RCCOLA

Një ligjërim i rrjedhshëm poetik

/ 5 minuta lexim

Nga Izet Abdyli – Rreth librit më të ri të poetit Fehmi Qerimi, “Aty ku s’jam unë”, botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2014.

Mbresa e parë që të krijohet nga leximi i dorëshkrimit të vëllimit poetik të Fehmi Qerimi me titull ,,Aty ku s’jam unë” është se kemi të bëjmë me një poet i cili lexuesve u ofron vargje me një ligjërim të rrjedhshëm poetik.

Temat dhe motivet duken sikur vijnë nga një frymëzim spontan por që në vetvete përmbajnë mesazhe të çarta e kuptimplote. Poeti me fantazinë e tij krijuese kap fragmente jete nga përditshmëria duke i veshur ato me petkun poetik e duke i dhënë fuqi vargut përmes metaforave dhe figurave tjera stilistike. Shumica e poezive dominohen me vargje të shkurtra dhe të krijohet përshtypja sikur poeti dëshiron t`i përmbahet maksimës së poetit të madh kombëtar Lasgush Poradeci ,, të thuhet shumë me pak fjalë”. Përmes vargut të tij sikur mëton të bind lexuesin se të panjohurat e kësaj bote, kanë një emër, por edhe dukuritë negative në shoqëri që hasim në përditshmërinë tonë duhet sfiduar duke i emërtuar me emrin që meritojnë.

Figurat e tij poetike janë aq të shprehura dhe i japin një kolorit të veçantë këtij vëllimi. Poetin e shqetësojnë dukuri të shumta si e pavlera, fatet , metamorfoza e jetës, imazhet e falsitetit etj. ndaj i rikthehet realitetit të sotëm duke u munduar të iu jap përgjigje shumë dukurive e fenomeneve që na rrethojnë.

Ky vëllim poetik është konceptuar në katër cikle, si: Dallgë shtegtimi, Simbiozë shprese, Matamorfozë e lirisë dhe Dioptri zemre.

Në ciklin e parë ,,Dallgë shtegtimi” muza e poetit shtegton në labirinthe e kohës e të historisë duke shpalosur unin e tij krijues e duke qenë edhe vetë i degdisur në botën e huaj, na jep tabllo të një realiteti të trishtë .

Stinëve sikur vdisnim e nesërmja nuk shihej ecnim dhe migronim malli në zemër të vriste
(poezia Mergimtari).

Uji Dea

Portreti i mërgimtarit të degdisur skutave të botës ,larg nënës, larg vendlindjes, larg familjes shfaqen me copëra imazhesh në vargjet e poetit Largimi nga vendlindja dhe malli për të pasqyrohet tek një numër i madh i poezive të këtij cikli , ku refleksioni me notat e mallit për atdheun janë të fuqishme. I gjendur në këtë kaos, edhe vargjet e poetit pikojnë lot me shi dhe notojnë në lumin e dhembjes , në rrugëtimin drejt furtuinave, por pa e humbur asnjëherë shpresën për të ngadhënjyer mbi zymtësinë. Optimizmi i poetit megjithatë shpaloset si një rreze drite në fund të tunelit me shpresën se e mira do ngadhënjejë mbi të keqën, e drejta mbi të padrejtën, dhe fundi i këtij rrugëtimi do jetë patjetër i ndritur.

Çdo shtegtimi i vjen fundi andaj edhe ëndrra e poetit shpaloset me bindjen se dielli do të lind përsëri . Pothuaj çdo poezi e këtij cikli ka një vlim shpirtëror, një shpërthim ndjenjë,një revoltë, por edhe një mesazh për të dalur ngadhënjimtar në këto dallgë të shpirtit te trazuar. Në ciklin e dytë ,,Simbiozë shprese” poeti shpërfaq me nota pesimizmi situata të caktuara që na dikton jeta, ku jo rrallë shumëçka humb kuptimin e jetës, dhe ndjenja e tragjikes e percjellë si një ogur i zi, duke mos gjetur rrugëdalje para të panjohurave që na rrethojnë. I gjendur para dilemave jetësore poeti asnjëherë nuk pushon se rreshturi në kërkim të shpresës së humbur. Megjithatë në këtë reflektim përsiatjesh, asnjëherë nuk vihet në dyshim, përpjekja për të sfiduar situatat e tilla:

Mendja nuk burgoset as fjala as kënga (poezia Pa dilemë)

Në ciklin e tretë ,,Metamorfozë e lirisë”, sintagma emblematike e lirisë na vjen shpeshherë me kontraste të papritura, edhe gëzimi, përmallimi dhe ndjenja lirisë herë herë kalojnë përmasën e trajtave reale, ndërhyrja e fusnotave sikur zbehë ngazëllimin e pritur të ndjenjës me sublime të lirisë. I gjendur në këtë kontrast jete, poeti shfaq dilemën:

Kujtuam se golgota mori fund
Nuk na doli kështu beteja vazhdon për të satën herë liri kërkojmë (poezia A jemi të lirë)

Në ciklin e katërtë ,,Dioptri zemre” poeti sikur hap një dritare-drite-jete e shprese duke dhënë sinjale të mira me poezinë prelud të këtij cikli ,,Deri në infinit” me urimin për një ditë të mbarë dhe premtimin e ngarendjes drejt qëllimeve të mira, drejtë derës së hapur. Ndjenjat trallisese e dashurisë si një vegim apo shpalim kujtimesh defilojnë si perla poetike në shumicën e poezive të këtij cikli e që e mbajnë poetin me plotë shpresë e optimizëm për jetën. /rajonipress/