuptuar më 1945, me brutalitet, se duhet të fillojë procesin e vet të shtetndërtimit, që do të formulohet fillimisht si autonomi, pastaj Republikë, pastaj shtet i pavarur.

Tutje, një vendim i këtillë shkaktoi projekte të tjera shtetndërtimi te shqiptarët e tjerë autoktonë (Maqedoni, Mal të Zi, Serbi). Shqipëria, kështu , në njëqind vjet u dëshmua si pamjaftueshmëri për shqiptarët e Ballkanit dhe kërkuese e energjive plotësuese për shtetndërtim bazik, që popujt e tjerë nuk kishin nevojë të shpenzonin.

7.

Nëpër pano publike , reklama gazete e TV, madje edhe në dyer shtëpish dhe vitrina dyqanesh në Kosovë gjendet qartë e shkruar porosia e urimit: “100 vjet pavarësi”.

Do të dukej e jashtëzakonshme, në rrethana të tjera, që një shtet i sapopavarësuar, me as 5 vjet stazh independence të festojë me të madhe njëqindvjetorin e shtetit fqinj, madje në atë mënyrë që të kuptohet se bëhet fjalë për veten.

Megjithatë, në këtë rast, bëhet fjalë për një konflikt mes mendjes dhe shpirtit. Për shqiptarët e Kosovës, pavarësia e Shqipërisë është përcaktim emocional, pavarësia e Kosovës përcaktim racional.

Në njëqindvjetorin e Shqipërisë është duke fituar instinkti bazik etnik. Në njëqindvjetor, dhe mbase jo vetëm në këtë datë , zhvillohet gara mes peshës hipersimbolike të flamurit të Skënderbeut e Ismail Qemalit dhe zbehtësisë së flamurit të Kosovës, sinonim i kritereve tejet të ulëta estetike (dhe jo vetëm estetike) të elitës së tanishme udhëheqëse politike të Kosovës.

Por flamuri shqiptar , i cili ka valuar në dasma e ditë festive në Kosovën e kohës së Jugosllavisë ka mbetur shenjë e rezistencës. Në kohën e Jugosllavisë ka valuar si shenjë kolektive e rezistencës për të ruajtur e zhvilluar identitetin e veçantë shqiptar. E njëjta gjë bëhet edhe sot; flamujt shqiptarë gjithandej Kosovës janë shenjë e identitetit të veçantë dhe e një porosie: shteti i këtillë i Kosovës është i pamjaftueshëm.

8.

Kosova është shtet i papërfunduar, dhe përderisa të jetë i tillë, do të jetë e papërfunduar edhe arkitektura politike shqiptare. Kjo arkitekturë nënkupton cilësinë e komunikimit të lirë të shqiptarëve në Ballkan, duke respektuar tërësinë tokësore të shteteve ku jetojnë shqiptarët autoktonë. Njëkohësisht, kjo arkitekturë nënkupton funksionalitetin e plotë të shteteve, karakteristikë kjo që nuk e përcjell Kosovën.

Funksionaliteti i Kosovës, pos nga zaptimi jodemokratik i shtetit nga strukturat paralele politike shqiptare, pengohet edhe nga zaptimi territorial nga strukturat paralele serbe, si pjesë e konfliktit të papërfunduar me Serbinë.

Kosova, në formën më të vrazhdë reflekton edhe problemin themelor të Shqipërisë. Në njëqindvjetorin e saj, qytetarët e Shqipërisë mund të festojnë pavarësinë e shtetit, lexuar nga e drejta ndërkombëtare. Por nuk mund të festojnë pavarësinë e institucioneve të shtetit, të cilat në masë të madhe janë nën kontrollin e korrupsionit politik, dhe jo vetëm të tij.

Shqipëria dhe Kosova demonstrojnë së bashku se fjala pavarësi nuk është e mjaftueshme vetvetiu, se asaj i nevojitet edhe përshkrimi “efikas”, edhe ai “demokratik”.

9.

A ka një rrugë të shkurtër, e cila përnjëherë do të na i zgjidhte problemet? Një bashkim i shpejtë, për shembull, i cili përnjëherë do ta bënte Shqipërinë me Kosovën e integruar në të efikase, demokratike, funksionale? Do ta bënte si në këngën e “xhamadanit vija-vija”, të madhe? Pra, rrjedhimisht, të mirë, për dallim prej kësaj që është sot?

Druaj se dhiare të këtilla nuk ka, në skenë sot nuk është asnjë Shqipëri që ka kapacitet ekonomik e administrativ që ta absorbojë Kosovën (apo pjesën më të madhe të saj) e as Kosova një kapacitet korrespondues. Madje edhe duke e harruar për një moment Maqedoninë shqiptare.

Për më tepër, të kërkuarit e tyre shërbejnë për të zhvendosur vëmendjen prej problemeve dominuese reale dhe zgjidhjes së tyre. E problemi dominues i shoqërive shqiptare sot është i një natyre të dyfishtë. Fillimisht, ka të bëjë me zaptimin e shtetit nga forca politike-ekonomike pa legjitimitet demokratik. Pastaj ka të bëjë me mungesën e legjitimitetit dhe kapacitetit të këtyre forcave për të hapur komunikimin e lirë mes shqiptarëve.

Elitat politike të sotme në Shqipëri dhe Kosovë, si ikje nga temat e debatit, kanë gjetur parullën “Do të bashkohemi në Bashkimin Evropian”, por me veprimet e tyre antievropiane do ta kenë vështirë t’i çojnë në BE vendet e tyre brenda dhjetëvjetëshit të ardhshëm. Në vend të ftesës për në BE, ndoshta mund ta marrin ftesën për kremtimin e ardhshëm të 100-vjetorit, atij të Turqisë së Ataturkut, e cila më 2023 mund të jetë në gjendje të krenohet jo vetëm me statusin e një prej 20 ekonomive më të mëdha botërore, por edhe me institucione demokratike që e përkrahin atë.

Me ironinë e historisë, mund të ndodhë që të jenë më afër Evropës, në funksionimin e brendshëm shtetëror, ata prej të cilëve u shkëputëm për ta bërë ne Shqipërinë evropiane.

10.

Atëherë , përse e tërë kjo festë e pamjaftueshmërisë?

Sepse nuk bën të harrojmë anën tjetër, atë të një rruge fatale që kishte marrë kombi dhe që, po t’i besohet determinizmit historik, do ta shpinte në zhdukje, qoftë me asimilim, dëbim kolektiv apo “kurdizim”.

Njëqind vjet më herët u ndal një tatëpjetë që mund ta shndërronte shqiptarizmin në një këngë të gjatë dimri që vajton fatin kolektiv, një fat që mbahet gjallë vetëm me atë dhe këngë të tjera- shteti i shpallur në Vlorë e nxori kombin nga të banuarit e amshueshëm e të kufizuar në folklor, një përshkrim i së kaluarës.

Për shqiptarët që mbetën jashtë, shteti i shpallur para njëqind vjetësh u bë mostër, aspiratë se dikur dhe diku do të mësohet shqip, do të administrohet shqip, do të gëzohet e pikëllohet në këtë gjuhë pa frikë persekutimi. Një aspiratë që mbajti një komb përgjatë një shekulli me shpresën se do të bëhet më mirë. Një aspiratë lirie, drejtësie e mirëqenie, e cila ndonëse me tipare të tjera, hyn në shekullin e vet të dytë.