RCCOLA

Një cirk i rrezikshëm

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Lojërat politike dhe deklaratat skandaloze të politikanëve po i ngjajnë një cirku me akrobacione e gjimnastika të rrezikshme, me pasoja të rënda edhe për shikuesit. Biletën për shfaqjet e shëmtuara qytetarët po vazhdojnë ta paguajnë shtrenjtë.

Menaxherë të ndonjë cirku mund t’ia kenë lakmi skenës politike kosovare, për akrobacionet e shumta dhe gjimnastikat që po kryhen, në përpjekje për të krijuar qeverinë e re. Gjithçka po shoqërohet me gjuhë kërcënuese e fyese nga krerët e lartë të shtetit, si dhe me deklarata paranojake të politikanëve të tjerë, të cilët në mendje krijojnë edhe insinuata se si shteti i tyre mund të kryejë sulme terroriste ndaj aeroplanit me të cilin ata udhëtojnë.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, më 25 mars, ishte shenjë e qartë se partitë politike, veç Vetëvendosjes, do të provojnë të krijojnë qeverinë e re, pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në funksion të kësaj, u kryen të gjitha procedurat e nevojshme nga ana e të parit të shtetit, për t’ia lënë radhën Gjykatës Kushtetuese që ta vlerësojë kushtetutshmërinë.

Por, ky skenar që dihej se si do të zbatohej që nga fillmi, u shoqërua me të tjera veprime e deklarime, të cilat e rënduan edhe më shumë klimën politike.

Në situatën kur çdo votë për krijimin e koalicionit të ri qeverisës është e rëndësishme, siç ka ndodhur disa herë në Kosovë, natyrshëm luhen edhe skena të denja për pika cirku. Kështu ishte rasti me deputetin Behgjet Pacolli, rreth kthimit të të cilit në Kosovë u çua shumë pluhur. Madje u raportua se vetë presidenti i vendit kishte udhëtuar për Tiranë që ta marrë me vete në veturë dhe të kthejë në Kosovë, sepse autoritetet kishin paralajmëruar karantinimin e tij.

Pacolli erdhi dhe shkoi në shtëpinë e vet, por deklarata e tij për gazetarët në aeroport ishte skandaloze. Ai tha se ishte frikësuar se shteti i Kosovës do të mund të ndërmerrte ndonjë sulm “terroristik” kundër fluturakes me të cilën udhëtonte. Një politikan i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm nuk do të bënte deklarata të tilla. Nuk do të aludonte që shteti, ministër i Jashtëm i të cilit ka qenë deri para pak muajsh, do të bëjë sulm terrorist ndaj tij. Këso paranojash është e vështirë të prodhohen edhe nga skenaristë të filmave triller.

Por, një natë përpara se Pacolli të shfaqte paranojën e tij, ishte vetë presidenti ai që lëshoi akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e quajtur organizatë kriminale.

* * *

Uji Dea

Mund të kuptohet animoziteti i liderëve politikë karshi njëri-tjetrit. Mund të kuptohet edhe animoziteti ndërmjet miltantëve të partive të ndryshme. Por, është skandaloze që një president i vendit, i cili sipas kushtetutë përfaqëson unitetin e qytetarëve, të bëjë deklarata të tilla. Për më tepër të përdor gjuhë kërcënuese, duke thënë se po i priste në shtëpi njerëzit e Vetëvendosjes për të qëruar hesape.

Nuk është hera e parë që presidenti përdor gjuhë të tillë. Ngjashëm kishte vepruar edhe në kohën e protestave masovike të opozitës. Por, nga pozita e të zgjedhurve të popullit dhe jo vetëm, edhe pjesëtarë të Vetëvendosjes kanë ditur të jenë akuzues e fyes ndër vite karshi presidentit Thaçi dhe të tjerëve, duke i quajtur kriminelë, banditë e tradhtarë. Një gjuhë që nuk do të duhej të ishte ne fjalorin e politikanëve, aq më pak në situata të tensionuara politike që përbëjnë rrezik eskalimi.

Dëshira për pushtet dhe realizim qëllimesh politike shpeshherë humb arsyen e shëndoshë, por diskursi i tillë kurrsesi nuk duhet të tolerohet dhe nuk bën të shndërrohet në diçka normale, i pranueshëm si i mirëqenë nga të gjithë. Siç nuk duhet toleruar dhe arsyetuar as deklaratat si ajo e Pacollit për shtetin e vet, që po mundka të ndërmarrë akt terrorist ndaj tij. Një huqje me pasoja të rrezikshme.

Kosova i ka institucionet, të cilave duhet drejtuar për çfarëdo pakënaqësie a mospajtimi me cilëndo palë. Por nuk duhet lejuar assesi që ligjin ta marrin në dorë politikanë të papërgjegjshëm, të cilët përpiqen që në këtë mënyrë t’i realizojnë qëllimet e veta pa zgjedhur rrugë e mjete.

* * *

Duhet të jesh fort i papërgjegjshëm të provokosh e të shkaktosh krizë politike në një situatë të rëndë. Por, po ashtu, i tillë duhet të jesh edhe t’i frysh zjarrit në çfarëdo forme, në përpjekje për t’i çuar përpara qëllimet e përcaktuara.

Është e dhimbshme që, njëzet vjet pas luftës, skena politike kosovare ende i ngjan një cirku, ku befasitë nuk kanë të ndalur, një cirku në të cilin nuk di nëse duhet qeshur a qarë me akrobacionet që bëhen, një cirku biletën e të cilit qytetarët po e paguajnë shtrenjtë. Mund të kuptohet frustrimi i njerëzve për situatën e krijuar, por kjo nuk duhet t’i jep askujt të drejtë që ta përdor atë për realizimin e interesave të veta, me pasoja të pakëndshme për të ardhmen.