Një i çmendur me kartelë mes një shoqërie të “çmendur”

Nga Josif Papagjoni, kritik arti…Ismet Azemin e kam parë në skenë 10-12 vjet më parë në dramën “Kosovars” të Haqif Mulliqit në Festivalin e Teatrit Eksperimental në Elbasan. Është nga Podujeva. Më befasoi ky aktor me zërin dhe shtatin e bukur skenik, me aftësinë për ta administruar mirë energjinë e tij psikike, me fuqinë e imponimit për të na e mbajtur syrin, veshin dhe vëmendjen bash te roli që luante: si fliste, si vepronte, çfarë kumtonte.
Ky aktor me veti të shumta artistike, të latuara e të pjekura rol pas roli, iu imponua skenës teatrore shqiptare në hapësirën e Kosovës dhe sot, sipas mendjes sime, është nga më të zëshmit aty. Dhe u ndjeva vërtet plot shend, kur e pashë në festivalin e teatrit në Ferizaj dhe së fundmi në atë të monodramës në Vlorë.
“Vrasja e mushkonjës” quhej monodrama që ai interpretoi, shkruar nga poeti dhe shkrimtari Xhevdet Bajraj. Kritika s’duhet të lëvdojë pa vend, por kur talenti shpërfaqet në plotëri, s’ka arsye që vlerësimi i saj të modelohet madje edhe nën tiset emocionale. Unë sinqerisht gëzohem kur shoh e shijoj fryte të pjekura arti.
Kështu u gëzova edhe për rolin e fundit të Ismet Azemit në monodramën e mësipërme. Një shpirt i vrarë, i traumatizuar, nën shpërfilljen e botës (si makrokozmos) dhe gruas (si mikrokozmos), një shpirt i tradhtuar dhe poshtëruar dyfish: nga bota dhe e dashura. Aktori solli njeriun e dëshpëruar, të zhgënjyer nga jeta e pistë; njeriun që nën veskun e marrëzisë pohon disa të vërteta rrëqethëse deri në rrënjë të flokut (ashtu si edhe flokët e aktorit janë ngritur përpjetë si tek arlekinët); solli mërinë e të ndershmit ndaj të pandershmëve, neverinë dhe inatin deri në tërbim ndaj “mushkonjave-tigër”…
Ka një çekiç-vare të stërzmadhuar e buraforik dhe me të i bie me gjithë dufin e shpirtit mushkonjës-tigër. Dhe ja… një njollë gjaku mbetet në paretet e bardha të murit të skenografisë së Erald Bakallit, që të sjell në mendje spitalin psikiatrik me një mori shishesh serumi. Po ç’është vallë kjo mushkonjë tinëzare që ia ka prishur krejt mendjen atij? S’do mend, është vetë e keqja, e liga, e ndyra, ajo që na pi gjakun, që na mahis, që gjumin na e prish e na helmon shpirtin me prapësitë dhe padrejtësitë.
Janë teprimet në jetën tonë. Janë gjithë maskarenjtë, hajnat, primitivët, mafiozët, dallkaukët, mashtruesit. Janë pastaj politikanët e papërgjegjshëm, gënjeshtarë, zhvatës të djersës së ndershme, manipulatorë votash, tregtarë ndjenjash dhe sensibilitetesh sociale, shpikësit e iluzioneve dhe miteve të rrejshme. Gjithë kjo skotë janë pra “mushkonjat-tigër” gjakpirëse e helmatisëse. Ndaj këtyre mllefoset ky njeri që rrethanat tejet të vështira të mbijetesës e kanë çmendur.
Diku personazhi thotë se politikanët kanë porositur mijëra metra pëlhurë të bardhë për të qepur këmisha me mëngë të gjata (nënkupto këmishët e forcës që pamundësojnë të marrosurit e rrezikshëm në spitalet psikiatrike). Një i çmendur me kartelë mes një shoqërie të “çmendur” pa kartelë që vetëshpallet si e drejtë sociale, si liri. Ku dhe kush është e vërteta? Aktori Ismet Azemi i jep një përgjigje pa mëdyshje kësaj pyetjeje falë interpretimit të tij vrullues e transparent. Dhe paradoksi e grotesku njëkohësisht është edhe një tjetër mushkonjë-tigër, gruaja e tij, që e tradhton haptazi me dashnorin e saj të radhës, sepse (ç’farë ironie e bukur!) “dikush duhet të punojë në këtë shtëpi?!” – thotë heroi ynë për të shoqen…
Situata shpirtërore e personazhit-metaforë të monodramës vjen nga Ismet Azemi si një vorbullim. Ai zien, djeg, përvëlon. Jo vetëm syri që lëviz majtas-djathtas dhe mimika ekspresive, por gjithçka në fizikusin e aktorit është një vetëshprehje e rafinuar artistike e kësaj kllapie dhe e këtij tërbimi kundër “mushkonjës-tigër” që i vërvitet e i vërvitet aty rreth vetes e s’po e lë një grimë rehat. Aktori e qëndis rolin me elementët e një grotesku të përpunuar bukur mirë në qenien e vet si artist, veçse kur duhen thënë ndoca maksima, aforizma a fjalë që thumbojnë e djegin rreth disa dukurive të neveritshme të jetës, ai është i vëmendshëm që asgjë mos të anashkalohet dhe gjithçka të përcillet në sallë me një shqiptim të qartë dhe me nënvizime ideore të sakta.
Dhe pra ky gërshetim i mençur që Ismeti, nën drejtimin e regjisorit Donard Hasani, i ka bërë rrafshit të nënkuptuar dramatik e tragjik të personazhit dhe formës groteske të paraqitjes si prej një të çmenduri, përfshi siç thamë mënyrën e të shikuarit, të folurit, të gjestikulimit, të sjellurit, mua më duket se është edhe kyçi i suksesit të interpretimit të tij. Ai lëviz mjaft mirë sa nga një gjendje në tjetrën dhe ka një përshtatshmëri tejet organike në raport me marrëzinë e personazhit, ngaherë i kujdesshëm që filli i arsyetimit dhe i qëndrimit ideoemocional të mos hallavitet.
Nga ana tjetër, aktori ka ruajtur një diagramë temporitmike në rritje e të mirëstudiuar, gjer në krisjen e fundit të armës kur, në gjendjen e marrëzishme të tij, në vend që të vras mushkonjën vret, me sa duket, të shoqen teksa ajo po seksohej me dashnorin e radhës, duke e pyetur se “ku shkoi mushkonja?”. Në fakt, ai s’mundi ta vriste dot “mushkonjën” e maskarenjve dhe maskarallëkut, ato insekte sociale që i neveritin, u prishin gjumin, u thithin gjakun dhe i helmojnë njerëzit e ndershëm. “Mushkonjat” ende janë gjallë. Ende na pickojnë e na helmojnë. Dhe të çmendurit, ndoshta, kanë për t’u shtuar ca më shumë. Duhet t’i vrasim këto “mushkonja”, por si? Ja, kjo është e gjitha çka na vjen me aq art, pasion dhe bukuri aktrimi nga loja e Ismet Azemit. Ky rol është një vlerë e vërtetë artistike. Aktori vetë është një vlerë, që nuk i hasim rëndom, andaj dhe lipset t’i çmojmë. Ai ka nderuar veten me punën dhe talentin e tij, por tërthorazi na ka nderuar edhe neve: konsumatorët dhe adhuruesit e teatrit…