Një poezi që digjet n`etje e vetmi….

Nga Timo Mërkuri – Për poezinë e Sabit Rrustemit, “Sekush ma trembi shiun”, nga dorëshkrimi, THESARE TË HARRUARA TË SHPIRTIT, shkruar më 6 korrik 2012 , ripublikuar më 6 korrik 2025. Kjo poezi e Sabit Rrustemi që pikon mall e vetmi dhe nuk të besohet se është ripublikuar pas 13 vjetëve, për shkak të freskisë që përcjell, është një përsiatje poetike e ngjeshur me ndjenja pritjeje, vetmie në lagështi dhe dashurie që mbetet, pavarësisht mungesës së gjithçkaje tjetër, por pavarësisht kësaj ka arritje të spikatura artistike, duke u mbështetur në një figuracion të butë e lirizëm që vjen si psherëtimë e brendshme, me një zë të ngadalshëm që ecën në gjurmët e zhgënjimit, por që nuk e humbet hijeshinë.
1.
Poezia hapet me një imazh të qetë, por që në heshtje shkrumbon:
“U dogja së prituri / nën këtë ombrellë kaltroshe”
Pritja nuk ka përjetim dramatik, nuk bërtet, nuk kërkon mëshirë, ajo ndodh, thjesht ndodh. Kaltërsia e ombrellës, një simbol i butë i shpresës, kontraston me ndjesinë e brendshme të “djegies”, e cila është metaforë e mallëngjimit të gjatë dhe të pashpërblyer. Këtu Rrustemi ka arritur të ruajë një ekuilibër të hollë: asnjë tepri emocionale, por një tension i përmbajtur që rrjedh natyrshëm.
2.
Shiu, në këtë poezi, është më shumë sesa një fenomen natyror: ai është puthje, shpresë, qetësi, jetë për bimën e re, freski për “buzët e përndezura”. Por ai nuk vjen:
“E as më flladiti jotja puhi / e as më lagu një re me shi”
Shiu bëhet kështu metafora që mbart dështimin e një dashurie të munguar. Poetika e Rrustemit e ndërton mungesën me figura të thjeshta, por të goditura, që e japin si një zbrazëti të përvijuar nga përplasja e ndjenjës me realitetin:
“Sekush ma trembi shiun”
Ky varg përsëritet me funksion ritmik e psiko-emocional. Është një lloj rënkimi, një ndjesi që shiu nuk u tërhoq vetë, por iu largua dashjeshëm nga dikush tjetër, një “sekush” pa emër që ka ndërhyrë në fatin e poetit. Këtu ndjeshmëria e vargut kap një nuancë të ngarkuar me dyshim, ndarje dhe mungesë përkatësie.
3.
Më tej, poeti i jep konkretësi vetmisë përmes përfytyrimit të një pritjeje që përfundon në hiç:
“Mbeta para porte / i vetëm krejt mbeta / as një pikë për be / as dhe ty të gjeta”
Në këto katër vargje, çdo rrokje rrëshqet në ?një ndjesi të thellë të braktisjes. Fjala “portë” ngjan si një kufi mes të qenies dhe mosqenies, dhe në këtë prag, subjekti poetik është i zhveshur nga çdo kontakt: as shiu, as ajo, as “pikë për be”. Është një zbrazëti që vjen natyrshëm, pa zhurmë, siç vjen një zbardhje qielli pas një stuhie që s’ra kurrë.
4.
Poezia nuk qëndron në vend. Ajo merr një kthesë metaforike drejt kërkimit të asaj që iku, me një përshkallëzim të butë por të ndier:
“Me cilën re iku shiu / cilën vetëtimë shalove ti / të të ndjek pas me bubullimë”
Ky fragment është një nga kulmet artistike të poezisë. Rrustemi nuk qëndron vetëm në përshkrimin e një ndjenje; ai krijon imazhe të reja poetike, që lëvizin përmes qiellit. “Vetëtima që shalohet” është një metaforë e freskët, që e përzien gracinë e dashurisë me fuqinë e natyrës. Është një pamje e kthyer në ndjenjë, që përfton një përfytyrim të pazakontë, por të gjallë.
5.
Poezia mbyllet në një përvëlim të heshtur, me dy imazhe konkrete:
“bimën e re ma la të etur / dhe buzët e mia të përndezura”
Bima dhe buzët, dy simbole të jetës, të dashurisë, të përqafimit; janë të lëna në etje dhe zjarr. Në këtë mënyrë, poezia nuk kërkon përgjigje apo sqarime. Ajo e thotë heshtur se gjithçka që duhej të ndodhte, nuk ndodhi. Dhe ndjenja mbeti, si një shi që s’ra kurrë, por gjithsesi la pas vetes një botë të lagësht me mungesë.
Sabit Rrustemi në këtë poezi ka arritur një finesë poetike. Ai flet me një zë të qetë, por të dhimbshëm. Fjalët janë të pakta, figurat të përzgjedhura, tonet të zbehta, por me thellësi. “Sekush ma trembi shiun” është një perlë e vogël poetike që flet më shumë përmes asaj që nuk ndodh sesa përmes asaj që thuhet. Dhe kjo është, ndoshta, një nga arritjet më të vështira në poezi./rajonipress/