Uji Dea

Një manipulim religjioz

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – Kisha Katolike po përpiqet ta përvetësojë figurën e Ibrahim Rugovës, duke i ngritur shtatore në oborrin e katedrales në Prishtinë. Njësoj provoi të manipulojë edhe me Anton Çettën. Këto figura nuk mund të përkufizohen brenda një religjioni të caktuar, andaj veprimet e tilla tendencioze i shërbejnë përçarjes, e kurrsesi tolerancës fetare e bashkëjetesës. Vetë Rugova e Çetta ishin unifikues, e jo përçarës e përjashtues.

Gjithë simpatia ime këto ditë është për familjarët e Anton Çettës, të cilët nuk lejuan që shtatorja e tij të vendoset para katedrales në Prishtinë. Ipeshkvia e Kosovës kishte planfikuar që të vendos shtatoren e Çettës dhe të ish-presidentit Ibrahim Rugova para katedrales, por familja e Çettës, nëpërmjet një arsyetimi mjaft bindës, refuzoi një plan të tillë. Megjithatë, para katedrales u vendos shtatorja e Rugovës, ndonëse pa leje nga Komuna e Prishtinës dhe pa i ndjekur procedurat e nevojshme.

Një veprim plotësisht i panevojshëm i Ipeshkvisë, madje me tendenca përçarëse. Duke e përvetësuar figurën e Rugovës, Kisha Katolike dërgoi mesazhin se ai i përket asaj, ai i përket besimit fetar katolik dhe, si i tillë, vendin e paska në oborr të katedrales.

Në të gjallë të tij Rugova nuk ka folur asnjëherë për besimin fetar. Ai nuk ka qenë kurrfarë shenjti fetar dhe është e pakuptimtë se si provohet të përvetësohet figura e tij në këtë mënyrë.

Shtatorja e Ibrahim Rugovës gjendet në qendër të Prishtinës dhe nuk ka kurrfarë nevoje as logjike që edhe një tjetër të vendoset disa qindra metra më larg.

Mund ta kuptoj qëllimin e Ipeshkvisë për ta nderuar një figurë si Rugova, duke i ngritur një shtatore në oborr të katedrales, por nëpërmjet këtij veprimi është krijuar një presedan i rrezikshëm. Paramendojeni situatën po që se Bashkësia Islame e Kosovës do t’u ngrinte shtatore para xhamive veprimtarëve ose politikanëve që i kanë takuar besimit mysliman.

Rugova ka qenë udhëheqës i kosovarëve pa marrë parasysh orientimin e tyre fetar. Për më tepër, ai është përjekur t’i zhdukë ndasitë, duke vepruar në frymën e një tolerance fetare. Rugova nuk ka qenë kurrfarë kleriku fetar, as shenjt. Andaj, veprimi i Ipeshkivisë është arrogant dhe i papërgjegjshëm. Është një manipulim i pastër religjioz, me dy figura të rëndësishme kombëtare, që Kisha Katolike nuk do të duhej lejuar të ndodhë. Përpjekja për përvetësim figurash të tilla nga feja nuk ndihmon në kultivimin e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, përkundrazi, e dëmton atë. Veprimet e tilla nuk i bëjnë nder as Kishës.

* * *

UBT

Anton Çetta u vu në ballë të aksionit për pajtimin e gjaqeve jo pse i takonte besimit katolik, por për shkak se figura e tij prej studiuesi e intelektuali përbashkoi rreth vetes dhe misionit të tij fisnik të gjithë shqiptarët. Ai ishte sinonim i unitetit, e kurrsesi i përçarjes e përjashtimit.

Edhe Ibrahim Rugova njihej si i tillë. Andaj, “fetarizimi” i këtyre figurave dhe të tjerave si këto është i dëmshëm e i rrezikshëm dhe nuk duhet të ndodh. Përvetësimi i këtyre figurave, nga cilado fe, do të dëmtonte rëndë trashëgiminë e një shoqërie si kjo jona, trashëgiminë kombëtare e shtetformuese. Një qasje e tillë është përpjekje për ta shtrembëruar historinë.

Është e vërtetë se Rugova ka vënë gurthemelin e katedrales dhe paraprakisht ka ngulmuar që ky objekt fetar të ndërtohet në qendër të kryeqytetit. Por, këtë nuk e ka bërë as si katolik, as si mysliman. E ka bërë si një udhëheqës shumëvjeçar i shqiptarëve të Kosovës.

Është e drejtë e religjioneve të caktuara që të animojnë sa më shumë ndjekës, por të provosh së përvetësuari figura të tilla, të cilat janë shumë më shumë se vetëm personalitete që i takojnë një feje të caktuar, është pa shije, ose më mirë thënë, lë shije të hidhur.

Siç lë shije të hidhur zvarritja disavjeçare e institucioneve për t’i bërë një vend dinjitoz në Prishtinë shtatores së Anton Çettës, duke e hedhur përgjegjësinë sa andej-këndej dhe duke luajtur pa fije turpi me një personalitet të rëndësishëm, ndër më të rëndësishmit të historisë së re kombëtare.

* * *

Vendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës në oborrin e katedrales nuk e bën atë as më pak e as më shumë të rëndësishëm në histori. Siç nuk do ta bënte të tillë as Anton Çettën vendosja e shtatores së tij. Por, loja e tillë me këto figura është e rrezikshme. Feja i ka heronjtë e vet, të shenjtët e vet, e këto figura politike e kombëtare nuk janë të tilla. Andaj, kjo praktikë duhet ndalur sa më shpejt, para se të jetë vonë dhe e gjitha të shpie drejt një përçarje dhe mosdurimi fetar e shoqëror. Figurat kombëtare nuk duhet të bëhen pjesë e kalkulimeve religjioze, pa marrë parasysh nga cila anë vijnë. Ato janë mbi interesa të cilësdo fe, cilitdo institucion dhe cilitdo individ që synon të manipulojë për çfarëdo qëllimi.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.