Një tablo sociopsikologjike e një kohe
Shkruan : Nexhat Buzuku-(Qasje për librin e Rahim Azemit “Profili socio-psikologjik”, “Spirint” Prizren, 2012, faqe 194)
Rahim Azemi vjen para publikut lexues me librin e tij të dytë, pas atij “Letra nga burgu”. Ai në librin e ri ka bërë një rrugëtim të sigurt, jo emocional as irracional, krejtësisht i arsyeshëm, në pasqyrimin e një periudhe sa të vështirë, sa sfiduese, aq të vështirë e provokuese.
Tematika që trajton Azemi përmbledh përpëlitjet herë të fshehura e frikësuese, të trishta, e herë të hapura deri në përmasat e flijimit njerëzor për një synim e qëllim lirie për etninë. Vepra më e re e Azemit karakterizohet nga një stil magjik i shkrimit, i cili dëshmohet në mjeshtër të gërshetimit të problematikës me një shtrirje shumëdimensionale, me një relacion kohor e qëllimor, përmes metodoligjisë hulumtuese, kërkimore, krahasimtare e shkencore.
Ai sjell para lexuesit një trajtesë sociopsikolgjike, filozofiko – etike e historiko – politike, duke transformuar patriarkalen, iluzoren, irracionalen, mitiken e metafizikën në një sfond të ri me vizion për të ardhmen, në mision udhëtimi për ta përmbysur errësirën për hir të të ardhmes dhe perspektivës së etnisë që po mbytej në copëza e po i cungohej dritësimi dhe aspirata e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, etnik, etik, qytetar dhe ekzistencial.
Autori i librit synon që përmes kryepersonazhit dhe personazheve të tjerë të shumtë, që njëkohësisht përbënin shumësinë e forcës kundërshtuese që përditë po shtohej, dhe fuqisë refuzuese ndaj pushtuesve, të dritësojë përpjekjet, përkushtimin e brezave të një kohe dhe epoke për ta përmbysur atë kohë dhe epokë për hir të të resë, të lirisë dhe kthimit në vetvete e për vete nga një tjetërsim mbytës e poshtërues.
Azemi ka trajtuar një temë të gjerë të kohës në një fshat të Anamoravës, në Stançiç të Gjilanit, për ta shtrirë tej e për t’i dhënë një dimension gjithandej tokës së shkelur dhe etnisë së cenuar.
Në këtë sfond të trajtesës së Azemit kundrojmë kujdesin dhe mjeshtrin e shkrimit që kërkon krijimin e lirisë për etninë si konditë që garanton dinjitetin njerëzor. E, dinjiteti njerëzor nuk varet nga ekzistenca e tij fizike, edhe ashtu, në atë kohë, e kërcënuar, e kufizuar dhe në vazhdimësi e cenuar dhe e nëpërkëmbur, por ky dinjitet manifestohet përmes ushtrimit të lirisë, të lirisë si koncept i brendshëm shpirtëror dhe ushtrimit të saj praktik.
Fundja, nga leximi i librit në fjalë, dinjiteti ynë individual dhe kolektiv etnik nuk përcaktohet thjesht nga ekzistenca natyrore, por nga fuqia krijuese e njeriut, nga gjuha dhe kultura, arsimimi dhe mundësitë e tij për ekzistencë vertikale.
Kjo trajtesë historiko-sociopsikologjike për etninë në ringjallje e mbijetesë nga prangat e të huajit – shkelësit dhe plasaritjet e kontradiktat e brendshme, megjithatë, përvijon aspiratën e lirisë dhe dinjitetit etnik.
Kryepersonazhi i veprës thërret për fundësi të heshtjes, për refuzim të së keqes, që kishte kufizuar e mbytur deri në përmasat e absurdit jo vetëm dinjitetin njerëzor, por edhe qenësinë e tyre dhe ekzistencën fizike.
Prandaj, autori i librit përmes trajtesës së tij përçon porosinë që të mos lejojmë kthimin e kohëve të mugëta, të iluzioneve, e utopive, të provincializmave e krahinarizmave, që të mos e mbysim e ngulfasin idenë e gjithmotshme të lirisë e shtetësisë për hir të ndonjë interesi kapricioz, personal e farefisnor.
Fundja, historia është një mësuese e mirë për të mos i përsëritur gabimet, dhe një mësim i mirë për të reflektuar drejt e me kohë, sepse çdo reflektim i vonuar është i kushtueshëm dhe i pakthyeshëm.
Dhe në fund, autori i librit, Rahim Azemi, ka ndriçuar edhe anë të tjera të errta të jetës së asaj periudhë, një mësim për të reflektuar në ditët e sotme, që e keqja të mos depërtojë në ne e të bëhet pjesë tinzare e stopimit të rrugëtimit të etnisë.
Dhe krejt në fund, autori preferon ngritjen e punës dhe korrektësisë në nivelin e kultit, ashtu siç kanë bërë disa popuj të përparuar. Rahim Azemi është prestigjiator në fjalë, motive e imazh në veprën e tij, e cila besojmë të mos jetë një kapitull i mbyllur.