Nga Zhegra në Inter

Xherdan Shaqiri është prezantuar zyrtarisht të mërkurën tek Interi. Mesfushori kosovar, në konferencë për shtyp, u tregoi italianëve se vjen nga Kosova dhe se është shqiptar. 23-vjeçari me prejardhje nga Zhegra u shpreh i lumtur që ekipi i tij i ri ka shumë tifozë shqiptarë, derisa ka folur edhe për ambiciet që ka me klubin “Nerazzurri”
Xherdan Shaqiri e ka pranuar me mburrje se është shqiptar nga Kosova, por që në futboll e përfaqëson Zvicrën.
Mesfushori kosovar është prezantuar zyrtarisht tek Interi të mërkurën, gjatë një konference për shtyp që e mbajti para gazetarëve, në qendrën sportive të Interit, “Appiano Gentile”.
23-vjeçari e pranoi se u ndie mirë kur i pa gjithë ata tifozë shqiptarë ta mirëprisnin në stadiumin Malpensa në Milano dhe ta thërrisnin emrin e tij.
“Më ka ardhur mirë kur pash aq shumë tifozë nga të gjitha vendet, po ashtu edhe shqiptarë. Unë jam lindur në Kosovë dhe shqiptarët me kosovarët janë vëllezër. Ndërkohë, unë e përfaqësoj edhe Zvicrën, në futboll. Edhe në Bayern kur isha, kishte shumë tifozë shqiptarë që e pëlqejnë këtë klub. Edhe Interi ka tifozë shqiptarë dhe nga Kosova, kjo më bën të ndihem mirë”, deklaroi Shaqiri në konferencën për shtyp.
Me Interin, në nivele të larta
Shaqiri ndërkohë i ka treguar edhe objektivat që ka me ekipin italian, për të cilin hoqi dorë nga një gjigant si Bayern Munichu, por edhe nga opsionet e tjera që kishte.
“Kisha disa oferta, por dëshira ime gjithmonë ka qenë e qartë. Trajneri ma ka prezantuar projektin, fjalët e tij më kanë bindur dhe tash dua ta ndihmoj ekipin që të kthehet në nivele të larta. Përkundër ofertave të tjera, e kam dashur gjithmonë dhe vetëm Interin”, ka shtuar përfaqësuesi zviceran.
“Më kanë goditur fort emocionalisht tifozët, pasi kam arritur këtu, ishte një eksperiencë unike dhe nuk do ta harroj kurrë. Të bësh hapa gjigantë me këtë trajner dhe me bashkëlojtarët e mi, është një gjë e bukur”, vazhdoi Xherdani.
Image
E do Championsin
Shaqiri ndërkohë ka treguar se Juventusi ishte një opsion për të, por në fund i zgjodhi “Nerazzurri”. Po ashtu, ai shton se me Interin synon të futet në Top 3 në Serie A, për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
“Duke i lexuar gazetat, duket se ka pasur kontakte me shumë skuadra. Vëllai im ka punuar dhe Juventusi ishte një opsion. Por, unë e kam dashur vetëm Interin, mezi pres të të luaj dhe pozita e tretë është në mendjen tonë. Kemi marrë pikë në fundjavë dhe jam i sigurt se mund të kthehemi lart”, vijoi ish-futbollisti i Baselit.
Në Bayern e humba buzëqeshjen
Shaqiri e pranon se në “Allianz Arena” nuk po i kalonte momentet më të mira të karrierës, edhe pse sukseset ekipore nuk po i mungonin. Trajneri, Pep Guardiola, e kishte lënë anash dhe nuk llogariste në të.
“Nuk isha totalisht i lumtur dhe të gjithë e dinë këtë. Më Guardiolan kam folur pak për largimin, pasi të gjithë e dinin vendimin tim. Kisha nevojë ta ndryshoja vendin, shtetin. Dua të kthehem të luaj dhe vetëm kështu mund të jem i lumtur, duke e demonstruar vlerën time. Kam dëshirë të fitoj dhe dua të mundohem ta bëj këtë me Interin. Ndjenjat janë të shkëlqyera, jam i sigurt se do të kthehemi në nivele të larta”, nënvizoi gjilanasi.
Shaqiri thotë se është i gatshëm të luajë qysh në ndeshjen e ardhshme, ndërsa shpreson që stadiumet italiane të mbushen me tifozë.