Hoxhë Dudi dhe prift “Shkaba”
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Cirku i konvertimit dhe i islamizimit: Kosova është e mbërthyer me shumë probleme politike, ekonomike, kulturore dhe të mbijetesës. Kësaj, kohëve të fundit i është shtuar edhe një përpjekje për të shkaktuar përçarje dhe ndasi në baza fetare e që nuk është bërë as në kohën e diktaturave më të egra. Një e drejtë e njeriut dhe shpirtërore që nuk duhet dhe nuk mund t’i mohohet askujt, po bëhet favorizuese për një besim (të krishterë) dhe rënduese për një besim tjetër (islam).
Tash, këto dy besime po politizohen duke dëmtuar rëndë raportet midis njerëzve, midis besimtarëve dhe duke kthyer prapa shumë procese. Mbi qafën e besimtarit islam po rëndon shpata e islamit politik, shprehje kjo e përdorur dhe keqpërdorur nga të dyja palët: nga “apologjetët” e krishterizmit dhe kthimit te rrënjët, ashtu edhe nga predikuesit islamë që mësimet i kanë në kundërshtim me misionin e besimit islam. Kështu, një hoxhë që po folka shqip, Muhedin Dudiq nga Sanxhaku paska thënë që nuk jemi shqiptarë dhe se shqiptarët e Luginës duhet të islamizohen që ka qenë qëllim i të gjithë ideologëve shovinistë serbë dhe komitave maqedonas për çkombëtarizim të shqiptarëve.
Ky farë hoxhe është bashkëpunëtor i Vuçiqit dhe Vulinit që fenë dhe besimin e keqpërdorë duke përkrahur dhe promovuar politikën e Serbisë ndaj shqiptarëve. BIK-u është dashur dhe duhet të distancohet menjëherë dhe vendosmërisht ndaj këtij hoxhe që ende është nën dud të Serbisë sikur edhe ndaj disa hoxhallarëve në Kosovë që i kanë bërë dëm të madh besimtarëve islamë. Apo, një mendermethënë hoxhë në Maqedoni të Veriut që haptazi e predikon incestin (gjakprishjen brenda familjarëve të afërt), në emër të fesë, që nuk është, as normale e as ne moralin e besimit islam.
“Patriotizmi” i të konvertuarve dhe tradhtia islame: Në Kosovë janë disa lëvizje dhe grupacione që në kundërshtim me ligjet ekzistuese dhe normat morale, në mënyrë të organizuar bëjnë thirrje dhe angazhohen për braktisje të islamit dhe kthim te rrënjët e besimit të parë, sipas tyre në krishterizëm ndonëse krishterizmi as nuk është besimi i parë i shqiptarëve dhe as nuk identifikohet me përkatësi kombëtare.
Kjo vlen edhe për besimin islam, pa përjashtim. Konvertimi po përpiqet të ambalazhohet si vlerë civilizuese, vetëdije, ndërgjegje dhe njëjtësim kombëtar e që është mashtrim ordiner. Konvertimi është shndërruar në Reality Show e që bëhet në prani të mediave, në kohë të caktuar, në vende të caktuara dhe me qëllim të caktuar e që nuk ka të bëjë asgjë, as me fenë, as me besimin e së paku me kombin.
Nuk ka të bëjë asgjë me njerëzoren deri sa përdoret gjuha e urrejtjes dhe e përjashtimit. Pse ka nevojë që gjatë konvertimit të keqpërdoret flamuri kombëtar apo plisi kur kemi të bëjmë me një akt fetar, shpirtëror, një veprim individual e jo me një veprim politik a patriotik?! Pse një i konvertuar nga besimi islam në atë katolik, me këtë konvertim bëhet njeri më i mirë, shqiptar më i mirë dhe patriot më i mirë.
Përralla dhe manipulime, asgjë tjetër. Brendia e një personi apo personaliteti, i ndërtuar me dekada të tëra nuk ndryshon me kalimin nga një besim në tjetrin, përkundrazi. Të gjithë ne, së paku në vendet ku jetojmë i njohim bartësit e këtyre lëvizjeve apo edhe ata që janë konvertuar, në mesin e tyre ka idealistë të çështjes kombëtare, ish të burgosur politikë, njerëz të mirë por, ka edhe të tillë që edhe nëse konvertohen në të gjitha besimet e mundshme, në të njëjtën ditë, kurrë nuk do të lirohen nga matrapazllëqet dhe poshtërsitë që i kanë bërë dhe po i bëjnë, pavarësisht a e bartin kryqin, gjysmëhënën apo yllin e Davidit.
A na lejohet thjesht të jemi vetja: Duhet të jeni manipulant, njeri i lig, përfitues që besimin ta vendosni mbi kombin, që kombin ta vendosni mbi dhe para njeriut. Manipuluesit që po i fryjnë ndasive në bazë të besimit dhe fesë nuk janë njerëz të mirë dhe aspak besimtarë. Deri dje ishin ateistë, e drejtë që nuk mund t’iu mohohet në asnjë mënyrë, si u bë që u shndërruan në partizanë të konvertimit në të krishterë?! Nuk e kapë logjika. Përveç interesit.
Dhe, për fund; a na lejohet të jemi shqiptarë të mirë dhe të na lejohet të besojmë sipas vullnetit tonë, pa imponime dhe kushtëzime. Kush të dojë le të besojë për atë që e ndjen, shpirtërisht.
Mos manipuloni si me rastin e Ibrahim Rugovës, në përmendoret publike cilësohet si president historik i Kosovës dhe shqiptarëve, në përmendoren para Katedrales së Prishtinës, këto atribute zëvendësohen me atribute krejtësisht fetare, Ibrahim Rugova, Misionar i Paqes.