Uji Dea

Një përmendore që do t`i mbijetojë kohës

/ 6 minuta lexim
GRANDEMALL

Nga Sinan Sadiku – Selatin Novosella “Metush Krasniqi – Personalitet unifikues i Lëvizjes kombëtare” , botoi Shoqata e të Burgosurve politik të Kosovës, Prishtinë 2011, fq. 448.

Libri “Metush Krasniqi – Personalitet unifikues i Lëvizjes Kombëtare” i autorit Selatin Novosella, është një vepër në të cilën është pasqyruar në mënyrë të gjithanshme figura e këtij personaliteti, ndër më të shquarit e Lëvizjes Kombëtare.

Në këtë vepër voluminoze e gjejmë një portret të kompletuar të Metush Krasniqit si atdhetar, si intelektual, si njeri, si organizator, si familjar, si prind, si edukator, si shok dhe si mik. E gjejmë të tillë çfarë ishte, shembull për të gjithë njerëzit që e duan atdheun dhe punojnë për të mirën e tij.

Dihet njerëzit që kanë vepruar në interes të çlirimit kombëtar kanë qenë që të gjithë atdhetarë, porse ata i ka dalluar aftësia intelektuale, gjeturia, gatishmëria për sakrificë, qëndrueshmëria, guximi, aftësia për t`i kontrolluar interesat dhe veset personale. Ata që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me Metush Krasniqin e dinë se sa i përket aftësisë intelektuale, vlerësimit të miqve dhe armiqve të kombit, pastaj njohjes dhe vlerësimit të ideologjive, njohjes së pozitës gjeostrategjike të trojeve shqiptare, njohjes së interesave të shteteve veç e veç, ai ka avancuar në raport me të tjerët.

Ngjarjet që kanë pasuar më vonë, dëshmitarë të të cilave kemi qenë dhe jemi, kanë vërtetuar se bindjet e tij kanë qenë të drejta. Pra atij asnjëherë nuk ia ka errësuar pamjen ndonjë ideologji dhe gjatë tërë jetës është përpjekur që t`i bashkojë të gjithë veprimtarët, të gjithë atdhetarët, të gjithë shqiptarët, ideal i të cilëve ka qenë liria kombëtare, pavarësisht përcaktimeve të tyre ideologjike, partiake e të tjera.

I tillë na del Metush Krasniqi edhe në librin për të cilin tani po flasim. Të tillë na e sjellin kujtimet e figurave më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, kujtime këto të përzgjedhura me aq kujdes dhe të përfshira në libër nga autori i tij. Për të na e dhënë një pasqyrë sa më të kompletuar, sa më reale të këtij personaliteti, autori i librit ka bërë një punë të madhe, aspak të lehtë duke shfletuar shumë dokumente, shkrime nëpër revista, gazeta, libra… I ka shfrytëzuar kujtimet e bashkëveprimtarëve, miqve dhe familjarëve si dhe kujtimet e vet Metushit. Bashkëpunëtorë dhe miq të këtij patrioti të madh kanë qenë shumica e personaliteteve më të njohura të Lëvizjes Kombëtare gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet.

FITORJA

Pas leximit të këtij libri do ta kemi të qartë jo vetëm veprën e madhe atdhetare të Metush Krasniqit, por do ta kemi të qartë edhe veprën atdhetare të personaliteteve më të njohura të Lëvizjes Kombëtare me të cilët ai ka bashkëvepruar, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë me ndërmjetësues dhe kuptohet do ta njohim edhe Lëvizjen si tërësi, duke i përfshirë të gjitha organizatat, lëvizjet, grupet, partitë, udhëheqësit e tyre, qëllimi përfundimtar i të cilave ka qenë liria dhe bashkimi kombëtar.

Dihet, Metush Krasniqi ka vepruar në kushte dhe rrethana të rënda për popullin shqiptar, në kushtet kur nuk dihej kah po shkonte bota, Evropa, Ballkani, dhe kjo ndikonte që te atdhetarët të kishte edhe paqartësi dhe mospajtime të herë pas hershme. Por ai me veprimtarinë e vet, me këshillat dhe udhëzimet që ua jepte atyre, ka dhënë një kontribut tejet të çmuar që të ruhej dhe kultivohej fryma liridashëse tek shqiptarët, bashkë me besimin se liria fitohet, nëse punohet bashkërisht dhe sakrifikohet për ta fituar atë. Si intelektual, si vizionar dhe si njeri e veprimtar unifikues i atdhetarëve ai ishte para të tjerëve.

Këto vitet e fundit janë botuar shumë libra kushtuar personaliteteve të Lëvizjes Kombëtare, organizatave, partive, grupeve, lëvizjeve që kanë vepruar gjatë periudhës prej luftës së dytë botërore e deri në vitet e nëntëdhjeta. Në disa nga këta libra, autorët e tyre, që të shumtën e rasteve edhe vetë kanë qenë figura të rëndësishme gjatë periudhës në fjalë, duke u përpjekur për ta lartësuar veten, për ta mbivlerësuar kontributin e vet, kanë shkruar keq për të tjerët. Jo vetëm që kanë shkruar për dobësitë që mund t`i ketë pasur ndonjë veprimtar, (që është normale, sepse edhe veprimtarët kanë qenë njerëz), por në disa raste i kanë shtuar ato dobësi, duke iu dhënë përmasa joreale. Librat e tillë e na e kanë prezantuar një pasqyrë të shtrembëruar të Lëvizjes, duke u dhënë pas gjurmimit të anëve të dobëta të saj.

Autori i librit që po e promovojmë nuk ka rënë në këto nivele. Ai ka shkruar për kontributin që e ka dhënë Metush Krasniqi dhe për kontributin e shumë e shumë veprimtarëve të tjerë, duke u ikur kualifikimeve negative për ndonjërin prej tyre. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në libër nuk i gjejmë vështirësitë me të cilat është përballë Lëvizja Kombëtare dhe prijësit e saj, vështirësi të cilat kanë qenë të shumta, por të cilat kanë ardhur nga pushtuesi, bashkëpunëtorët e tij, dhe nga rrethanat aspak të lehta në të cilat është vepruar në atë kohë.

Libri “Metush Krasniqi – Personalitet unifikues i Lëvizjes Kombëtare” i autorit Selatin Novosella është një vepër që i freskon dhe i kompleton njohuritë e atyre njerëzve që e kanë njohur këtë figurë madhore kombëtare, që kanë lexuar dhe dëgjuar për të, por ua bënë të njohur edhe atyre të cilët kanë ditur pak ose shumë pak për të. Veçmas ky libër do t`u shërbej gjeneratave të reja dhe atyre që do të vijnë më pas, për ta njohur Metushin dhe një periudhë të historisë kombëtare, me të cilën periudhë ka qenë e lidhur veprimtaria e tij, madje, duke qenë njëri ndër aktorët kryesor të saj.

Secila vepër, secili lapidar, secila përmendore, secila mirënjohje, secili përkujtim kushtuar Metush Krasniqit e ka rëndësinë e vet, porse më duket se ky libër është përmendorja më e mirë që është ngritur për të, përmendore kjo që do t`i flas dhe do t`i mbijetojë secilës kohë. /rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.