RCCOLA

Një libër dokumentar i formësuar si ditar jete

/ 10 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Thonë, jeta shkruan vepra (romane)! Kjo është e saktë. Secili njeri e ka një jetë, e cila mund të shkruhet e të jetë një roman i llojit të vet. Edhe shkrimtarët e mëdhenj, duke përshkruar jetën e tyre, kanë krijuar vepra letrare të tilla. Bile, këto vepra janë thjesht autobiografia e tyre. Po të kësaj natyre, të shkrimi publicistik, me kohë i ka hyrë edhe Mahmut Elez Këqiku nga Gjilani, me veprën e tij “Me Velegllavën nëpër botë”. Një libër me 265 faqe tekst, që ngërthen në vete rrugëtimin e këtij autori nga jeta e tij fëmijërore e gjer më sot.

Kështu kanë shkruar shkrimtari ynë i madhi Fan S. Noli, mandej J. De Rada, Gavril Dara i Riu, S. Spasse e shumë të tjerë. Pra, nuk ka shkrimtar që nuk e ka ndonjë vepër autobiografike. Aty është realiteti dhe vetja e njeriut. Andaj, nuk ka më bukur e më ndershëm se sa ta përshkruash e ta paraqesësh jetën në letër! Sepse, autori i shkrimit ose “rrëfyesi” është një lloj zogu që flet e i shkruan bukur përjetimet e veta. Kjo është bukuria e këtyre shkrimeve.

Ai flet pa imponime e pa ndikime dhe e kuptojnë të gjithë. Në një farë mënyre, njeriu është qenie e denjë poetike. Pse jo? Secili njeri e ka jetën interesante. Po ashtu, s’ka njeri që nuk e ka jetën me ngjarje të ndryshme e me të papritura jete. Shumë shkrimtarë, madje dhe publicistë e krijues të tjerë, pas shumë veprave të shkruara, si: poezi, prozë, drama e të tjera, iu janë kthyer veprës shkrimore – ditarit apo jetëshkrimit monografik. Ditari i jetës apo monografia është forma më e ndjeshme e njeriut, ku autori apo rrëfyesi paraqet (në vepër) jetën e tij apo të familjes më gjerë. Ky lloj shkrimi është, në një formë a tjetër, një lloj dokumentari që në vete ngërthen shumë të dhëna e argumente.

Në këtë mënyrë, ky shkrim bëhet i rëndësishëm dhe tejet joshës, jo vetëm për autorin “rrëfyesin”, por edhe për të tjerët. Po të kësaj natyre, të shkrimi publicistik, me kohë i ka hyrë edhe Mahmut Elez Këqiku nga Gjilani, me veprën e tij “Me Velegllavën nëpër botë”. Një libër me 265 faqe tekst, që ngërthen në vete rrugëtimin e këtij autori nga jeta e tij fëmijërore e gjer më sot.

Nuk është një ditar i thjeshtë jete e pune, por një shkrim sa interesant, po aq i “ndërlikuar” me ato “ngjarje” jete, të cilat “ngjarje” vetëm njeriu mund ti përballojë e ti përshkruajë në hollësi. Vullneti dhe dëshira e ka shtyrë autorin (rrëfyesin) që këto shënime të tij të dalin në dritë për të ndriçuar rrugëtimin e tij si mitur e gjer në kohën kur sapo i ka mbushur të 80-tat.

Thonë, njeriu është më i fortë se guri! Kjo është e vërtetë. Duke e lexuar këtë ditar, që na shkon mendja të pagëzohet edhe monografi për vete e për familjen e tij, njeriu e kthen të kaluarën shqiptare të përvuajtur dhe me shumë pëshertima jete. Ka momente prekëse, madje edhe “ngjarje” të tjera, të cilat autori, Mahmut Elez Këqiku i ka përjetuar dhe i ka hedhur në letër pa e ndjerë vetën të lodhur, me të vetmin qëllim që të ndriçohet jeta e tij dhe e familjes që i takon. Por, ka ngjarje që prekin edhe “sende” tjera, për faktin se, autori i librit nuk është ai që nuk ka lexuar dhe ato që i shton për vendlindjen e tij Velegllavën, jo vetëm që qëndrojnë sipas tij, por edhe i demanton me fakte e dokumente tjera.

Në një vend të librit, autori shton: “Këto shkrime të mija, të jetës sime, të Velegllavës e të velegllavasëve, ashtu siç i kam mbajtur në mend, pa ndonjë anim, pa ndonjë shtrembërim, pa ndonjë tendencë, pa ndonjë nënçmim, po në mënyrë krejt të sinqertë e duke më shtyrë dashuria e madhe që kam për atë copë tokë që sot e duamë Velegllavë, po ia dorëzoj shkrimtarit (H. K.) që ta rregullojë e ta bëj libër në formë ditari të jetës sime”. Autori ka bërë shumë shënime, afro 700 faqe për vendlindjen e tij, së cilës i ka borxh për t’ia ditur të gjitha vuajtjet jo vetëm të tija, por edhe të familjeve të tjera të këtij trolli që kanë vuajtur shumë prej “hyqmeteve” e regjimeve të egra e barbare të një kohe të kaluar. Ai shton se, ky libër do të jetë nxitje “për të shkruar histori për atë vend të bukur, të pasur dhe të dhembshëm, njëkohësisht”.

Nga kjo vepër ndriçohet gjenealogjia e familjes së madhe të autorit. Autori në parathënie ka shtuar se, vepra është “një amanet i madh që na kujton se kë kemi të gjakut e të trungut familjar” (f.9). Në librin në fjalë, që është një ditar jete, nuk anashkalohet dhuna e regjimit serb ndaj shqiptarëve të këtij vendi. Rrëfyesi, shton: “Atë ditë që e krijonim me forcat tona shpirtërore dhe materiale, shpesh na e prishnin dyndësit e ballkanit – hordhitë serbe që krijonin grupe xhelatësh të armatosur e me plane të caktuara, dilnin e na shkaktonin dëme edhe viktima” (f. 12). Siç ka shkruar autori i rrëfimit të librit (M. E. Këqiu), ngjarjet më të freskëta janë dy luftërat e vitit 1944 duke qenë vetëm një muaj larg njëra-tjetrës.

Eco Higjiena

Nuk mbeti asnjë velegllavas që e kishte forcën e përdorimit të armës pa marrë pjesë në luftën e parë dhe të dytë që gabimisht ende shumë historianë i quajnë Lufta e Kikës”(f.12). Me fjalë të tjera, popullata e kësaj ane kishte hequr të zitë e ullirit, për faktin se jeta u ishte mu në brezin kufitorar me Serbinë, e cili regjim barbar, sa herë deshi, ka bërë dhunë të paparë në njerëz të kësaj ane. Në librin e tij me titull “Me Velegllavën nëpër botë”, Mahmut E. Këqiku ka shkruar për luftën e Gjilanit, të datës 23 dhjetor të vitit 1944 ,,pjesëmarrësit e luftëtarëve velegllavas në luftën e Gjilanit, ka shkruar e ka polemizuar me Muhamet Pirrakun për librin e tij”Mulla Idriz Gjilani…”. Këtu Mahmuti E. Këqiku polemizon me autorin në fjalë lidhur me disa të dhëna që, sipas rrëfyesit të librit, nuk kanë qenë të sakta. Bie fjala, si shton Mahmuti, “në Kikë, Zhujë dhe në Shahiq nuk ka pasur luftë fare” (f.75).

Edhe një fakt rrëfyesi i librit shton: “Z. Pirrakuk e ka shkruar se është vrarë Mulla Mustafë Osmani i Lisockës. Ai nuk ka qenë hoxhë me shallë, por ka qenë fukara e kurrë shallë të hoxhës nuk ka bajtë, se e njoh shumë mirë se Makush Demin që është vrarë me ta e kam pasur dajë” (f.78). Me një fjalë, Mahmut E. Këqiku e demanton librin e M. Pirrakut duke i thënë se “është me plot të pavërteta”(f. 85).

Në libër flitet për kohën e rrëfyesit kur ka shërbyer në ushtrinë Jugosllave, mandej për shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi, për jetën e tij që mbetet pa punë dhe me shumë mundi gjendet në Austri, Gjermani, Zvicër e më vonë në Poloni për të gjetur punë. Ai (rrëfyesi i kësaj monografie) shton edhe këtë se, “jeta ime e vështirë e ngarkuar me shumë probleme e përgjegjësi më ka mësuar që t’i mbaj në mend thuaja të gjitha ngjarjet” (f.259).

Lidhur më këtë rast, populli e thotë: “Njeriu është më i fortë se guri”! Ky autor i këtyre rrëfimeve tronditëse e interesante, ngjarjet i ka të përjetuara dhe ato nuk i shpëtojnë pa i qitur në letër, të cilat e shënojnë vulën e kohës me të gjitha ngjyrimet e jetës së rëndë. Libri “Me Velegllavën nëpër botë” të autorit Mahmut E. Këqikut, i cili është edhe rrëfyes i të gjitha ngjarjeve, sikur na rikthen kohën jo vetëm të jetës së tij fëmijënore, por edhe të jetës së tij rinore e të nëpërkëmbur nga pushtuesi serb, i cili ka përdorur forma e metoda më të vrazhda për ta mposhtur e përulur dinjitetin e popullin shqiptar.

Në librin e autorit flitet edhe për aksionin famëkeq të grumbullimit të armëve në kohën e A. Rankoviqit, aksion ky që populli e ndjeu shumë keq, për faktin se, me qindra e mijëra shqiptarë janë keqtrajtuar nëpër stacione policore vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Ishte koha edhe e tepricave (vishak), ku vendasit e autorit e pësuan keq e rëndë, ku pushtuesi ua fshiu magjet dhe ua morri lugët e fundit të miellit duke i lënë familjet e tyre të uritura pa kafshatën e bukës.

Për luftën e Gjilanit (1944), autori (rrëfyesi) shton se, këtë ngjarje të madhe e historike e “përjetova dhe përcolla prej së afërmi, e ndjeva shijen e gjakut të derdhur të disa mijëra shqiptarëve të pushkatuar dhe të vrarë pa asnjë faj, vetëm se ishin tjetër element nga sllavët, u varrosën në disa varre kolektive në afërsi të Gjilanit.

Sidoqoftë, libri i Mahmut E. Këqikut e ka rëndësinë e vet, për faktin se lë gjurmë të pashlyera të një kohe e sistem të huaj e të perënduar, njëherit, rrëfyesi, nga dashuria ndaj thesarit popullor, na lë disa këngë popullore, të cilat i ka shënuar e i ka kënduar edhe vetë. Me fjalë të tjera, ai në fund të librit shton se, “kënga është vaji i burrit”!. Këngën e ka kënduar atë moment kur e ka ndjerë malli për familjen dhe vendlindjen e tij, Velegllavën e dashur të tij. Libri është i shkruar në formë të prozës së rrëfyer në vetën e parë, por ajo që lexuesin e brengos është fakti tjetër, se, gjuha e folësit apo rrëfyesit është një e folme e rëndë popullore, e cila nuk është “përpunuar” nga askush dhe del paksa e zbehtë për artdashësit e gjerë.

Do të ishte më mirë që këto shkrime – monografi e ditar të jetës të kontrollohen dhe të lekturohen nga ekspertët e gjuhës, në mënyrë që, forma e fundit të dali bukur dhe të lexohet me ëndje. Kjo “punë” paksa e qalon librin, i cili ka rrëfime interesante dhe ngjaje kohe, të cilat flasin me gjuhën e gjallë të rrëfyes autorit të librit. Libri ka 265 faqe dhe e ka botuar Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan./Tefik Selimi/rajonipress/