United Hospital

Një vepër dokumentare që flet për luftën e fundit në Kosovë…

/ 6 minuta lexim
United Hospital

Gjilan – Kjo vepër po e sheh dritën e botimit pas pesëmbëdhjetë vjetësh në liri. Është vepër e shkruar për kohën dhe rrethanat e luftës së fundit në Kosovë, 1999. Është shkruar për fatet e njerëzve dhe rrëfimet e tyre rrënqethëse, që kanë pësuar nga barbaria e egër serbe, e cila makineri ogurzez serbe deshi ta zhbëjë popullatën shqiptare nga faqja e dheut. Në këtë vepër dokumentare “Pragjet e përgjakura”, autori Tefik Selimi flet për kohën e rëndë pas 24 marsit e gjer në ditën e 9 qershorit të Marrëveshjes së Kumanovës, 1999. Siç dihet, pas 24 marsit (1999), popullata e disa fshatrave të komunës së Gjilanit e të Vitisë, kanë pësuar shumë keq në njerëz e dëme të tjera materiale.

Nga kjo datë fatkobe, erdhën në hyrje të fshatit Zhegër dhjetëra autobusë me paramilitarë serbë, të cilët, pa asnjë dëshmitar, vranë e masakruan me dhjetëra qytetarë të kësaj ane të Karadakut.

Siç dihet, në Zhegër vranë trembëdhjetë vetë. Në Llashticë vranë e masakruan afro 26 vetë. U vranë njerëzit e strehuar në mal prej të keqes. Por, i vranë edhe duke mbrojtur pragun e shtëpisë. Për t’i ikur më të keqës, popullata iku e u strehua në mal, ku bëri jetën nën qiellin e hapur. Por, kur u zunë nga paramilitarët serbë, u rrahën, u vranë madje edhe i ngujuan në një shtëpi gjer në shfarosje.

Kjo ngjau në fshatin Llashticë. Po kështu, edhe në Lladovë, fshat në komunën e Gjilanit, paramilitarët serbë vranë gjashtë të rinj, të cilët u gjetën përballë forcave të errëta serbe. Këtu janë vrarë nga afër vetëm se ishin shqiptarë. Nga afër është vrarë vëlla e motër, Hevzi e Ganimete Ajeti, të cilët, duke ikur për të shpëtuar jetën, ata vriten nga çetnikët serbë në ara kah Nasala. Kur filloi bombardimi i NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, paramilitarët serbë i kanë detyruar familjet shqiptare që t’i lëshojnë vatrat e tyre stërgjyshore.

Në këtë ikje të dhimbshme, popullata shqiptare është plaçkitur e maltretuar gjer në fund, duke ua marrë paratë, stolitë prej ari, deviza, e në mungesë të këtyre vlerave, jan vrarë e rrahur gjer në skajshmëri. Këtë kohë e ka pësuar rëndë edhe popullata e Zhitisë, Radivojcit, Devajës, Cërnicës, Petrocit, Malishevës, Nasalës, Budrigës shqiptare, Gjylekreshtës, Përlepnicës e fshatra të tjera të kësaj komune. Në Zhegoc, më 15 prill 1999, zhvillohet një betejë e rreptë në mes ushtrisë serbe e forcave të UÇK-së. Këtu vriten pesëmbëdhjetë vetë. Po me këtë datë, vrasje ka pasur edhe në Gjylekreshtë, ku një numër i banorëve është torturuar dhe plaçkitur dhe në fund paramilitart serb ua djegin shtëpinë me disa qytetarë të këtij fshati.

Pra, libri në fjalë ka dëshmi të shumta e të plota, të cilat flasin për një kohë të rëndë të luftës së fundit. Bie fjala, banorët e fshatit Devajë, pasi janë detyruar me dhunë të largohen nga shtëpitë e tyre, në rrugë, paramilitaret ua zënë pritën dhe i rrahin një nga një duke ua marrë krejt arin dhe devizat që i kanë poseduar me vete. Por, pësoi keq e rëndë plakut Hajrush Bajramit 62-vjeçar, të cilit, paramilitarër serbë ia gjejnë foton e Ibrahim Rugovës, atij ia fusin në gojë me zor foton për ta ngrënë të tërën.

FIDANISHTJA

Ky i moshuar ka shtuar se aty e ka parë vdekjen me sy. Mezi shpëton gjallë, por i përgjakur e i rrahur tejmase. Ai ka gjetur strehim te miku i tij, Xhafa në Pozharan, i cili, gjatë tërë kohës, sa ka qëndruar aty, nuk ka mundur të bëjë gjumë qetë. Rrahet keq edhe nipi i tij Reshati, tash mjek në Prishtinë. Ai, kur vjen me familje në Pozharan, ishte përgjakur e i rrahur rëndë nga paramilitarët serbë.

Po ashtu në Zhegër, paramilitarët serbë kanë vrarë qytetarë me regjistër në dorë, të cilët u kanë ndihmuar serbët vendorë. Në familjen Idrizi vriten tre vetë, ku mbi të vrarët e hudhin gruan e Qazimit duke therur me thikë. Kjo tmerron. Po kështu, fshati Nasalë, më 30 mars është gjuajtur nga forcat e errëta nga Parteshi serb. Banorët e këtij lokaliteti kanë ikur nëpër breshërinë e plumbave. Të këtij fshati, paramilitarët serbë i vrasin dy prindërit e Musliut, Ukshin e Miradije Ukshinin.

Këta janë vrarë në Zhegër duke qëndruar në shtëpi. Këta janë varrosur në vendlindjen e tyre, Nasalë, ku, kjo ceremoni mortore ju ka penguar forcave serbe, të cilët kanë shtuar se nosalasit po rregullojnë istikame për ta gjuajtur Parteshin. Këto fshatra janë plaçkitur gjer në fund nga paramilitarë serbë të ndihmuar nga serbët vendorë e të tjerë. Në fillim të veprës janë disa rrëfime të qytetarëve zhegras e të tjerë, të cilët rrëfejnë se si e kanë përjetuar luftën e fundit 1999.

Mandej, kaptina tjetër janë shkrimet e autorit të librit, i cili, gjatë tërë kohës së luftës, i zhvendosur nga vendlindja, ka mbajtur ditar nga ditët luftës. Këto fleta ditari janë shkruar gjatë kohës së luftës sa ka qëndruar në Remnik, Radivojc, Zhiti, Pozharan dhe në fund në Gjilan e Nasalë. Si është bërë largimi i forcave serbe nga Kosova, autori këto shënime i ka ruajtur nëpër familje ku ka qëndruar dhe, kur është kthyer nga Gjilani në vendlindje, Nasalë, ato i ka tubuar dhe i ka plotësuar për të shkruar këtë ditar të kësaj kohe të dhimbshme e të përjetuar.

Pra, lexuesi i veprës do të ketë mundësi të vërejë e përjetojë luftën se si e ka kaluar luftën popullata e pambrojtur. Me një fjalë, gati të gjitha shkrimet e kësaj vepre dokumentar janë botuar pas luftës nëpër gazeta, si: “Rilindja”, “Bota sot”, “24 orë”, Iliria Post”, “Pavarësia”etj. Vepra në fjalë është dokument i një kohe, i cili do t’ju ndihmojë e shërbejë familjarëve për të përkujtuar këtë kohë të kaluar jo aq të largët jete. Për të ardhur gjer te shkrimi i veprës “Pragjet e përgjakura”, janë dashur të tubohen shumë shkrime, foto e dorëshkrime, të cilat e kanë rrumbullakësuar qasjen e një shkrimi publicistik-dokumentar. Vepra dokumentare në fjalë e ka 225 faqe, ndërsa e ka botuar Shtëpia Botuese Pika 5/A në Gjilan. /rajonipress/