Nga një muaj paraburgim të dyshuarve Fehmi e Ruzhdi Maliqi

Gjilan – Një gjyqtar i procedurës paraprake të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, në çështjen penale ka vendosur masën e paraburgimit prej një (1) muaji ndaj të pandehurve Fehmi Maliqi dhe Ruzhdi Maliqi.
I pandehuri Fehmi Maliqi dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve, kurse i pandehuri Ruzhdi Maliqi nga Gjilani për shkak të veprës penale vrasje e rëndë.
Gjyqtari i procedurës paraprake duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer e njëjta, ku me atë rast janë privuar nga jeta dy persona dhe rëndë janë lënduar edhe dy familjarë tjerë të viktimave edhe atë në afërsi të shtëpisë së tyre, ku janë përdorë përpos armëve të zjarrit edhe shumë mjete të rrezikshme për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, siç janë thika, sëpata e të tjera.
Prandaj në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurit në fjalë në këtë fazë të procedurës, e duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të pandehurve, të cilët edhe më parë dyshohen se kanë kryer vepra penale u pa si i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për sigurinë e të pandehurve në procedurë dhe për një zhvillim të pa penguar dhe normal të hetimit, ekziston edhe rreziku tjetër se të njëjtit po të lihen në liri mund të përsërisin veprën penale ose të kryejnë edhe vepër tjetër penale./rajonipress/