Eko Higjiena

Nga vizioni në realitet: Gani Buca dhe historia e suksesit “Lura Agroturizëm”

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Në zemër të natyrës së paprekur të Makreshit të Epërm, mes kodrave dhe ajrit të pastër të Novobërdës, është ngritur një nga iniciativat më të suksesshme të turizmit rural në këtë zonë: Lura Agroturizëm, një investim i ndërmarrë nga afaristi lokal Gani Buca. Ky resort agroturistik është shndërruar në një pikë referimi për vizitorët që kërkojnë qetësi, traditë dhe shije autentike vendore. I ndërtuar me konceptin e harmonizimit të turizmit me bujqësinë, kompleksi ofron restorant me produkte të freskëta të zonës, bujtina për akomodim, pemishte, sera me perime dhe hapësira rekreative që i japin vizitorit përvojën e plotë të jetës rurale.

Investimi i Bucës nuk është vetëm një biznes, por një vizion për zhvillimin ekonomik të Novobërdës. Përmes këtij projekti, janë krijuar vende të reja pune dhe është nxitur zinxhiri lokal i furnizimit, duke përfshirë fermerë dhe prodhues të vegjël të rajonit. Koncepti i agroturizmit ka sjellë një model të qëndrueshëm zhvillimi, ku mikpritja tradicionale ndërthuret me standardet moderne të shërbimit.

Vizitorët e shumtë, si nga Kosova ashtu edhe nga diaspora, e kanë vlerësuar ambientin natyror, kuzhinën tradicionale dhe organizimin profesional të shërbimeve. Pozita gjeografike e Novobërdës, e njohur për trashëgiminë historike dhe peizazhin piktoresk, i jep këtij resorti një dimension shtesë turistik.

Në një kohë kur zonat rurale përballen me sfida ekonomike dhe migrim, iniciativa të tilla dëshmojnë se investimi në potencialin lokal mund të prodhojë histori suksesi. Agroturizmi i Gani Bucës në Novobërdë është shembull i asaj se si vizioni, puna dhe përkushtimi mund të kthejnë një ide në një destinacion të konsoliduar turistik.

Gani Buca, shembull i një investitori serioz në turizmin rural

Në një kohë kur zhvillimi i qëndrueshëm dhe rikthimi i vëmendjes kah natyra po bëhen domosdoshmëri, emri i Gani Bucës përmendet si një nga investitorët më seriozë në fushën e turizmit rural në Kosovë. Me përvojë të gjatë në këtë sektor, ai ka arritur ta shndërrojë vizionin e tij në një projekt konkret dhe funksional, fshatin turistik “Villa Lura”, në Makresh të Epërm të Artanës.

I vendosur mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër, kompleksi turistik tashmë ka marrë formën e një ambienti atraktiv, të rregulluar me kujdes dhe estetikë, duke u kthyer në pikë referimi për vizitorët që kërkojnë qetësi dhe përvojë autentike. “Lura do të jetë një oazë shijeje dhe relaksimi shpirtëror”, shprehet Buca, duke theksuar se ky projekt është më shumë se një investim është një përkushtim afatgjatë ndaj natyrës dhe komunitetit.

Kosova, sipas tij, ka potencial të jashtëzakonshëm turistik që pret të vihet në funksion. Projekti “Lura” është konceptuar si një ndërthurje mes turizmit dhe bujqësisë, duke përfshirë tokën, blegtorinë, pemëtarinë, perimtarinë dhe produktet e tjera vendore. Në këtë mënyrë, kompleksi nuk është thjesht një destinacion pushimi, por edhe një hallkë zhvillimi për familjet dhe prodhuesit lokalë.

KKVITI

I qetë në natyrë dhe i përkushtuar në punë, Buca njihet si një njeri që flet pak dhe realizon shumë. Ai është adhurues i natyrës dhe hapësirave të gjelbra, duke investuar me synimin që qytetarëve t’u ofrojë peizazhe tërheqëse dhe ambient të shëndetshëm larg zhurmës urbane.

Kompleksi turistik zgjerohet me shtëpiza moderne dhe kapacitete akomoduese

Kompleksi në Makresh tashmë përfshin restorant familjar, hapësira rekreative për fëmijë, ambiente relaksuese dhe gjashtë shtëpiza të ndërtuara me standarde cilësore, të cilat ofrojnë kapacitet akomodimi për rreth 50 persona.

Çdo detaj është realizuar me kujdes maksimal, nga materialet e përdorura deri te dizajni i përgjithshëm, duke synuar të krijojë një përvojë të plotë për vizitorin.

Projekti është mbështetur edhe përmes programeve të Bashkimit Evropian për zhvillimin e turizmit rural, rekreacionit dhe bujqësisë, duke i dhënë dimension institucional dhe afatgjatë këtij investimi. Zgjerimi i kompleksit përfshin sallë konferencash, bodrum vere, hapësira sportive dhe shtigje për ecje, si dhe mundësi për përpunimin dhe promovimin e produkteve vendore.

“Qëllimi ynë është të krijojmë modelin e fshatit të ardhshëm kosovar, një vend ku tradita dhe inovacioni bashkëjetojnë natyrshëm”, thekson Buca. Me përfundimin e plotë të projektit, “Villa Lura” synon të jetë jo vetëm destinacion pushimi, por një qendër e zhvillimit rural dhe një shembull konkret se si zonat tona mund të gjenerojnë ekonomi përmes natyrës dhe mikpritjes.

Serioziteti dhe guximi i Gani Bucës po vlerësohen nga të gjithë ata që besojnë se turizmi rural është një ndër shtyllat e së ardhmes ekonomike të vendit. “Villa Lura” dëshmon se edhe në hapësirat rurale të Kosovës mund të ndërtohen projekte që bashkojnë traditën, cilësinë dhe vizionin modern, duke e kthyer natyrën në vlerë dhe mundësi zhvillimi./rajonipress/