Një kurd në jetën e Stambollit

E kanë detyruar të martohet në moshën 15 vjeçare, edhe pse kjo nuk ka qenë dëshira e tij. Ato që pasuan ishin prapë detyrime, por si minoritet në Turqi atij gjithçka i vinte si vendim, jo si propozim kurd, fakt që e vështirëson jetën e tij në njërin prej fshatrave të Stambollit. I gjendur në një stacion metroje, Nevzadi është kapur nga regjisori gjerman Dirk Schafer për të luajtur në një projekt fakulteti.
Ajo që ka rrjedhur më pas nuk ka të bëjë asgjë me fakultet e as me lojën e aktorit. Nevzadi, I mbyllur dhe jo shumë komunikativ, ka përfunduar duke treguar historinë e jetës së tij në 70 minuta, duke udhëtuar për një vit në retrospektivën jo fort të lakmueshme të asaj që e mbush pusin e jetës së këtij kurdi që jeton në Stambollin shpesh mizor në raport me këtë minoritet. “A sort of love” është tregimi për Nevzatin i cili madje gjatë xhirimit të filmit përfundon i aksidentuar dhe nga një njeri diskret hap zemrën për regjisorin duke nxjerrë kështu një tregim për një dashuri të mbyllur brenda muresh.
“Ai nisi tregimin me martesën e tij e cila I ishte imponuar nga familja dhe rrethi në moshën 15 vjeqare, por pa dëshirën e tij. Gjatë filmit ai tregon se si jeton në këtë lloj marrëdhnie dhe se shumë shpejt planifikon largimin nga fshati I tij për në Stamboll ku edhe do të dëshironte të niste një jetë e re. Jeta e tij gati në kufi me Iranin nuk ishte për tu lakmuar” tregon regjisori Dirk Schafer, një gjerman që tash e disa kohë jeton në Stambollin e madh të Turqisë. Nevzatin për pak e solli në festivalin Dokufest, por kjo nuk ishte e mundur.
“Mendoj se dokumentari është tipik i lidhur me konceptin e festivalit, thyerjen e kufinjëve. Ne e kemi thyer një kufi dhe një klishe dhe ky është një prej qëllimeve kryesore të produksionit të “A sort of love”. Nevzati është 34 vjeqar dhe ende jeton në fshat, është gati për tu divorcuar por ende ka problem edhe shëndetësore. Ai ka qenë i paraparë të vie në Dokufest, por pati probleme dhe nuk mundi të vinte. Festivali duket i mrekullueshëm dhe ka arritur në pikën ku duhet të vish personalisht që ta zbulosh se cka po ndodh” vazhdon Schafer. Nevzatin e ka takuar në një stacion metroje dhe nga gjestet e ka vërejtur se ai është i duhur për një projekt fakulteti. Ajo që pasoi ishte krejt tjetër, dhe rezultoi me “A sort of love”.
“Ai kishte nevojë të fliste për këtë experiencë dhe e ndjeva se duhej të isha unë ai që do e realizonte. Kështu nisëm xhirimet kur ai ishte 30 vjeqar, dhe për 2 vite patëm eksperiencë të paharruar” tregon Schafer. Një aksident I vogël ndodhi gjatë gjithë procedurës.
“Unë nuk isha në setin e xhirimit por po bëhej gati një skenë në një prej pjesëve të pandërtuara të Stambollit. Këto pjesë janë gjithmonë të rrezikshme dhe Nevzatin mezi e binda të shkonim. Në një moment një pjesë e murit e pandërtuar e goditi Nevzatin dhe ai përfundoi në spital, ndërsa unë ika me kamerë të shoh shëndetin e tij. Ka qenë një pjesë e keqe e xhirimeve sepse u ndjeva fajtor për një gjë të tillë” thotë regjisori. Filmi ka marrë kritika të mira në Gjermani e Turqi, natyrisht në shtetin e fundit pak më skeptik shkaku i gjendjes dhe pozicionimit të turkëve në këtë pjesë.
“Gjermanët e kuptojnë situatën më ndryshe. Dokumentari nuk e sjell Turqinë, dhe nuk është film mbi këtë shtet. Ka disa mesazhe brenda tij që unë dua ti përcjell. Është jeta e një personi, është histori e një dashurie të pagjetur por edhe e një personi karizmatik që ka pasur nevojën e eksplodimit që prej kohësh, dhe atë e gjeti te unë” vazhdon gjermani./zeri/