Nevzati kërkon raport nga Haziri për largimin nga puna të dhjetëra shërbyesve civil
Gjilan – Në emër të PDK-së, Bujar Bevzati ka bërë vërejtje për vonesat në themelimin e KPF, ndërsa ka kërkuar që kryetari i Komunës, në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal të sjellë një informatë për, siç ka thënë ai, largimet nga puna të dhjetëra nëpunësve civilë dhe pranimin e dhjetëra të tjerëve në këtë shërbim
Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e parë të punës në përbërje të re, të cilën e ka kryesuar Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal raportin e punës së Kuvendit për vitin 2014 si dhe propozime të tjera.
KPF rekomandoi po ashtu edhe propozim-vendimin për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale, propozim-vendimin për themelimin e komisionit vlerësues të ofertave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale si dhe propozim-vendimin për themelimin e komisionit për vlerësimin e ankesave.
Sqarime në pyetjet dhe interesimet e anëtarëve të KPF, rreth këtyre çështjeve kanë dhënë Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës dhe Sokol Haziri, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Halit Rexhepi, drejtor i Mbrojtjes dhe Shpëtimit.
Valentina Bunjaku Rexhepi tha se ankandi publik për dhënien në shfrytëzim të pronave të pa luajtshme komunale, nënkupton anulimin e vendimit të mëhershëm. Në të vërtetë, kontratat për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike komunale, kanë qenë me afat të caktuar.
Edhe plani i punës së Kuvendit Komunal, mund të plotësohet e pasurohet me pika tjera të punës, më vonë, varësisht prej nevojës. Zijadin Maliqi tha se në agjendën e Kuvendit Komunal duhet të parashihet një raport pune i kompanisë “Higjiena” si dhe një informatë nga kompania “Hidromroava”, aq më tepër që po përballemi me problemin e ujit të pijes.
Ndërkaq, KKSB duhet të themelohet në përputhje me udhëzimin administrativ, pavarësisht se një strukturë e tillë ka ekzistuar edhe deri tani, meqë mandati i këtij institucioni gjithëpërfshirës, lidhet me mandatin e Kuvendit Komunal.
Në emër të PDK-së, Bujar Bevzati ka bërë vërejtje për vonesat në themelimin e KPF, ndërsa ka kërkuar që kryetari i Komunës, në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal të sjellë një informatë për, siç ka thënë ai, largimet nga puna të dhjetëra nëpunësve civilë dhe pranimin e dhjetëra të tjerëve në këtë shërbim./rajonipress/