Uji Dea

Nisi festa e Pavarësisë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Manifestimet për shënimin e ditëlindjes së pestë të shtetit të Kosovës, kanë nisur që nga 15 shkurti, me mbajtjen e një akademie solemne në Universitetin e Prishtinës dhe kanë vazhduar edhe gjatë së shtunës, me aktivitete të ndryshme të institucioneve kulturore publike, kanë njoftuar zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, përgjegjës për kulturën.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se manifestimet për pesë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kanë vazhduar edhe gjatë ditës së shtunë.

​​“Anekënd Kosovës, që nga mëngjesi, po bëhen homazhe nga delegacionet zyrtare të të gjitha institucioneve bashkë. Ndërsa, më vonë, në orën 18, do të ketë një pritje nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Jahjaga, për të ftuar të veçantë, korin diplomatik dhe të tjerë e që do të përcillet edhe me një koncert të Filarmonisë së Kosovës, si dhe për të vazhduar më pas në orën 20 me shfaqjen mysafire ‘Amadeus’ nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë që do të jepet në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

KKVITI

Ministri Krasniqi ka theksuar se gjatë ditës së diel, më 17 Shkurt, do të vazhdojnë aktivitetet e tjera, në funksion të shënimit të ditës së pavarësisë së Kosovës.

“Do të vazhdojnë aktivitetet tjera, duke filluar në mesditë, në orën 12, me paradën e pavarësisë – paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Emergjent, me koncerte për fëmijë e deri te koncerti i fundit, i mbrëmjes, që do të jetë në orën 20, në sheshin qendror të Prishtinë, për të përmbyllur gjithçka edhe me ndezjen e fishekzjarrëve”, ka sqaruar Krasniqi.