Eko Higjiena

Një datë dhe 1726 fate

/ 6 minuta lexim

Nga Blerim Shala – Zbardhja e fatit të pagjeturve në Kosovë, kërkon emërimin e një Emisari Special të BE-së, i cili do të ishte rezultat i dialogut të Brukselit.

Njësia matëse në këto raste është fare e qartë, e prerë, e saktë (poashtu). Ajo nuk duron shpjegime a interpretime shtesë që relativizojnë rezultatin final. Këtu nuk ka gotë gjysmë të zbrazët a gjysmë të mbushur e cila pastaj ndanë optimistët dhe pesimistët. Këtu bëhet fjalë për fatin e të pagjeturve në vitet e luftës në Kosovë, në vitet 1998, 1999.

Çkado që të bësh, sado që të mundohesh, pa marrë parasysh depërtimet që i bën në gjetjen e të vërtetës për të zhdukurit, të thuash, asgjë nuk vlen derisa të mos gjenden ata, derisa familjet e tyre të mos i varrosin ata në vendin e tyre, derisa kjo temë të përmbyllet një herë e përgjithmonë.

Në Ditën e të zhdukurve, me 30 gusht, u theksua që janë edhe 1726 njerëz dhe fate, të cilat ende presin të zbardhen. Në ngjarjet që përcollën shënimin e kësaj dite, pati shumë emocione, fjalë të cilat shfaqnin dëshpërimin që shpeshherë kalon në akuza dhe mllef (të gjitha këto nuk ke si të mos i kuptosh dhe të justifikosh), dhe pati zotime të sërishme që kjo temë do të adresohet aty ku duhet: Në komunikimin në mes të Qeverisë të Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, që tash e gati një vjet njeh relacionin e vendosur në kuadër të bisedimeve të Brukselit, të udhëhequra nga Catherine Ashton.

Janë tri segmente në trajtimin e temës së të zhdukurve.

Segmenti i parë, ai që gjithqysh ka përparësinë, klasifikohet si segment humanitar dhe ka të bëjë drejtpërdrejt me familjet e të pagjeturve, të cilat nuk mund dot ta gjejnë qetësinë, derisa të mos gjenden të afërmit e tyre. Nuk ka fjalë dot të përshkruajë pritjen e cila ka hyrë në vitin e 15-të, në verën e këtij viti, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me ta, për t’i gjetur ata dhe për t’i kthyer në atdhe. Në ndërkohë, veçmas menjëherë pas përfundimit të luftës, këto familje jo rrallë kanë marrë lajme të rreme, kanë dhënë edhe para me shpresën që ata, më të dashurit e tyre, janë diku gjallë dhe që do të kthehen tek ta. Pastaj, ka ngjarë që dhjetëra herë të marrin tjetër lajm, atë për gjetjen e mbetjeve të tyre, dhe as atëherë, nuk ka dalë e vërteta në shesh. Si thuhet ndër ne, njeriu duhet të jetë më i fortë se guri për t’i përballuar të gjitha këtyre ngjarjeve. Jeta e të gjallëve, e 1726 familjeve, tash e 15 vjet, në fakt, është peng i një të vërtete tragjike, e cila duhet të merr formën e varrezave ku ata do të prehen, dhe ku familjarët e tyre do të jenë në gjendje të vazhdojnë jetën.

Uji Dea

Segmenti i dytë i kësaj çështjeje njeh anën politike të saj. Kjo çështje ka pritë dhe ka përcjellë Administratë ndërkombëtare (të UNMIK-ut), Qeveri të shumta vendore, Grupe të veçanta punuese, takime të shumta në Prishtinë dhe gjetiu. Është çështje që nuk ka si të mos merret parasysh prej autoriteteve vendore, ndërsa njëkohësisht, mungesa e një rezultati të matshëm, shfaqet pastaj herë si mosinteresim (i shkallës së duhur), herë si pafuqi e tyre për ta bërë atë që duhet në këto raste. Implikimi tjetër politik natyrisht shprehet në varshmërinë e drejtpërdrejtë të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë me mbylljen e kësaj kaptine të mbetur nga Lufta e mbramë në Kosovë.

Pra, kjo temë ka pasojat e saja të qarta politike, të cilat duhet patjetër të merren parasysh. Më në fund, është edhe segmenti ligjor, i cili shfaqet në trajtë të kërkesës për drejtësi, për ndëshkim të atyre që kanë bërë krimin e dyfishtë me gjithë këta kosovarë: Së pari, duke i vrarë, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike, së dyti, duke e fsheh krimin dhe viktimat e tij. Kjo çështje poashtu nuk ka si të mos trajtohet, herët a vonë, midis tjerash, sepse nuk është edhe aq vështirë të gjinden adresat e atyre që kanë bërë këtë krim të dyfishtë. Vërja në vend e drejtësisë, poashtu ka implikimet e saja politike në synimin për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet e Brukselit, nuk kanë si të mos e trajtojnë këtë çështje, kur të merren parasysh segmentet humanitare, politike dhe ligjore të temës së të zhdukurve.

Por, për të bërë atë depërtimin konkludues në këtë çështje, dialogu si i tillë, nuk mjafton. Këtu duhet të konsiderohet seriozisht, prej Prishtinës në radhë të parë, por edhe prej Beogradit, propozimi që ndryshe kishte gjetur vend në disa prej Draft-Rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të propozuara në pranverën e vitit 2007, kur pritej të konkludohej tema e statusit të Kosovës, tashmë të propozuar prej Presidentit Ahtisaari. Këto Draft-Rezoluta u përgatitën prej SHBA-së dhe shteteve evropiane – anëtarë të instancës më të lartë të sigurisë ndërkombëtare. Në përmbajtjen e tyre pati gjeti vend edhe çështja e të zhdukurve, e cila duhej të adresohej dhe të zgjidhej, sipas këtij propozimi, me emërimin e një Emisari Special Ndërkombëtarë që do të merrej ekskluzivisht me këtë temë.

Tani, rrethanat kanë ndryshuar në shumë aspekte, por duket që domosdoshmëria e ekzistimit të një detyre të këtillë, të një posti të kësisojt, me një personalitet të njohur evropian që do ta ushtronte këtë detyrë, është po ajo që ka qenë në vitin 2007.

Ky Emisar Special do të mund të caktohej nga Bashkimi Evropian, nga Zyra e Zonjës Ashton, dhe rezultatet e punës së këtij Emisari do të mund të ishin njëri prej kritereve për integrimin në BE.