GRANDEMALL

Ngadhënjimi i idesë – vlerësim eseistik

/ 14 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mehmetali Rexhepi – Izmi Zeka: EPOKA DEMAÇIANE dhe shkrime të tjera; Ars Clubi “Beqir Musliu”; Gjilan, 2018

Libri i radhës i historianit dhe veprimtarit kombëtar e politik Izmi Zeka, titulluar”Epoka demaçiane dhe shkrime të tjera”, botuar përmes Ars Clubit “Beqir Musliu”, përkatësisht Bibliotekës Omnibus, në Gjilan, më 2018, hapet me brengën për veprimtarët e devotshëm atdhetarë, ata që mbetën “të patrajtuar si duhet, të pavendosur në vendin meritor të historiografisë sonë kombëtare” Përmbyllja e renditjes së këtyre shkrimeve që përmbushin këtë libër të karakterit e llojit të pleksjes së publicistikës historike me vështrime të aktualitetit, shtrohet brenda katër kapitujve.

“Shpalime“ është kapitulli që mbizotëron lëndën, prej tetëdhjetë e dy faqesh, përderisa i tërë libri përmban njëqind e njëzet e dy sosh. Këtë kapitull e përshkon uniteti tematik e motivues, i shkallës maksimale të dashurisë deri në sprovat më të rënda të besnikërisë ndaj idealit atdhetar. Domosdo që ky ideal, ideali i dashurisë për atdheun, përshkohej nga vuajtje, tortura e sprova të pa treguara dhe të pashkruara… Andaj, pikërisht këtu e gjen motivin autori i këtij lloji të shkrimit, për t`i zbardhur e pikasur flijuesit idealistë, të pa-tjetërsuarit me asnjë çmim, personazhet që do të jenë modele për rrënjët, degët dhe frytet e lirisë. Në këtë kontekst më vjen natyrshëm parafrazimi i pohimit margaritar të dëshmorit Bahri Fazliu: Nëse doni të dini për dëshmorët ecni rrugës së tyre.

Brenda “Shpalimeve” të tija historike, autori mëton të gjejë fijet e këputura të veprimtarëve, të organizatave orientimesh e bindjesh të ndryshme, për t`i lidhur hallkat e këputura në një strumbullar, nën një kulm e nën një flamur, nën flamurin e strumbullarit e të kulmit kombëtar.

Çka sjell dhe çfarë është për tu nënvizuar në publikimin e ri të autorit Izmi Zeka? Shpërfaqja e karakterit kryengritës, fryma flijuese dhe shpirti luftarak i katër veprimtarëve e luftëtarëve, aspekte bëmash, qëndrimesh e përjetimesh mizorive të birucave, antinomive të egra e të lavdishme të fushë-betejave; dhimbja e thyerjeve fizike dhe ngadhënjimi shpirtëror i Efendi Haki Sermaxhajt, i Rexhep Malajt, i Nuhi Berishës, i Bekim Berishës-Abejes, mandej spikatja e disa veçorive të prijatarëve shpirtërorë, ideorë, të ideologëve artistikë, të frymëzuesve të intelektit kombëtar, si: Adem Demaçi, Ukshin Hoti e Dritëro Agolli.

Në tre kapituj pasues të librit “Epoka demaçiane…”: Meditime, Gjykime dhe Vrojtime, historianin dhe publicistin Izmi Zeka e thërret zëri i ndërgjegjes së pafjetur: të meditojë, të gjykojë dhe të vrojtojë, gjithnjë sipas diskursit atdhetar, kahet e rrjedhojave, trajtimin dhe nëpërkëmbjen e konceptit çlirimtar në rrethanat e shtet-bërjes dhe të shtet-ndërtimit të Kosovës! Ai vë në shënjestër të satirës shtresimet servile, pushtet-përfituesit e deridjeshëm të mendësisë jugosllave, ndjekësit e bartësve të idesë kombëtare, indiferentët e djeshëm peng-vënës të sotëm dhe sojin e tillë, gangrenë e ecjes së drejtë të etnisë…

Izmi Zeka ngre diskursin e mospajtimit për rrethanën e shpërfilljes, të përbuzjes, të inkriminimit, pas provës së dëshmuar të sakrificës, në emër të “(pa)pastërtisë” së Luftës Çlirimtare në Kosovë! Ai nuk pajtohet assesi që individët e inkriminuar të identifikohen me shenjtërinë dhe pastërtinë e UÇK-s. Inkriminimi i konceptit çlirimtar nga kushdo që bëhet, brenda dhe jashtë subjektit etnik, me dashje për ta mbuluar ligësinë e shtresimit përkatës të njërës palë dhe, për t`i barazuar krimet e gjenocidin e palës tjetër me çlirimtarët… Në kursin e autorit, këto prirje rrënimtare kanë një emërues të përbashkët: që emblema çlirimtare të mos ketë fytyrën e vet, as sinonimin e shkëlqimit të bardhësisë!

Në publicistikën e periudhës të pas Luftës Çlirimtare, autori togfjalëshin e konceptit luftë çlirimtare priret ta zgjerojë, duke kapërcyer periudhën e veprimit e të ndërveprimeve dinamike në këto hapësira, për t`i vendosur në një përmasë më të gjerë, më gjithëpërfshirëse, të emërtuar: epoka demaçiane. Po kështu, me përplasjet e valëve të një diskursi të tillë të eseistikes politike, do të përballej, para tetëmbëdhjetë vitesh, autori i njohur Ismail Syla në librin “Joplotënia e lirisë”, publikuar në Prishtinë, në vitin 2000.

Për të mos përjashtuar të tjerë autorë e pena të mprehta të publicistikës historike e politike, pikë-përqendrimi ynë nuk lë hapësirë për zgjerimin me emra lavërtarësh tjerë të kësaj fushe.

Interesimet publicistike të vrojtuesit Zeka, siç duket në këtë vëllim shkrimesh, i kapërcejnë caqet e përmasave shqiptare dhe shfaqin shqetësime për turbullimin e rrjedhave të paqes, veçmas për Rajonin tonë. Lexuesi i sinqertë përballë tendencave vërshuese gjithë-sllave, nuk do ta parapëlqente indiferencën ose injorimin e tendencave agresive. Ai, po ashtu, do të kërkojë opinion për pyetjen e tij ekzistenciale: ku është ombrella jonë?! Ky diskurs shqetësues i këtij autori nuk sjell diçka të re, diçka të panjohur e të pathënë. Mirëpo, katrahurat, zbrazjet etnike të përmasave biblike të trojeve stërgjyshore, ia kanë stërholluar intuitën për nuhatje të gjëmës në stilin: Hanibal ante portas! Shkrimet duhet të lexohen në kuptimin se çfarë kanë tri të katërtat e tyre të padukshme. Porosia mund të dalë e tillë varësisht prej qasjes ndaj saj: herë si kumt për sy-çelësi, herë si përgjumje e vonuar… Në shtrirjen Ilirike të etnisë shqiptare, tashmë tejet të rrudhur dhe të ballkanizuar, të karakterizuar si “fuqi baruti”, rrethana shqiptare dëfton: të flesh prore me njërin sy të hapur…

Megjithatë, vrojtimet e sferës së politikës globale, gjithnjë në vetën e tyre ngërthejnë realitete të ndryshueshme, të rrëshqitshme, me shtytje të dukshme e të padukshme dhe aktin e kryer, sikurse shpërthimi i kërpudhave pas shiut të ngrohtë… Konstanta politike e qarqeve botërore vazhdimisht vibron me tendosje e shtendosje, me ndikime e kushtëzime; por dihet saktë: të vegjlit e dobët pësojnë. Shqetësimi intelektual i autorit Zeka, për vonesën e radhitjes së etnisë tij nën ombrellën Euro-Atlantike, është i përtrollitur dhe legjitim.

Shkaset e luftërave fetare fshihen prapa shkaqeve të gërshetuara, me një varg faktorësh për mbizotërime burimesh nëntokësore, ujërash, udhëkryqesh, hapësirash strategjike, ushtarake, politike, interesash ekonomike dhe si përplasje qytetërimesh…

Reflektimi i publicistit Zeka përkitazi ndikimeve e ndërlikimeve të politikës së fqinjëve dhe të rajonit, të emërtuar si Ballkani Perëndimor, ka një shtytje reale, ndonëse puro-realistët do t`i thoshin: shiko ndodhitë brenda gardhit tënd ende të pa thurur! Kuptohet, një logjikë e tillë frenuese për autorin, pjesëtarë i kombit të ndarë në pesë njësi administrative-shtetërore-politike-ekonomike, është i papranueshëm. Realiteti shqiptar përshkohet me kufij… Andaj, edhe si etni, edhe si përkatësi gjeografike e zonës sizmike tërmetet janë të parashikueshme.

Duke dalë nga vokacioni i publicistit e historianit, që e lidhin shtytjet e brendshme për qasje temash, motivimesh për ngjarje e figura historike, stili i të shprehurit kushtëzohet nga diskursi i paraqitjes së vërtetësisë. Shfaqja e drithërimave emocionale e cenon veçorinë parësore të kësaj natyre: faktografinë.

Mobi Casa

Në rrethanën e parë autori, me ndonjë oscilim, përfilli parimin shkencor; përderisa në rrethanën tjetër të tipologjisë, shtjellimit i huazoi fjalor ndjeshmërie dhe kaloi në natyrën e eseistikes politike me reflektime poetike. Me këtë stil shkrimi, autori Zeka, iu kthehet herë-pas herë dukurive, rropatjeve, lëvizjeve, kundërthënieve shoqërore, personazheve për tumirje, përgjegjësisë a papërgjegjësisë institucionale, thumbimeve për akëcilat prapështi, qortimeve, demaskimit, me dhimbje e spikatje meritash e modelesh, me brenga të vjetra e të reja… Tipi, stili dhe objektivi i shkrimit, që e hasim gjatë leximit të këtij libri, arrin shkallën e artikulimit themelor të qëllimit të paravënë: të mos zbehet e stërkeqet kujtesa kombëtare dhe njerëzore për brezat. Ky qëllim i lartë ngërthen çiltërsi dhe fisnikëri. Mirëpo, që të arrihet e bukura e kësaj mësymje lypet guxim, kulturë, durim e mjeshtri. Të gjitha këto premisa kanë koston e vet.

I vetëdijshëm për kërkesat dhe kriteret e bërjes së shkrimit të lexueshëm, Izmi Zeka për asnjë çast nuk iu shmang kësaj kostoje intelektuale. Pyetjes: a do t`ia dalë? Përgjigjen e dha libri i tij më i ri” Epoka demaçiane…”

Përvoja e autorit Zeka, për bërje të kënaqshme të shkrimit, tashmë ka filluar t`i buzëqesh. Pse mund të pohojmë kështu pa drojë? Zeka në qasjet e tija të shkruara arrin t`i kap, t`i reduktojë, t`i ndërtojë dhe t`i përgjithësojë, t`i shkurtojë, t`i kondensojë pohimet, konstatimet, përshkrimet e gjatësinë e lodhshme të thënies. Në këtë mënyrë, vërej një ngritje cilësore në llojin e tij të shkrimit, të cilin në paraqitjet e ardhme duhet edhe më tej ta disiplinojë, ta pasurojë, ta bëjë më dinamik, ta fisnikërojë kursin dhe diskursin, t`i analizojë e sintetizojë depërtimet në të fshehtat e jetës sonë.

Në esetë e tipit përgjithësues për Ukshin Hotin, “Ukshin Hoti kreator i politikës moderne të fundshekullit XX” dhe “ Epoka demaçiane…”, shtrohen e zbatohen disa nga kriteret e eseistikes politike moderne; ngase mundësia e shkurtimit të tekstit vihet në funksion të dendësimit dhe përgjithësimit të argumenteve. Ndërtimi i një teksti të qëndrueshëm, qoftë në trajtën e kumtit, ose të paraqitjes analitike të fenomeneve e ngjarjeve paraqet teori më vete. Skeleti i asaj teorie, pa mëdyshje, është sintaksa; përmbushja sintaksore dhe ndërtimi sintaksor i kuptimit… Këtu, ngjitjes së kësaj të përpjete intelektuale çalojmë të gjithë: kush më shumë e kush më pak.

Mjeshtëria e shkrimit, të shprehurit me shkrim është: të mbjellësh, të kultivosh, ta vjelësh dhe të mos e lëndosh frytin përkatësisht argumentin e vendosur në letër, në shumë ose pak faqe të librit.

Njeriu në botën e gjallë është i përkohshëm, por mençuria e njeriut pritet të jetë e përhershme. A do të mbesin të pavdekshme dëshmitë në qoftë se nuk shkruhen, nuk materializohen, nuk mbillen në libra si fond i çmuar trashëgimie e të gjallëve, si dëshmi të pashlyera ngjarjesh e bëmash, tragjedish e heroizmash, qyqarësh e trimërish, krimesh e pikëllimesh, dhimbjesh e ngazëllimesh?… Nga bota e amshuar nuk dihet të jetë kthyer ndonjë urtar i mençur… I mençuri i shkon si dhuratë amshimit, përderisa amshimi është kategori absolute e pangopur, ndaj asnjëherë mos të presim rikthimin e dhuratave të amshuara… Mirëpo, vijon inkarnimi lasgushian si zbutje e absolutes…

Janë karakterizuese dhe me peshë njohëse për të djeshmen dhe të sotmen, referencat e nënvizuara në librin “Epoka demaçiane dhe shkrime të tjera” nga Izmi Zeka. Çka është për tu theksuar si më parësorja e këtij libri? Dialektika e ideologjisë kombëtare. Nisma, formësimi, ngritja, rëniet dhe ri-ngritjet e idesë kombëtare në rrethana e dukje krejtësisht të pamundshme për rritën dhe përmbushjen e idealit kombëtar. Për ta fituar të drejtën e qytetarisë ideja kombëtare shqiptare duhej t`i thyente tri rrethana: a) shtrirjen e idesë së penguar në çdo kënd e hapërim të saj nga farsa“Autonomia e Kosovës” nën kontrollin e rreptë të Beogradit e të Prishtinës, si llogaridhënës dhe të Federatës Jugosllave; b) përballjet me policinë, aparatin policor, shtetëror, ushtarak e propagandën e tyre dhe, c) mosnjohja e injorimi i faktorit ndërkombëtar përkitazi çështjes shqiptare, pothuaj se të paqësuar…

Referencat e nënvizuara të këtij publikimi, nxjerrin në pah bartësit më tipik të idesë kombëtare, mynxyrat rreth tyre e mbi ta, veçmas për figurat emblematike të Rexhep Malës, Ukshin Hotit e të Adem Demaçit, të cilët ia dolën që ideja e pjekur e tyre kombëtare të përqafohej nga masa dhe t`ia hapte vetës rrugën drejt qytetarisë kombëtare e ndërkombëtare.

Shkrimi i referencës për librin e përjetimeve të tmerrshme e kujtimeve të burgjeve serbe-jugosllave të Rexhep Malës, nxjerr në dritë një të vërtetë trishtuese, por njëkohësisht heroike; një jetëshkrim e jetë përcaktim unikët, ndoshta të paparë ose tejet të rrallë në analet e egërsisë e të mizorisë, të drejtësisë e burgjeve ndërkombëtare, të qëndresës antologjike të atdhetarit e revolucionarit model shqiptar!

Me përcaktimin e tij jetësor, i brumosur me idenë e shenjtë për atdheun, i ndriçuar nga drita e yllit prijatar të Adem Demaçit, Rexhep Mala hapi udhën çlirimtare për lirinë e etnisë tij: mbi goditje kërbaçi të udbashëve, mbi plagë torturash të përgjakshme, mbi burgje e biruca të errëta, mbi mallin e të dashurës e të dashurisë së prindit, mbi joshjen e moshës rinore, për tu shndërruar në pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndonëse përmasa e ushtrisë tij ishte gjithëshqiptare.

“Ai e kishte të qartë se lufta ishte e pashmangshme dhe si e tillë duhej mbështetur nga të gjithë faktorët, si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm, ndërkombëtar. Nuk kishte ngurtësi politike as edhe ideologjike” Ja si ngërthehej e zbërthehej pamja vizionare, paravajtëse e heroit Rexhep Mala.

Shkathtësia e autorit të një libri matet në peshoren e gjetjeve, e shkëputjeve të citateve, e analizave dhe sintezave, e zbërthimeve përkufizuese, e vizioneve, e ideve të pjekura që rrumbullakojnë qëllimin.

Karakterizimet tipike të tipareve filozofike të akëcilit personazh, kur zbërthehen në kontekste, ilustrimet e tyre përkufizuese ndërtojnë formulat çelës për filozofinë e akëcilës sferë të jetës. Le t`i shkëpusim disa pohime të tilla formula konceptuare: Bekim Berisha-Abeja: “Serbët nuk e kuptojnë dialogun, por vetëm marrëdhëniet “zjarr për zjarr”.
Ukshin Hoti: “Historia e shqiptarëve nuk duhet bërë nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët”.

Izmi Zeka: “Epoka demaçiane më shumë se sinonim është ide, projekt-platformë që historia e Evropës pak njeh projektues të kësaj filozofie. Filozofia demaçiane për dallim prej të tjerëve të Ballkanit e më gjerë ka konceptin jo figurën, idenë jo individin, me një fjalë tërësinë dhe lirinë si aspekt fondamental jetësor.”
Këtu, në një mënyrë ose në një tjetër, preket dhe pulson ideja e djeshme dhe gjallërimi sot, për ngadhënjimin e nesërm të saj./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.