Një autor i vockël, për një personalitet të madh

Gjilan – Agim Sylejmani, “RRUGËTIMI I NJË VIGANI”, roman, kushtuar Heroit të Kombit Rexhep Malaj.
Për një roman historik, në të cilin pasqyrohet jeta dhe vepra e një personaliteti, para së gjithash, kërkohet që nga afër të njihet jeta e atij personaliteti, ose të bëhen hulumtime të thella mbi biografinë e tij, qoftë të shkruar, qoftë të rrëfyer. Hulumtimet, gjithsesi, duhet të jenë kritike, gjithëpërfshirëse dhe të shumë burimeve, si për heroin, ashtu edhe për shokët dhe bashkëveprimtarët e tij.
Romani “RRUGËTIMI I NJË VIGANI”, kushtuar Heroit të Kombit Rexhep Malaj, i autorit Agim Sylejmani, në këtë rrafsh lë për të dëshiruar.
Po të ishte shkruar libri në një distancë më të madhe kohore, kur bashkëveprimtarët, ose ata që janë rritur me heroin dhe e kanë njohur nga afër, nuk janë në mesin e të gjallëve, ndoshta edhe do të kishte pakëz kuptim rrëfimi i tij.
Agim Sylejmani nuk e ka përmbushur kriterin elementar të një vepre, që mëton të jetë realiste, ngase Heroin e romanit e paraqet jashtë përmasave njerëzore, mbinjeri, të veçantë, superior mbi shokët, pa shoq krah tij dhe dominues në çdo mjedis e rrethanë.
Pra, realiteti e dëshmon të kundërtën, Heroi Rxhep Malaj ka qenë njeri i zakonshëm, si shumica e bashkëmoshatarëve të kohës. që nga fëmijëria e deri në moshën e pjekurisë, porse me disa tipare dalluese, si: guximi, karakteri i fortë, sensi për bashkëpunim dhe prirja për afrim me bashkëmendimtarë.
Dikush ka thënë se: “Heronjtë janë njerëz të zakonshëm, të cilët, në rrethana të pazakonshme, bëjnë vepra heroike”. Kjo duhet të kihet parasysh edhe në rastet kur duam t’i portretizojmë ata edhe në vepra letrare, të çfarëdo zhanri qofshin ato.
Stili i të shkruarit të librit të autorit Sylejmani është i vjetruar, i kohës së real-socializmit, pra i para 60 vjetësh, si ta kishte shkruar një nga anëtarët e DEBATIK-ut.
Për autorin, shqiptar i mirë mund të jetë vetëm malësori!? Sipas tij, vetëm një nanë malësore po mundka të lindka, të rritka dhe të edukuaka heronj, ndërsa njeri i ndershëm qenkësh vetëm i varfri, i cili paskësh karakter kryengritës dhe qenkësh i panënshtruar…
Si pasojë e kësaj mendësie, edhe pse Hogoshti është pjesë e Anamoravës, meqë u dashka të jetë malësi, ai këtë ‘e bart’ në Gollak!?
Tipa të tillë, të cilët betoheshin dhe betohen me përulësi në veprën Marksizëm-Leninizmit, në veprën e xhaxhit Enver, trumbetonin se në Shqipërinë e xhaxhit, punëtori i krahut fiton më shumë se vetë xhaxhi Enver, ku mbizotëronin begatia, drejtësia sociale…, vazhdojnë me avaz, nëse jo të njëjtë, atëherë të ngjashëm. Për ironi, pikërisht një numër i këtyre patriotëve, sot janë duke e kalëruar Kosovën, e kanë deformuar shoqërinë kosovare dhe moralin e saj (për pasojë) është djerrë deri në skajshmëri, sepse sot pakkush beson që mund të punohet dhe të fitohet me punë të ndershme, pa vjedhje, pa korrupsion, pa uzurpim, pa krim ekonomik, pa nepotizëm, pa klientelizëm… etj., etj.
Autori personalitetet e romanit i ka reale, të paimagjinuara (ama, jo edhe veprimet e tyre), por disa i ka cilësuar me nofka, disa me emra të shkurtuar, disa me emra të ndryshuar. Vetëm baca Mehmet (babai), zonja Fahrije (nëna), Isa dhe Nuhiu, të cilët nuk janë në mesin e të gjallëve, kanë emra realë…? Emra realë kanë edhe punëtorët e sigurimit shtetëror jugosllav.
Në pjesën e parë të librit, autori rrëfen për fëmijërinë e Rexhepit. Gjatë rrëfimit të jetës fëmijërore, kryesisht përqendrohet në rivalitetin ndërmjet Rexhës dhe Isës, që është gafa e parë e autorit. Ky rivalitet inekzisten, është edhe i paqëndrueshëm kur kihet parasysh fakti se ata kanë një distancë në moshë prej katër vjetëve (Isa i lindur më 1947, ndërkaq Rexhepi 1951), që, për moshën e fëmijërisë, është shumë domethënëse (Kur Rexhepi ka qenë 3 vjeç, Isa tashmë ka shkuar në klasë të parë!)! Gati në çdo rast kujdeset që Rexhën ta paraqesë si më superior, më koshient, më vizionar dhe më të guximshëm (sic!).
Në moshën e maturimit, që të dy iu përkushtuan çështjes kombëtare.
Për veprimtarinë e tyre patriotike, përjetuan vuajtje të rënda, me burgime të gjata në kazamatet e ish-Jugosllavisë. Të dy ranë në fushë të betejës, njëri në Kodër të Trimave, në betejë me forcat speciale policore serbo-shqiptare, janarin e viti 1984, dhe tjetri në Marec, në prill të vitit 1999, në betejë më armikun shekullor.
Njëri i shpallur Hero, e tjetri Dëshmor i Kombit. Që të dy të lindur dhe të rritur në të njëjtin fshat (në Hogosht) në lagjen e Kastratëve. Të vetmin dallim kanë moshën dhe nivelin e arsimimit. Kur kanë rënë në burg, në vitin 1975, Isa ka qenë asistent në fakultetin filozofik, katedra e gjuhëve, ndërkaq Rexhepi student në fakultetin e ekonomisë. Nga dita e shpalljes së dënimit, në vitin 1975, nuk kanë pasur rast të takohen për të gjallë. Ditën e rënies së Rexhës, Isa ka qenë duke vuajtur dënimin e tretë, në burgun e Spuzhit, afër Podgoricës.
Kur kihen parasysh të gjithë këta faktorë, atëherë, kujt po i intereson që, nëpërmjet rivalizimit imagjinar, për të mos thënë të shpifur, t’i ndajë këta patriotë për së rëni? Kujt po i intereson që familja e Sali Fejzë Kastratit dhe e Malajve, të paraqiten si fqinjë që na paskan rivalitet midis tyre, me ideologji të ndryshme…?! Sigurisht, këtyre dy familjeve – jo, sepse me shekuj kanë jetuar në vëllazëri dhe fqinjësi mes vete. Kanë ndarë të mirën dhe të keqen, gëzimin dhe hidhërimin.
Është, duket, krimbi i përçarjes, si recidiv ideologjik Marksist-Leninist, që shfrytëzon çdo rast, çdo manifestim, çdo promovim të Heroit, ai që hedh farën e përçarjes për interesa egoiste dhe karrieriste.
Familja e Sali Fejzës, veprimtarinë e vet patriotike nuk e ka filluar me organizimin e celulave marksiste-leniniste (edhe pse ka vepruar edhe me këto organizata), por shumë më herët. Në luftë për mbrojtjen kombëtare, ka dhënë Dëshmorin e kombit, Muharrem Fejza, në vitin 1945, duke luftuar kundër hordhive çetniko-komuniste, Pjesëtarët e familjes janë dënuar me më tepër se 53 vjet burg për veprimtari politike (33 vjet i kanë vuajtur) në shekullin që e lamë pas, ndërkaq, në luftën e fundit ka dhënë dëshmorin tjetër, Isa Kastratin, duke u radhitur në radhët e UÇK-së edhe 7 anëtarë të tjerë të familjes.
Në një vepër letrare, autori, me imagjinatën e tij, ka lirinë që në mënyrë artistike të shprehë mendimet e veta për veprimtarinë e protagonistit kryesor, në këtë rast të Heroit Kombëtar Rexhep Malaj, mirëpo, meqë ai merret me përshkrimin e aktiviteteve dhe veprimeve (reale) të përbashkëta me Isën, që nga fëmijëria deri në moshën e maturimit, sikur në rastin e organizimit për arratisje në Shqipëri dhe raste të tjera, autori nuk guxon të largohet nga e vërteta. Përshkrimet e tij shpeshherë kalojnë në sferën e imagjinatës fantastike, që do të ishte normale sikur të bëhej fjalë për një roman fantastiko-shkencor.
Përveç Agim Sylejmanit, pakkush beson se Enver Hoxha është interesuar për Rexhepin dhe e ka urdhëruar Hisni Kapon që ndaras nga shokët të takojë Rexhën…!? Me këtë rast autori keqpërdor mungesën e rrëfimit autentik të dy protagonistëve të ngjarjes. Mirëpo, ai harron se në mesin e të arratisurve në Shqipëri kanë qenë edhe dy protagonistë të tjerë, të cilët janë gjallë.
Në romanin e tij, autori lë të kuptohet se rrëfimin e ka marrë nga Rexhepi, derisa ata kanë qëndruar së bashku në burgun e Foçës në BeH. Duke njohur karakterin modest dhe fisnik të Rexhepit, është e pabesueshme që ai ta ketë vënë veten gjithkund dhe me çdo rast në plan të parë, deri në absurd. Autori shkon aq larg, saqë Rexhepi (edhe pse më i ri) në shumë raste të qortojë Isën për reagimet e tij të vrullshme, shpeshherë të pamatura, naive, me dilema dhe me mungesë të sigurisë.
Gjithkush që e ka njohur Isën, rrëfimeve të autorit jo që nuk u beson, por ato i përbuz me neveri. Nisur nga realiteti se gjatë arratisjes dhe qëndrimit në Shqipëri, Rexhepi ka qenë 19 vjeç, ndërkaq Isa 23 vjeç, me shkallën e parë të kryer të fakultetit të matematikës, me përvojë modeste pune si profesor i lëndës së matematikës në shkollën e mesme të ekonomisë në Gjilan, rrëfimi i autorit, sa është i pabesueshëm, aq është keqdashës, dhe, si i tillë, tërësisht i paqëndrueshëm.
Që nga lashtësia deri në ditë e sotme, që nga Homeri i Iliadës dhe Odisesë e deri të Fishta, çdoherë kur flitet dhe shkruhet për heronjtë dhe bëmat e tyre, për të ngritur veprën e Heroit në përmasa sa më të mëdha, lavdërohet dhe madhërohet edhe kundërshtari, e le më shokët dhe bashkëluftëtarë e tij. Në këtë roman ka ndodhur e kundërta. Duke e veçuar Rexhepin si diç të veçantë, autori i romanit atë e ka bërë më të largët, më jopopullor, më jonjerëzor.
Për informim të autorit, Isa Kastrati jo vetëm që ka lënë mbrapa një vepër monumentale, por edhe 6 fëmijë të shëndetshëm dhe të edukuar, të cilët, me punën e tyre të përkushtuar dhe të mbështetur në forcat e veta, janë duke u arsimuar në universitete prestigjioze. Qëndroni është duke mbaruar fakultetin elektroteknik, Fitoni është kadet në AUK, pranë FSK-së, Gëzoni në fakultetin e filozofisë, dega e psikologjisë, Krejona në arkitekturë dhe Agoni me Festonin, studiojnë në dy universitete të SHBA-së.
Agim Sylejmani bën gabim të rëndë me rastin e përshkrimit të zbulimit të vendndodhjes dhe rrethimit e Rexhep Malajt e Nuhi Berishës nga njësitë speciale. Duke e fshehur praninë e personit të tretë (Bashkim Gollakut), ai vetëm sa e rrit enigmën dhe misterin e kësaj ngjarjeje sa tragjike, aq edhe heroike. Gjërat nuk duhen komplikuar! Tjetër gjë është prania dhe tjetër qëndresa.
Marrë në tërësi, me romanin “Rrugëtimi i një Vigani”, autori, edhe pse ka bërë përpjekje që, në 380 faqe të romanit, të pasqyrojë sa më autentike jetën dhe veprën e Rxhep Malajt, në shumë segmente nuk ia ka dalë mbanë. Ka pasaktësi datash, ndodhish dhe përsëritje të panevojshme të ngjarjeve. Nuk ka arritur që Rexhep Malajn ta paraqesë ashtu siç ishte, por e ka paraqitur ashtu siç ka dashur autori që ai të ishte. Ai nuk është Rexhep Malaj që e njohim, Hero Kombëtar i Kosovës./rajonipress/