Hidromorava

Një “fake president” si Hashim Thaçi

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Hashim Thaçi njihet për premtime të rrejshme, njihet për lajme të rrejshme edhe si kryeministër, edhe si ministër i Jashtëm, tash edhe si president. Në vend se t’i akuzojë të tjerët se po prodhojnë “fake news”, “fake presidenti” Thaçi është mirë që t’i kujtojë premtimet e papërmbushura ndër vite. Pse duhet besuar se do të jetë ndryshe, tash kur flet për fazën finale të dialogut me Serbinë?

Hashim Thaçi i cilësoi të hënën lajme të rrejshme, siç tha “fake news”, raportimet e mediave për mundësinë e shkëmbimit te territoreve ndëmjet Kosovës e Serbisë. Në fakt ai as e pohoi as e mohoi një mundësi të tillë, porse tash sa muaj burime kredibile ndërkombëtare kanë pohuar se bashkë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, e kanë diskutuar ndarjen e Kosovës.

Lajmet për shkëmbim territoresh edhe mund të jenë të rrejshme, por të tilla nuk janë dhjetëra lajme të dhëna nga Hashim Thaçi për më shumë se një dekadë në pushtet.

Kur Thaçi përmend termin “fake news” së pari të vjen ndërmend vetë ai dhe papërgjegjësia e tij – dikur si kryeministër e ministër i Jashtëm, e tash si president. Më poshtë mund të lexoni top listën e pesë lajmeve të rrejshme, pesë premtimeve të rrejshme të Hashim Thaçit.

Lajmi i rrejshëm 1

27 dhjetor 2010: “Ju siguroj dhe garantoj sot, juve qytetarë, se vetëm për 15 muajt e ardhshëm nga janari i vitit të ardhshëm, të gjithë qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në gjithë Evropën”.

Ky ishte premtim i Hashim Thaçit, para gati tetë vjetësh. Vizat jo që nuk u liberalizuan sipas afatit të dhënë nga ai, por është e pasigurt, për të mos thënë e pamundur, që kosovarët të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen madje edhe në fund të këtij viti. Pra, me Thaçin kryeministër, ministër të Jashtëm e tash president, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Europë.

Lajmi i rrejshëm 2

25 shkurt 2012: “Fusnota forcon shtetin”. Kështu premtonte Hashim Thaçi para më shumë se gjashtë vjetësh, kur pranoi që ta dëmtojë e vë në rrezik subjektivitetin juridik e ndërkombëtar të vendit. Nga ajo kohë, fusnota jo vetëm që nuk e forcoi shtetin por, përkundrazi, e degdisi si është më keq.

Sot vendi ende nuk njihet nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Europian, e as është pranuar në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Fluska nuk është shkrirë ende.

Lajmi i rrejshëm 3

FIDANISHTJA

17 shkurt 2014: Në shënimin e gjashtëvjetorit të shpalljes së Kosovës shtet, Hashim Thaçi kishte deklaruar se ishte hera e fundit që FSK po parakalonte si forcë mbrojtëse dhe po festohej pa ushtri. Madje, në mars të vitit të kaluar, ai premtonte se do të jep dorëheqje nëse Kuvendi nuk voton ndryshimin e rolit të FSK’së, duke e shndërruar në ushtri. Por, pas më shumë se katër vjetësh FSK ende nuk është transformuar, ndërkaq Thaçi vazhdon të bëjë premtime të rreme.

Lajmi i rrejshëm 4

14 maj 2014: “Krijimi i 200 mijë vendeve të reja të punës dhe Fondit të Punësimit prej 1.5 miliard eurosh”. Para më shumë se katër vjetësh, Thaçi kishte dhënë këtë premtim i cili, natyrisht, nuk u përmbush, pavarësisht se partia e tij vazhdoi qeverisjen. Ai, madje, nëpërmjet një video-animacioni 1.20 minutësh u shpjegonte qytetarëve se si do të bëhej realitet ky mision.

“Fondi i Punësimit është pika kryesore e planit tonë Misioni i Ri. Shikojeni videon se si do t’i krijojmë 200.000 vende të reja të punës nga 1.5 miliardë euro që i kemi në banka të huaja që nga koha e UNMIK-ut”, shkruante atëbotë Thaçi në Facebook.

Qytetarët e panë videon, por nuk i panë asnjëherë 200 mijë vendet e punës. Mund t’i shohin vetëm në ëndërr.

Lajmi i rrejshëm 5

25 gusht 2015: “Asociacioni nuk paraqet asgjë më shumë se sa një NGO (OJQ)… Asociacioni do të ketë zero kompetenca ekzekutive”. Kështu premtonte Thaçi kur arriti me Beogradin marrëveshjen në Bruksel, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Asociacioni… jo vetëm që doli të mos jetë një OJQ (për cilën OJQ tjetër u diskutua në Bruksel?), por duket të jetë “kompromisi i dhimbshëm” me Serbinë, që presidenti po e përmend kohën e fundit, e që i bie të jetë hiç më pak se autonomi për veriun e vendit.

* * *

Këto janë vetëm pesë nga dhjetëra premtimet e rrejshme të Hashim Thaçit. Nëse ai nuk i ka përmbushur asnjërin, atëherë pse duhet besuar atij kur flet e premton për epilogun e fazës finale të dialogut me Serbinë? A është i njëjti person i këtyre premtimeve të rrejshme, apo është bërë tjetër?

Nëse klasa politike në vend nuk mund ta ndalojë Hashim Thaçin që të negociojë dhe arrijë marrëveshje me Serbinë, atëherë duhet bërë bashkë që ta neutralizojë atë. Përndryshe, ai do të jetë autor edhe i një lajmi të rrejshëm, kësaj here shumë të dëmshëm për vendin. Me veprimet e tij të papërgjegjshme, “fake presidenti” mund të na dhurojë një “fake shtet”.