UBT

Një vepër margaritarësh me vlerë të paçmueshme

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Hasan Bunjaku – Mbresë rreth librit “Thesare të Paharruara” të Haki Bunjakut, botuar nga Shtëpia Botuese BEQIR MUSLIU, prill 2014.

Haki N. Bunjaku, si njëri nga shkollarët e brezit të dytë të pjesës më lindore të kufinjëve të tashëm të rrudhur të vendit tonë, Desivojcës, fshat ky kodrinor-malor, që, diku kah vitet e 60-ta, kishte më shumë të shkolluar se ndonjë fshat anamoravas shumë më i madh e me kushte gjeografike shumë më të volitshme për arsimim – tashmë, nuk është i panjohur për proveniencën arsimore-kulturore, e besa edhe politike…

Ndonëse katrahurat e jetës dhe stuhitë e pareshtura që vinin nga “Veriu i acartë”, i qëndruan në thembra, që kur, me njëqind andralla, e kreu ciklin e lartë të fillores, e veçmas gjatë shkollimit të mesëm, e më vonë dhe gjatë punës me nxënës, e të cilat e detyruan, që nga profesori, të bëhej “gastarbajter”, për të bërë në mërgim punë fare të padenja për një intelektual e atdhetar të një kalibri tillë – Hakiun asnjëherë nuk e përkulën këto uragane, dhe asnjëherë nuk zu në thua, asnjëherë nuk u rrëzua, por qëndroi stoikisht në këmbë e jetën e kaloi vertikalisht.

Edhe pse, përbrenda shpirtit të tij, që heret, rrinte galuc një ind krijues, një inspirim prej letrari, ai me veprën e parë me poezi , “Ndrydhje malli”, lexuesve iu prezentua më 2012, në botim të SHB “Faik Konica”, dhe me librin me anekdota “Mëlmesë për bisedë”, të cilat u pritën shumë mirë nga dashamirësit e këtyre dy zhanreve të krijimtarisë autoriale, e me ndihmesë të madhe nga krijimtaria jonë burimore. Hakiu, tashmë, që ishte “shleisë”, në FCB, jo rrallë paraqitej e paraqitet edhe me poezi, e edhe me anekdota e rrëfime të shkurta popullore, duke na paralajmëruar se po përgatiste edhe një vepër me këto krijime nga thesari ynë shekullor.

Dhe, vërtetë, këto ditë, na habiti fare me një vëllim tashmë voluminoz prej mëse 22 tabakësh shtypi me anekdota e tregime spirituoze popullore – “Thesare të Paharruara” (nga miniera e folklorit). Dhe, të befason puna përkushtuese e autorit, i cili, mbase për një jetë mesatare njeriu, ia ka dalë t’i tubojë jo më pak se 328 margaritarë me vlerë të paçmueshme. Vetë atributi “… të Paharruara”, më vete përmban një binom të pakontestueshëm, e të gjetur me invencion: vlera që nuk harrohen kurrë për shkak të peshës që mbartin, por edhe: perla që janë mbajtur në mbamendjen e autorit, ndryshe shumica syresh, me kohë do të shlyheshin si të tilla. Duke jetuar për një kohë të gjatë (ndonëse me ndërprerje e intermexo bukur të shpeshta) në ato vise kodrinore malore, Haki Bunjaku ia del t’i shënojë saktë edhe “akterët” , personazhet e rrëfenjëzave të tija, madje duke i ilustruar ato në të shumtën e rasteve, edhe me data të sakta të kohëndodhjeve.

Duke iu përmbajtur metodologjisë tashmë të trasuar të të shkruarit e këtyre “copëzave” të arta të minierës së pashtershme të folklorit tonë; duke i ikur përsëritjeve e motërzimeve të mundshme; duke iu shmangur, në të shumtën e rasteve gjuhës vulgare (me të cilën lidhen thuaja mbi 80 % e këtij lloji të krijimtarisë gojore, edhe ndër ne shqiptarët), duke i “zbutur” me eufemizma, shprehjet e tilla, autori duke bërë një punë shumë të mbarë intelektuale; duke iu përmbajtur, në mënyrë korrekte, të folmes së personazheve, e në pjesën shpjeguese duke përdorë një gjuhë shumë të pranueshme, do të thoja, për të gjitha shtresat e recepientëve – autori na sjell vërtetë një material sa sasior, aq edhe cilësor.

FIDANISHTJA

Krahas të qeshurës së shfrenuar që sjellin (si anekdotat: “Oh, vraje zot, po kaq pak…” (19), “Uka e uki me ni bunar” (20); “Hajt Tomë Toma i nanës…” (114), “I kanë zanë birat…” (124), “S’kanë faj se kta tanët po i gërzhitin…” (308), e me dhjetëra e dhjetëra të tjera); alegorisë së hollë; sarkazmit fshikullues; ironisë therrëse, dhe origjinalitetit të materies, Hakiu bën një punë të mbarë edhe në mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij thesari të begatshëm të kulturës shpirtërore të kësaj pjese të Gollakut, sepse, mbase, është më së paku i eksploruar nga Instituti Albanologjik…

Dhe, po dijtën të rrëfehen si duhet, në kohën dhe vendin e duhur, këto anekdota e rrëfenja, vërtetë do ta jenë një “mëlmesë” e pazëvendësueshme për muhabet, në të kundërtën, mund të sjellin edhe “fesate”… Si ilustrim, po e sjellim një rrëfenjë të shkurtër: Ishin dy shokë, njëri nga të cilët ishte tregues virtuoz i anekdotave, ndërsa ky tjetri, haberin nuk ia kishte kësaj “pune”. “Pash Zotin, pse s’po m’i m’son edhe mu si shok qi m’kije do qesi “llokopendra” e të kallxoj edhe unë si ti!…” – iu drejtua ky i dyti shokut të vet. “Po nuk ka shumë problem: unë t’i kallxoj e t’i m’soj, po ti tybe n’jau dijsh vendin e kohën ku e kur duhet me i kallxue, e të shkojnë poshtë e veç gjinja t’idhnohen…

A po e sheh, masë pari ktyne t`i po ju thue “llokopendra” e janë, pra sene shumë të vyshme…” – ia kthei ky tjetri. ahallën tonë, si t’lenë f’mija, lenë me “betere”, nuk thuhet kot për Lagjën e Bunjakëve, por edhe për tërë Desivojcën e edhe atë Rekë të saj me fshatrat përreth… Secilës fjalë (fjali), ia lypin e ia gjejnë ndonjë “bisht”… Kjo dëshmon se popullata e kësaj treve është tejet spirituoze e përplot humor të mirë, andaj, anekdotat, si askund, lindin si kërpudhat pas shiut.

E vetmja mënyrë që të gjallojnë ato, është që të shënohen, sepse gjithkush nuk e ka mbamendjen kaq të kthjelltë si Haki Bunjaku, i cili, me “Thesare të Paharruara”, vërtetë na sjell një vepër me vlerë shumëdimensionale , si për vlerën e folklorit burimor të kësaj ane të trojeve tona etnike, ashtu edhe për audiencën e gjerë dashamirësish të humorit të mirë, veçmas në këto kohë kur shumicës së popullatës, i është bërë jeta “skëterrë”.

Andaj, autorit, i cili, besoj asnjë orë “nuk rri rehat”, i dëshirojmë vullnet të mirë, shëndet, dhe inspirim, që të na sjell edhe në të ardhmen poezi e vepra të kësaj natyre./rajonipress/