Një vepër me frymëzime të bukura poetike …

Gjilan – Xhelil Arifi është autori i veprës poetike “Ma kujto diellin”, e cila vepër ngërthen në vete një dashuri të autorit jo vetëm ndaj artit letrar, që është pasion dhe “uni” i tij, por kjo vepër poetike “lind” si produkt artistik përkushtues ndaj të rënëve për lirinë e vendit.
Pra, autori, ndonëse është me profesion gazetar, ku disa vite ka punuar në të përditshmen shqiptare “Fakti”, që është botuar në Maqedoni, ai këtë profesion e ka ushtruar edhe në mediumet tjera shqiptare këtu në Kosovë.
Xhelil Arifi është i lindur, më 1968. Jeton në Gjilan. Është lexues i pasionuar i librit. Libri dhe ai janë “shokë” të pandarë. Leximin e librave e ka hobi jete. Edhe vepra e tij poetike “Ma kujto diellin”, që është një “tufë” vjershash poetike, të cilat shpërthime artistike ia ka kushtuar dy të afërmve të tij: Skyfter Arifit, i cili është rënë dëshmor në luftën për liri të shqiptarëve në Maqedoni dhe Kastriot Arifit, i cili po ashtu bie dëshmor në luftën për liri të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nënë ombrellën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Dhe, jo vetëm kaq.
Xhelil Arifi, me veprën e tij në fjalë, sikur në vete e fsheh dëshirën e tij ndaj së ardhmes për të jetuar i lirë. Sikur këto vargje na përkujtojnë autorin e “diellit alegorik”, Migjenin. Këto vargje të krijuesit në fjalë janë një lloj “kënge”, ku shfaqet dëshira dhe shpresa për të jetuar e ekzistuar të lirë. Ai e shfaq këtë etje arti me intuitën e tij duke aluduar në të ardhmen e pritur e të ndritur, sepse, “ky diell, tek shqiptarët ka munguar me shekuj.
Pra, titulli i veprës të lënë të mendosh se autori dëshiron ta kujton diellin (lirinë), e cila, gjerë në këtë kohë, ajo ishte e cunguar dhe e nëpërkëmbur nga të tjerët për popullin shqiptar. Andaj, që nga poezia e parë e veprës “Definimi”, autori mediton dhe shton: “Shekujt/ që kaluan/ nuk binden. Drejtësia s’definohet/ “Mos defino/ loja luhet ndryshe”/ ose “E drejtë është ajo/ që të pëlqen”/. f. 7). Në shumë poezi të këtij autori vërehet kontrasti ose krahasimi i gjësendeve ose i qasjeve poetike.
Kjo “dukuri” është mjaft prezente në poezinë Xhelil Arifi, i cili, në një mënyrë a tjetër, poezinë e tij nuk e largon e as e “ndrydh” , përkundrazi, ate e shpreh lirshëm, qasje kjo ku i jep hapësirë më të gjerë dhe më ndryshe të të shprehurit poetik. Pra, fjalori i autorit të veprës është i kursyer dhe, sikur këto poezi na dalin të shkurtra dhe i afrohen sentencave tona. Ja psh. “Lufta jote/ nuk më brengos mua/ Unë i kam betejat e mia/ po i fitova/ ti do të humbësh luftën”. Kjo të lë të mendosh se, secili njeri e ka jetën përpara, sepse, vetë jeta është një luftë për ekzistencë, e cila jetë është e vetës së parë, e jo e vetës së dytë (e tij).
Bie fjala, të poezia “Do të ishim e s’jemi”, autori shton: “Unë jam unë, e ti s’je unë!” (f. 10). Këtu aludohet të njeriu se është e s’është , që ka “prekje” te mendimi nihilist niçean “pse të jetohet” athua: pse?! Pra, secili njeri e ka vetën e tij. Nuk ka njeri që është hijezim i tjetrit. Pra, përngjasimi është i rrallë tek njerëzit. Kjo e ka shtyrë autorin të mendojë se, njeriu është një vetë – në vete, por tjetri (veta e dytë: ti) s’je unë. Kjo qasje poetike buron nga ëndrrat e njeriut, të cilat, si shton poeti Xh. Arifi “Dy ëndrra që lakmojnë realitetin”. Apo “atëherë jemi dy, e s’jemi as një!”.
Në veprën “Ma kujto diellin” dallohen disa nga poezitë e kësaj vepre, të cilat janë jo vetëm shprehje të denja poetike, por janë edhe “doza” apo “grimca” meditative të autorit. Janë për ti cekur disa nga poezitë që dallohen, si janë: “Ëndërr e bukur”, “Ëndërr që më mashtron”, “Falsfikat”, “Humbja e lirisë”, “Imazh i fantazisë sime”, “Zgjohu”, Dëshpërimi”, “Do të vijmë pas”, “E kaluar”,”Ëndrrat”, “Frymëmarrje”, “Heroina ime”, “Kështu është”,”Ma kujto diellin”, “Me ty pa ty”, “Mos vajto”, “Ndjenjë që mungon”, “Njeriu nuk është mrekulli”, “Platonike Aristotelike”,” Portret”,”Shfaqje që më përsëritet”, “Shpirti në shkretirë”, “Të më bëhet sikur jam”, “Tragjedi për të qeshur” etj. Sipas titujve të poezive, njeriu ose lexuesi e kupton se ka para vetës një vepër poetike me disa poezi që rrallë i gjen te krijuesit tjerë.
Dihet se, s’ka njeri që në jetë t’mos jetë ndonjëherë i dëshpëruar. Por, ky dëshpërim i autorit të veprës është i dalë nga fantazia, e cila i “sjellë” autorit gjendjen jo “normale” dhe e dëshpëron, jo aq në jetën e tij, sa i bëhet ‘trazirë” shpërthimesh nga brenda poetike. Autori në një poezi që flet për dëshpërimin, shton: “Tani më kanë mbetur/ xixat njëshifrore shprese të venitura/ që mezi ndriçojnë durimin”f.20). Apo, autori “këndon” kështu në këtë lloj dëshpërimi: “Dikush ma kërkon vdekjen/ Nuk do t’ia jap/ Përderisa/ Nuk ma thyen kodin/ Kodin e shpresës”. Nga kjo nisje poetike, që ka bukurinë e saj, poeti përsëri vargut ia thotë: “U mundova të ta kuptoj dëshirën e fundit/ që të vdisje edhe pse të jetohej”(f.21). Kur e lexon poezinë e kësaj vepre artistike, aty-këtu gjen edhe mendime që dalin nga bota e të rinjve, ajo është botë e ëndërrimeve djaloshare, e cila, të rinjve, u sjellë rrëfime të shumta për të kaluarën e për të ardhmen. Ja si shton poeti: “Ti, edhe ashtu do të jesh temë e rrëfimit/ për të kaluarën/ që s’bëhet histori”. Kështu janë “ëndrrat e jetës rinore, të cilat janë edhe brenga jete, por janë edhe ëndërrime të bukura jete. S’ka njeri pa ëndërrime. Ato janë shpresat e jetës, shpresa e shpirtit rrëfimtar poetik. Shtuam se figura më e përsëritur është krahasimi ose kontrasti. Ja si shton autori te poezia e shkurtër gjashtëvargëshe “Ëndrrat”, ku shton: “Asgjë nuk ndodhi/ Unë ëndërroja ëndrrën time/ Teksa ti më tregoje tënden”.
Është kjo një qasje poetike fort e qëlluar dhe e shprehur bukur. Këtu është fjala e artisti krijues. Fjala e poetit është plot art poetik. Xhelil Arifi, ndonëse i ri, ai e ka tejkaluar fazën e “këndimit” poetik, sepse, vargjet e tij janë kursyer nga frazat e gjata dhe janë shprehje të qarta pa ngarkime patetike. Vërtet, gjuha e poetit të kësaj vepre është e rëndomtë, jona. Poeti, aty-këtu, e shfrytëzon thesarin e mendimit popullor dhe ajo thënie i bëhet varg, që tingëllon bukur e zë vend. Autori i veprës ia kushton një poezi heroinës, së cilën e do, e çmon dhe e adhuron si qenie njerëzore.
Poeti në vargje, shton: “Dëshiroj e nuk të të prek/ Vetëm të të ëndërroj/ mundem/ Heroina e ëndrrave të mia”(f.27). Poezia që titullohet dhe vepra në fjalë “Më kujto diellin”, sikur autori donë të lirohet e të shprehet për dashurinë që ka ndaj atyre që i adhuron. Ja si shton: “Jam mbushur dhe po vjell nostalgji/ Bëhu edhe një herë/ Puhi pranverore/ dhe ma kujto diellin”! (f. 30). Është kjo një shpërthim poetik, i cili të lë mendosh se njeriu, prej krejt asaj që iku e që la vuajtje, skamje, mundime, rënkime, ankime, torturime e përballje jo të mira, më në fund, kjo “gjendje” vjell nostalgji, e cila do të duhej të shndërrohet në puhi paranverore për të përkujtuar diellin se si vie për të gjithë njerëzit.
Kjo është ajo fuqia poetike, për të mos thënë edhe magjike apo fantazi e lirë e lirizmit poetik. Ja si është fjalori poetik i autorit: urën e rrënuar, s’bashkonte brigje, i vetmuar, thellësia e shpirtit tim, vazo e mbushur me lot, instinktin epshor, zjarr zemre, libri i përrallave, lojën dashuriçkë, apo pse nuk vdes, pse ekzistoj, kur nuk i mungoj askujt, karvan ëndrrash, ndjenjat naive etj. Por, kjo poezi e ka cakun e qasjes, kur poeti shton: “Të gjitha sikur t’i dija, që më pastaj, të më bëhet sikur jam shend e verë. Pra, edhe poeti pajtohet se, sikur të gjitha “sendet” ti dije, jeta do të ishte më ndryshe se kjo që po e jetojmë./Tefik Selimi./rajonipress/