ARKATANA

Një vepër poetike që “rrëfen” intimën e jetës së përditshme

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në sallën e vogël të Teatrit të Gjilanit, sot u bë përurimi i librit të autores gjilanase, Sadete Tërnava – Osmani “Ditët s’janë Një”. Ishte një përurim i “këndshëm”, i cili tuboi mjaft krijues, gazetarë e adhurues të librit. Është kjo vepër poetike, e cila në vete ngërthen intimën e jetës së përditshme.

Kështu tha në fillim të hapjes së këtij përurim të librit, Sabit Rrustemi, editor i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, ku, sipas tij, poetes në fjalë i është bërë një “suprizë” në botimin e veprës në fjalë. Pra, sipas fjalëve të tij, vepra “Ditët s’janë Një” është botuar me një përgatitje solide dhe ka një kualitet mjaft cilësor në aspektin artistik e estetik.

Sabit Rrustemi tha edhe këtë se, kjo poete gjilanase, për lexuesin e gjerë nuk është e panjohur, sepse, ajo me krijime letrare ka filluar të merret qysh herët. “Pra, rruga e saj e poezisë nis diku në vitet 1981, kur unë isha në burgun e Gjilanit, që këtë poezi, që e posedon vepra në fjalë “Gëzuar”, e pata lexuar brenda sa isha i burgosur në revistën “Fjala”, ku në atë numër e kisha të botuar edhe unë një poezi me pseudonimin Kur Rexha, që redaktori e kishte lëshuar për botim. Ai, redaktori më njihte, por me këtë peseudonim sikur e hiqte barrën botimit të poezisë sime. Sepse, atë kohë unë e kisha të ndaluar veprimtarinë shkrimore të botimit të veprave të mia letrare”.

Pas S. Rrustemit, krijues, disa vargje të veprës në fjalë i lexoi poetja më e re gjilanase, Qëndresë Shala. Ajo lexoi vargjet e poezisë “Gëzuar” dhe shtoi: “Gëzoje ditën e sotme/ me mua/ vargun e djeshëm ruaje/ për të/ mbille agun e nesërm/ për ne/ mos rri pa gëzuar asnjë ditë/.

Ndërsa Nexhat Rexha, krijues, tha se “Nëpër këto fillime të pambarim vijnë vargjet e Sadete Tërnava – Osmani në vëllimin e parë “Ditët s’janë Një”, ku ajo krijon poezinë duke bashkëjetuar, edhe ankthin, edhe dashurinë, edhe jetën…”. Ai, duke folur për ndërlidhjen për këto tubëza poetike, tha se “…kësaj tubëze poetike, artin sa funksional, sa afrues, sa konvencional. Këtë refleksion e përjetim e gjejmë në poezinë e Sadetes. Tërësia e këtij vëllim ngërthen në vete imazhet e një gërsheti, që do shprishje e njohje, të ditëve që nuk gjasojnë njëra me tjetrën, por që secila ka intimën e saj, në ngritje, e në mundime të asaj që prekë, në dashurinë e kërkuar”.

Po kështu, Arsim Halili krijues tha se, “vargu i Sadete Tërnavës – Osmani nuk vjen si klithje nëpër vragë të kohës. Atë e dimensionon në përmasa të një piramide shpirti. Dizajnimi, si shtoi ai, -inter-teksktual del figurshëm në bredhjet e saj nëpër stinët e peisazheve poetike. Pra, Sadete Osmani, shpërfaq ndjenjën, guximin, sforcon drejtpeshimin në pentagramin e shpirtit të saj poetik, për nga fuqia e ritmit estetik të vargut.

FIDANISHTJA

Ai më tutje shtoi se, kjo poete gjilanase po i sjellë lexuesit një vepër të “të rrallë” poetike, që thjeshtë “i jep poezisë fuqi arti e përjetimi artistik, sepse si e tillë nuk e duron dhembjen, nuk e duron as vetminë edhe kur variacionet e jetës nuk janë komplementare me atë çfakërkojmë nga ajo. Ajo vjen, si shtoi A. Halili, -në sheshin e fjalës me një energji prej nëne që di të falë dashuri, prej gruaje që s’di të dorëzohet, duke zbërthyer e kthyer mospajtimin në pozitivizëm”.

Në fund tha se, poetja Sadete T. Osmani “vargun e ngulit thellë në pritje të lexuesit”. Në përmbyllje të këtij përurimi, S. Rrustemi tha se, Sadejta nuk është ajo e ditëve të sotit, por ajo ka filluar të shkruajë kaherë nëpër shtypin e kohës.

Ajo ka botuar në gazetën “Rilindja për fëmijë”, mandej në “Bota e re”, “Fjala” e gazeta të tjera. Pra rruga e saj poetike është e gjatë, por kësaj here ajo doli me këtë përmbledhje të parë, e cila, së shpejti autorja do t’i përfshijë edhe krijimet tjera të pabotuara dhe do të del me veprën e dytë poetike.

Në fund të kësaj “feste” të librit, autorja e librit Sadete Tërnava – Osmani tha se, nuk po dua të flas për librin, edhe pse poezitë e kësaj vepre janë tubuar pa i hetuar unë se do të krijohet vepra në fjalë, kjo që sot e pa dritën e botimit. Por, më gëzoi fakti tjetër se vepra ime ishte dalë nga botimi ashtu e përkryer në të gjitha format e saja letrare e estetike.

Kjo është një rastësi dhe një befasi e rrallë për mua dhe familjen time. Sidoqoftë, falënderoj krijuesit, artdashësit të tjerë që kanë ndarë pak kohë të jenë në këtë përurim të librit tim, i cili manifestim i përngjan një “feste” të këndshme arti, e cila po më jep shtytje për të krijuar edhe vepra të tjera poetike”, tha. Sadete T. Osmani./Tefik Selimi/rajonipress/