UBT

Një libër i pasur me recensione filologjike…

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Nuk ka vepër të mirë pa punë përkushtuese të mirë. Vetëm me punë, njeriu e lartëson vehtën. S’ka më bukur se kur flet vepra! Ajo është kurora më e çmuar e jetës. Lum kush punon e mbetet emër i nderuar! Andaj, kaherë në këtë rrugë të dijes është nisur edhe Bahtijar Kryeziu, tash profesor dhe studiues i merituar i ditëve tona.

Bahtijar Kryeziu tashmë është emër të përveçëm në shkencën e filologjisë. Ai nuk është i panjohur për lexuesit e studimeve filologjike, por edhe për fushat tjera të dijes albanologjike. Shih për këtë, ky studiues i zellshëm, gjer më tani ka botuar mbi 140 artikuj dhe studime profesionale-shkencore nëpër gazeta, revista, përmbledhje punimesh e botime të veçanta të botuara në Kosovë dhe jashtë këtij vendi.

Puna e tij, sot, tek ne e kudo, vlerësohet lart nga studjuesit e dijeve të ndryshme shkencore. Jo vetëm kaq. Ai, gjer më tani ka marrë pjesë mbi 50 tryeza shkencore, konferenca, simpoziume, kongrese e tubime të tjera të rëndësishme të natyrës së albanologjisë. Bahtjar Kryeziu është tipik studiues i vërtetë i dijes.

Ai në vete ngërthen dije, kulturë, por edhe diapazon prej studiuesi me trill të veçantë të hulumtimit studimor. Ai është i afërt me të gjithë, por edhe i përpiktë dhe tejet “rigoroz” në qëndrimet e tij ndaj shkencave të dijes. Kur ai flet dhe hyn në botën e dije, sikur ke përpara një fushë të gjer dhe s’ke ku të ndalesh nga fusha e përceptimit dituror.

Gjer më tani, Bahtjar Kryeziu ka botuar trembëdhjetë libra, të cilat e kurorëzojnë dijen e tij të gjerë të këtij studiuesi të zellshëm të fushës së filologjisë. Veprat e tij janë: “Onomastika e Hashanisë” (200), “Shkolla fillore “Metush Krasniqi” (2001), “Bibliografi e magjistrave dhe e doktorëve të shkencave dhe arteve të Anamoravës I” (2003), Fjalori onomastik i Malësisë së Bujanocit” (2006), “Si të flasim dhe si të shkruajmë drejt” (2006), “Kulturë gjuhe” (dispensë- 2006), “Fjalori i homonimeve të gjuhës shqipe” (2008), Gjuhë amtare (tekst universitar( (2010), “Për fjalën shqipe” 2013 dhe pak ditë më parë, ai botoi librin më të ri me titull “Recensa filologjike” (2014).

Kjo vepër e Bahtjar Kryeziut dëshmon për pjekurinë e intelektualit gjilanas, i cili, duke dhënë fryte të shumta në fushën e studimeve albanologjike, ai u ka dhënë “rast” që të tjerët të flasin e shkruajnë për punën e tij të pakursyer në dijen e filologjisë. Kësaj here, do të bëjmë fjalë për librin e tij të fundit “Recensa filologjike”, i cili libër është një përmbledhje me shumë studime nga shumë autorë, të cilët, si një, kanë shprehur pjesën e tyre të dijes lidhur me veprimtarinë gjithëpërfshirëse të këtij gjuhëtari e studiuesi të dalluar në fushën e albanologjisë.

Mobi Casa

Libri në fjalë i B. Kryeziut ndahet në këto kaptina: I Onomastika, II. Gjuhë, III. Monografi dhe, IV. Përurime. Në të gjitha këto kaptina janë përfshirë studimet dhe analizat filologjike të studiuesve të shquar që kanë emër në shkencat albanologjike, si janë, si: Akademik Idriz Ajeti, Dr. Faik Shkodra, Dr. Rexhep Doçi, Dr. Begzad Baliu, Akademik Gjovalin Shkutaj, Dr. Qemajl Murati, Mr. Xhavit Beqiri, Prof. Dr. Dhimitri Bello, Dr. Zenun Gjocaj, Prof. dr. Emil Lafe, Mexhit Yvejsi, Prof. dr. Enver Hysa, Prof. dr. Ali Jashari e Prof. dr. Hasan Mujaj, Dr. Zeqir Demi, Prof. dr. Isak Shema, Prof. dr. Sadik Rashiti, Prof. Tefik Selimi dhe Rrustem Geci.

Edhe në referatin përfundimtar të nënshkruar nga komisioni recensues dërguar Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përkitazi me kandidaturën e prof. dr. Bahtijar Kryeziut të propozuar për anëtar të kësaj Akademie, thuhet ky vlerësim për autorin në fjalë: “Dukë pasur parasysh sa u tha më lart: për shkallën e kualifikimit të kandidatit, veprimtarinë dhe angazhimin e tij, qoftë në procesin edukativo-mësimor, qoftë në hulumtimet e bëra dhe botimet e punimeve të ndryshme në fushën e filologjisë (në gazeta, buletine universitare, revista e përmbledhje punimesh, vepra shkencore të botuara, libra universitarë, monografi, dispensa për studentë etj.), si dhe duke pasur parasysh pjesëmarrjen e tij në kongrese, simpoziume, konferenca e tubime të tjera shkencore, në vend dhe jashtë vendi, me kënaqësi të veçantë propozojmë që kandidati Bahtjar Kryeziu të zgjidhet anëtar i ASHAK-ut”, ku pasojnë nënshkrimet e tri figurave të njohura të dijes, si: Akademik Idriz Ajeti, kryetar, Prof. Emil Later anëtar dhe Akademik Gjovalin Shkurtaj anëtar.

Pra, libri në fjalë “Recensa filologjike” përmbledh të gjitha shkrimet, analizat, studimet, recensionet dhe këndvështrimet më të ndryshme të shumë autorëve studiues, të cilët kanë bërë fjalë për krijimtarinë e përgjithshme të dr. B. Kryeziut jo vetëm si autor i shumë teksteve mësimore e shkencore, por edhe si figurë e rrallë e dijes në fushën e arsimit dhe shkencës së gjuhësisë. Kështu, Akademik Idriz Ajeti, shton: “Vepra e Prof. Bahtijar Kryeziut është bërë shumë herë objekt diskutimi e vlerësimi nga studiues të qendrave universitare e shkencore të albanologjisë në Prishtinë, Tiranë, Shkup e më gjerë, (f.260). Dr. Emil Lafe, në studimin e tij për dr. Bahtijar Kryeziun, shton: “Prof. B. Kryeziu ka hartuar libra të mirë, ka përgatitur mësues të mirë dhe u ka dhënë shembullin e vullnetit të mirë për zotërimin e normës letrare”,(f.134).

E, Faik Shkodra, profesor e studiues i letërsisë, në studimin e tij “Një udhëtim me veprat e Dr. Bahtijar Kryeziut, shton:”…Gjithë kjo flet dhe dëshmon se Prof. Bahtijar Kryeziu është zotërues i mirë i shqipe dhe pikërisht për këto arritje, thënë figurativisht, ai është shndërruar në gardian të gjuhës dhe të kulturës shqipe”,(f.226).

Libri i autorit dr. B. Kryeziut “Recensa filologjike” ngërthen në vete studime e trajtesa më të ndryshme që janë shkruar nga disa autorë shqipfolës, të cilët kanë bërë fjalë (gati) për të gjitha librat e botuara të autorit, i cili, siç vlerësohet, na del një figurë shumëdimensionale i disa fushave të albanologjisë. Libri ka 271 faqe dhe e ka botuar Shtëpia Botuese “Era” në Prishtinë, 2014./tefik selimi/rajonipress/