Mobi Casa

Një ditar jete dhe poezia nga Iraku…

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Poetja Sevdije Rexhepi në një intervistë të hapur për rajonipress flet për kohën e saj të fëmijërisë, për kujtimet në Irak, për shoqërinë e atjeshme dhe për shumë detaje tjera që lidhen me jetën e saj.

Rajonipress: Pak biografi e juaj?

Sevdije Rexhepi: Jam e lindur në qytetin të bukur e të dashur, në Gjilan. Këtu kam kryer shkollën fillore dhe të mesmen. Pastaj, regjistrova fakultetin mu kur është uzurpuar Universiteti i Prishtinës, më (1992). Atëkohë e regjistrova fakultetin e gjuhës frënge, në Prishtinë. Pas kryerjes së fakultetit, fillova të punoj për dy vite nëpër shtëpi-shkollat në fshatin Zhegër, Malësia e Karadakut. Ishin kohë të rënda të arsimit shqiptar. Janë vite që nuk harrohen. Kur erdhi kohë “tjetër” e pas luftës, unë vendosa te sfidoj rastin që mu dha e të eci përtej horizontit.. U gjenda në Irak, në vendin mes dy lumenjve të lashtë dhe plot me histori ku mësohej për Epin e Gilgameshi, vepër kjo shumë e vjetër që njihet deri tani rreth 4000 vjet më parë. Pse jo? Epi qëndroi rreth 2500 vjet i mbuluar nën dhe është i përbërë prej 12 pllakash (këngësh), në të cilat rrëfehet për mbretin Uruk. Ky është një nga qytetet më të vjetra të njerëzimit. Atje jetova ditët dhe netët për 4 vite, si pjesë e kompanisë amerikane. Pas një eksperience të mirë jo vetëm profesionale, por edhe jetësore, unë jam kthyer në Kosovën shumë të shtrenjtë…

Rajonipress: Si ishte puna me ditar në dorë?

Sevdije Rexhepi: Pas përfundimit të studimeve kam filluar të punoj me nxënës të shkollës së gjimnazit në Zhegër. Por, kam punuar edhe në shkollën fillore në Llashticë të Gjilanit, për dy vite me radhë . Ishte një punë që e bëja me vullnet, por me shumë sakrifica të mëdha si të gjithë punëtorët e arsimit gjatë asaj periudhe – kohë e rezistencës.

Rajonipress: Si ishte vendosja e juaj e “fortë” për të udhëtuar në Irak?

Sevdije Rexhepi: Mbase njeriu i vendosur dhe i gatshëm për sfida mund të ndërmarr diç të tillë por jo vetëm unë, ka edhe shumë të tjerë si unë. Ishte një episod sa e frikshme aq edhe interesante që ma ka pasuruar jetën dhe eksperiencën. Si i tillë ky udhëtim drejt një të panjohure na ka bërë më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat tjera që do i sjell e ardhmja.

Rajonipress: Si e thoni ndjenjën në mes “lakmisë”, kur e dini se atje ka rrezik dhe, asaj që ju keni dashur të shkoni atje për të punuar?

Sevdije Rexhepi: Njeriu e di të kaluarën, por të ardhmen – jo!Përherë është një arsye e qëllim për çfarëdo qoftë. Shumë si Unë, kanë shkuar atje dhe lakmia mbeti gjëja më e vogël, për faktin se kur krahasojmë gjërat tjera që kemi fituar dhe që kanë qenë pjesë e pandashme e qëndrimit tonë atje, psh: ndjenja e të qenurit në një vend, siç ishte Iraku, që sa herë gërmoje, zhyteshe në shtatë palë histori dhe kjo përherë e ka mbajtur të zgjuar unin tim poetik.

Rajonipress: Cilat ishin ato ngjarje më të trishtueshme për ju?

Sevdije Rexhepi: Ka pasur shumë sosh por mund ta veçoj njërën që pat shkaktuar dhembje tek të gjithë. Ishte rrëzimi i një aeroplani udhëtarësh, ku shumë prej tyre patën humbur jetën, po kjo ngjarje është e vjershëruar dhe datuar edhe në përmbledhjen time me poezi “Baladë mbi Balad”. Kjo nuk më hiqet dot nga mendja. Për krijuesit, kjo ngjarje është përshkruar në mënyrë poetike, me simbole dhe fjalë të tjera arti.

Rajonipress: Keni pasur shoqe e shokë, na tregoni nga cilat mese ishin?

Sevdije Rexhepi: Po. Unë kam pasur shumë shoqe dhe shokë nga shumë vende të botës. Të shtoj se kemi qenë që të gjithë një botë “e vogël” e krijuar dikund në Mesopotami dhe që të gjithë së bashku pinim ujë Tigri e Eufrati: amerikanë: Mat, Eric, John, Scott, Andre, Nathan,Gregg, Semetrice, Erika, Jeff; shqiptarë nga të gjitha trevat: Fatoni e Gerta, Merita, Mehedini, Izahiri, Albana, Mexhidja, Bekija, Arianiti, Shkëlqimi, Ekremi, Amiri, Flora,Bashkimi, Albani, Bedrija, Faruku e shumë të tjerë; kroatë: Stipe, Vojislav, Kruno, Ivona; boshnjakë: Senad, Samir, Said, Mersija, Armin, Amira, Sanela: maqedonë: Goce, Brankica, Vasil; Rumunë: Madalina, Florentina; filipinezë: Romeo, Amado, Honesto; indianë: Suresh, Babala, Gurvinder: turq: Hasan, Deniz, Gonca e të tjerë. Ishin edhe shumë të tjerë gjatë gjithë kësaj kohe që punuam bashkë, por me vullnet dhe me forcë jete.

Rajonipress: A ka diçka të shtoni se kur keni jetuar larg, a u ka shkuar mendja se do të ktheheni ashtu si e keni marrë rrugën e këtij misioni?

Sevdije Rexhepi: Natyrisht, se po. Gjithmonë ka qenë në mua një forcë e brendshme që kishte burimin në Dardani dhe gjithmonë krahët e shqiponjës kanë qenë dhe krahët e mi. Ajo më ka bërë më të fortë mua dhe shokët e shoqet e mia atje, në Irak, se nëpër festa nuk na linte vetëm e kjo na bënte edhe më të fortë. Përherë ishte edhe besimi te Zoti, se unë do kthehem ashtu si shkova .Kur e mendoj këtë “moment”, më jepet t`i përmendi vargjet e Serembes: “…atje Kosova na përkujton, se të huaj jemi te ky dhe”. “… s’ka më i dashur se atdheu yt!

Rajonipress: Çka ju lidhi jeta e juaj me një jetë jo të qetë, por me ngjarje dramatike?

Sevdije Rexhepi: Dramat çfarëdo qofshin ato janë pjesë e jetës. Prandaj, mund të them se, jeta jonë në Irak, ishte pak më ndryshe se të zakonshmet, por që na kanë mësuar shumë, gurbet-lufta e cila na ka bërë më të fortë, më të vetëdijshëm për shkollën e quajtur – Jetë.

ARKATANA

Rajonipress: Na rrëfeni ngjarje, të cilat rëndë të hiqen nga mendja e përjetimit?

Sevdije Rexhepi: Unë e kam shkruar veprën “Baladë mbi Balad”, vepër me poezi, e cila flet shumë për ato ngjarje të rënda jete të Irakut, ku qëndrova disa vjet. Poezia e thotë këtë më së miri, ajo është një lloj ditari i jetës sime por jo vetëm i imi por edhe i të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e saj.

Rajonipress: Si e adhuroni poezinë, si vlerë apo si krijim shpirtëror?

Sevdije Rexhepi: Lirisht mund të them se poezinë e dua dyfish, si vlerë por edhe si krijim shpirtëror. Poezia ka qenë një shok besnik imi, i durueshëm të dëgjojë se çfarë thoshte mendja e zemra në momente të ndryshme të qëndrimit tim në Irak. Dhe, më besoni se ka pasur shumë të tilla ngjarje që kanë qenë pjesë e ditarit të përditshmërisë atje. Prandaj them se poezia ka pasur barrën më të rëndë. Ka bartur në vete atë që unë kam liruar nga brenda.

Rajonipress: A ju shkon mendja të shkoni edhe ndonjë herë në Irak?

Sevdije Rexhepi: Për momentin, jo! Por, nuk e përjashtoj mundësinë, kurrë mos thuaj kurrë apo jo? Edhe një sfidë tjetër do ishte ndoshta edhe më interesante se kjo që përjetova.

Rajonipress: Si ishte puna me njerëz dhe si ju konsideronin juve si shqiptare?

Sevdije Rexhepi: Vendi, por edhe natyra e punës na ka bërë të mundur që të njohim shumë njerëz kulturash të ndryshme dhe kjo na ka pasuruar, jo vetëm shpirtin por edhe fuqinë e zemrës. Neve, si shqiptar, na konsideronin (gjithmonë duke u nisur nga përshtypjet që u kemi lënë ) si shumë punëtorë dhe të vyeshëm, të përgjegjshëm në punë, të respektueshëm, si popull që ruan vlerat e mbi të gjitha që e duam shumë atdheun, si gjënë më të shtrenjtë..

Rajonipress: Keni festuar shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, na përshkruani këtë?

Sevdije Rexhepi: Çdo festë që ka pasur të bëj me Shqiptarinë jemi munduar që të bëjmë atë sipas hapësirës dhe mundësisë në rrethanat e atij vendi. Meqenëse, Pavarësia na gjeti në një skaj tjetër të botës, atëherë shoku ynë, Arianit Reka, një i ri nga Struga e dha idenë, e që u përqafua edhe nga të tjerët për të organizuar një mbrëmje, ku i ftuam të gjithë shokët tanë: amerikanë, boshnjakë, maqedonë e të tjerë dhe që të gjithë shqiptarët të jenë të veshur me fanella të bëra enkas për këtë festë të madhe kuq e zi. Ne i bëmë të gjithë kureshtarë gjatë ditës, pse , si, kush janë, pse janë veshur njëjtë? Dhe kur e kuptonin, vinin e na uronin festën Pavarësinë e Kosovës. Në mbrëmjen e 18 shkurtit, ëndrra na u bë realitet dhe festuam bashkë me miqtë tanë të mirë. Atë ditë urimi na erdhi edhe nga kreu i Kompanisë, kjo ishte shumë e veçantë për ne.

Rajonipress: A valonte edhe atje flamuri ynë kombëtar apo shtetëror?

Sevdije Rexhepi: Që nga viti 2007, Flamuri kuq e zi ka valuar edhe te pjesa ushtarake, por edhe në Kuzhinën ku hanin pjesa me e madhe e civilëve dhe ushtarakëve të Kampit në Balad dhe kjo gjithmonë më iniciativën tonë. Dhe, të besoni se të shohësh Flamurin të valojë në vendet kyçe ka qenë gjë e jashtëzakonshme për ne atje. Pas vendosjes së Flamurit tonë, pasuan edhe të të tjerëve.

Rajonipress: Çfarë do të ishte porosia juaj për lexuesit?

Sevdije Rexhepi: Sfido…kurdo që të jepet rasti…dhe beso shumë…

Rajonipress: Është ndjenjë e mirë të jesh përsëri në Kosovë apo jo?

Sevdije Rexhepi: Ndjenja më e mirë në botë…
Intervistoi:Tefik Selimi

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.