Fundamenti

Një Qeveri e zhvillimit dhe e punësimit

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Që nga viti 1999 kur kompetencat e udhëheqjes së vendit i takonin misionit të Kombeve të Bashkuara, e deri pas shpalljes së pavarësisë, kur shumë zhvillime imediate që kishin të bënin me shtetndërtim ua zinin vendin nevojave të tjera, gjithnjë janë gjetur arsyetime pse punësimi i qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik janë lënë në rend të dytë. U deshën më shumë se një dekadë që Kosova të kalojë në fazë të tranzicionit, qoftë tranzicion të ndërtimit të institucioneve, tranzicion politik apo ekonomik.

Zhvillimi i vërtetë ekonomik i vendit që do të krijonte vende pune asnjëherë nuk ishte prioritet i qeverisjes.

Fatkeqësisht, e tërë ajo që Qeveria e tanishme quan zhvillim janë autostrada, kostoja e të cilave më shumë është keqpërdorur në favor të xhepave të një sërë individësh të politikës dhe në dëm të buxhetit të shtetit dhe të taksapaguesve.

Fundamenti

Tani, në vitin 2014, qytetarët nuk duhet të pranojnë më që t’i udhëheqë një Qeveri që nuk e ka prioritet zhvillimin dhe punësimin dhe që nuk është e aftë ta realizojë këtë prioritet. Asnjë arsyetim që e vë cilindo prioritet tjetër para zhvillimit ekonomik që rezulton me punësim nuk do të pijë më ujë. Tashmë u bë mjaft me premtime të qeverisë Thaçi për zhvillim që do të zhduken përgjatë tërë mandatit për t’i dhënë hapësirë veprimeve që shkojnë vetëm për shtati të një grupi të vogël të njerëzve përderisa dëmtojnë interesat e qytetarëve dhe të vendit. Gjatë këtyre shtatë viteve nën qeverisjen Thaçi, jo vetëm procesi i shtetndërtimit, por edhe mirëqenia e qytetarëve ka vazhduar të shkojë tatëpjetë. Përkundër mashtrimeve të orkestruara për të hedhur hi në sytë e qytetarëve se kinse ka rritje të punësimit e ulje të papunësisë, gjatë këtyre viteve ka ndodhur e kundërta. Mungesën e perspektivës dhe të mundësive për punësim, qytetarët çdo ditë po e ndiejnë në lëkurën e tyre, prandaj çfarëdo deklarim i Qeverisë që e thotë të kundërtën nuk merret seriozisht. Fatkeqësisht, kjo mungesë e mundësive për të mbijetuar ka quar me mijëra qytetarë në rrugën e rrezikshme të migrimit ilegal, duke humbur gjithçka dhe duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të ikur nga Kosova. I gjithë ky mjerim, prandaj, duhet të përfundojë. Në Kosovë duhet të vijë një Qeveri e zhvillimit dhe e punësimit.

Qeverisja e ardhshme, nën udhëheqjen e LDK-së me kryeministër Isa Mustafën, ofron pikërisht këtë zhvillim ekonomik që do të shpie tek mundësi shumë më të mëdha të qytetarëve për ta parë perspektivën e tyre në Kosovë. Programi ekonomik i LDK-së, që tashmë ka filluar të shpaloset nëpër komunat e Kosovës, parasheh në detaje mundësitë e përparimit ekonomik që në qendër ka bizneset, zhvillimi i të cilave u hapë perspektivë punësimi edhe qytetarëve. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare u japin qytetarëve këtë mundësi, pra të zgjedhin në mes të Qeverisë së zhvillimit që do të udhëhiqet nga Isa Mustafa, apo një vazhdimësi e shkatërrimit të shtetit dhe të interesit të qytetarëve që ofrohet nga qeverisja Thaçi.

(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)