RCCOLA

Një traktat publicistik që shkund ndërgjegjen

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Arben Veselaj :Libri i autorit Fehmi Ajvazi “Dita 24” – Kronikë për Kosovën, është një nga të rrallët e shkruar për luftën e viteve 1998-1999, më saktësisht për periudhën e bombardimeve të NATO-s dhe për periudhën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova.

Është ky, padyshim, edhe një libër i rrallë për nga qasja, trajtimi, struktura e shkrimit etj., që një publicist ia ka bërë temës së luftës së Kosovës. Ky libër në thelbin tij është një kronikë autentike rrëfimi dhe ditari, një formë personale përshkrimi e përsiatjeje që lidhet me realitetin e kaluar të Kosovës, në fundshekullin XX, në kontestin e përvojës personale.

Duke qenë gazetar shumëvjeçar, por edhe shkrimtar në të njëjtën kohë, Fehmi Ajvazi ka arritur që me intuitë vrojtuese t’i përjetësojë disa ngjarje që janë zhvilluar rreth e rrotull, dhe të cilat ai i ka parë e përjetuar në rrethana jo vetëm të rrezikshme, por të papërsëritshme.

Shënimet dhe paragrafët, lajmet, copëzat e gazetave, përshkrimet, rrëfimet personale etj., janë korniza autentike, konceptuale dhe faktike, që e ndërtojnë këtë libër interesant, këtë libër të rrallë, lidhur me kohën dhe ngjarjet e ndryshme që e përshkojnë fatin dhe jetën tonë, individuale dhe kolektive, udhën tonë historike, individuale dhe kolektive, në vitet e fundshekullit të kaluar. “Gjërat që nuk shënohen edhe harrohen”, shkruan Ajvazi në hyrje të librit, duke konstatuar me bindje parashikuese: “… e di mirë, dhe jam i bindur që në thelb të këtyre shënimeve, sado të thjeshta dhe të copëzuara, një ditë mund të kërkohet e të gjendet diçka interesante, diçka me vlerë për këtë kohë, pavarësisht faktit që ne, të gjithë, tashmë jemi kthyer në ngjarje, në personazhe, në histori…”.

Në këtë libër prej 228 faqesh, Ajvazi, në fillim rrëfen, në vija të trasha, për gjendjen para 24 marsit 1999, e cila dëftohet përmes “Udhëtimit të fundit” dhe “Rrëfimit që s’përfundon”, dy tregime këto në të cilat reflektohet ritmi i keqësimit dramatik të situatës, si rezultat i dështimit të bisedimeve të Rambujesë, i militarizimit të gjithanshëm serb në Kosovë etj.

Mobi Casa

Por, ajo që është thelbi i librit, lidhet me rrëfimet dhe përshkrimet e gjendjes së dy-tri ditëve të paraintervenimit të NATO-s në Kosovë dhe në ish “RFJ”-në e Millosheviqit, lidhet me rrëfimet dhe përshkrimet e ditës së 24-të të marsit 1999, dita e fillimit të bombardimeve të NATO-s. Autori e përshkruan situatën në planin e asaj që është duke ardhur, e kjo që është “duke ardhur”, është dhuna e çmendur serbe në tokë dhe intervenimi i NATO-s nga qielli.

Autori e vrojton në kontekst të gjendjes, sidomos ferrin serb. Realiteti shfaqet gjithandej: vala e acaruar e krimit, shqetësimi dhe pasiguria, frika nga dhuna dhe masakrat etj. Mjeshtëria e rrëfimit, ndjesia, përshkrimi, vërehen veçmas te tregimet: “Expresso në ikje”, “Dita 24”, “Goditjet e para” etj.

Kulmi i asaj që është vetë struktura e librit janë pjesët në formë ditari, e në të cilat mund të zbërthehet jo situata e jashtme (ajo që shihet) por edhe gjendja e brendshme (shpirtërore) e autorit që domethënë – gjendja e atyre që vetëdijshëm kanë vendosur t’i presin bombardimet e NATO-s brenda në Kosovë.

Në këtë libër ndeshim aq shumë shqetësim, emocione, rrezik, ëndrra, paradokse, imagjinatë, pafuqi, shpresë etj., sa veç lufta që mund t’i sjell. Gjendja personale e autorit, e që është edhe gjendja kolektive, e shpjegon më së miri atë që pritet të ndodhë, ose atë që është duke ndodhur.

Një libër ku dominon tmerri dhe kaosi, zjarrvënia dhe masakra, “Dita 24” – Kronikë për Kosovën, i Fehmi Ajvazit, në fakt është një traktat publicistik që shkund ndërgjegjen shqiptare kundër harresës dhe tëhuajësimit nga lufta./rajonipress/