Nepotizmi si vlerë

Nga Imer Mushkolaj – Punësimet dhe emërimet militanteske dhe partiake, të cilat sa ishte në opozitë i kritikonte dhe i cilësonte krim, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet i ka normalizuar. Madje, edhe po i arsyeton dhe promovon si një lloj vlere.

Emërimi i bashkëshortit të ministres së Drejtësisë këshilltar i jashtëm i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal është rasti i fundit i emërimeve dhe punësimeve të njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje në institucionet shtetërore. Ajo çfarë dikur nga kjo parti ishte konsideruar kriminale dhe skandaloze, në pushtetin e Albin Kurtit është normalizuar, madje edhe po përpiqet dëshpërueshëm të arsyetohet.

Në fillim arsyetimi ishte se emërimet politike nuk janë të njëjta më punësimet, edhe pse për Vetëvendosjen në opozitë këto ishin e njëjta gjë. Më pas pushtetarët thanë se nuk ishte problem emërimi dhe punësimi i partiakëve dhe militantëve, nëse ata ishin profesionistë.

Në pushtetet e kaluara, pavarësisht nëse anëtarët ose simpatizantët e partive ishin ose jo profesionistë, sipas Vetëvendosjes nuk e meritonin të zinin pozita institucionale.

Pati edhe nga arsyetimet shumë banale, sikur ai se Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen e kanë votuar më shumë se gjysma e elektoratit, që i bie çdo i dyti votues, andaj nuk kanë faj sepse doemos duhet punësuar ose emëruar dikush nga partia, dikush i afërt me partinë.

Të tjera arsyetime, po ashtu pa pikë arsye të shëndoshë, janë ato se njerëzit e Vetëvendosjes ose të afërt me të ishin më të përgatiturit, më kompetentët, më të dijshmit për të marrë pozita të caktuara publike.


Një ndër premtimet e Albin Kurtit para se të vinte në pushtet ishte çkapja e shtetit. Me të drejtë, ai thoshte se institucionet shtetërore ishin kapur nga militantë partiakë. Thoshte se kur të bëhej ai kryeministër, gjërat do të ndërronin.

Por, një vit e gjysmë të Kurtit në pushtet kanë treguar se qeverisja e tij nuk është imune ndaj fenomenit të nepotizmit e familjarizmit. Një vit e gjysmë në pushtet kanë treguar se gjendja nëpër institucione mbetet thuajse e njëjtë, veçse tash e ngarkuar edhe me militantë partiakë.

“Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pasë njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, thoshte Kurti dikur.

Por, në kontekstin aktual, kjo deklaratë tingëllon veç si një frazë e bukur. Thuajse në secilin bord, agjenci ose institucion të pavarur janë emëruar e punësuar njerëz të partisë. Sa për shërbimin diplomatik, ambasadori kosovar në Zagreb, Martin Berishaj, është shembulli më eklatant ndaj të cilit nuk kanë reaguar as presidentja, as kryeministri, as ministrja e Jashtme. I përfolur për përfshirje të mundshme në një skandal financiar, ai vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në shtetin kroat, me mbështetje të krerëve institucionalë.


Zyrtarët e Vetëvendosjes po i ndryshojnë qëndrimet me lehtësinë e shtypjes së një suste. Për më tepër, ata po përpiqen t’ua mbushin mendjen të tjerëve se nuk kanë ndryshuar, se vazhdojnë të jenë parimorë në qëndrimet e dikurshme opozitare.

Por, nisur nga çështja e dialogut dhe për plot të tjera, Vetëvendosja në pushtet është krejt tjetër nga ajo e opozitës. Ajo që dikur për Vetëvendosjen ishte keq, tash është mirë. Ajo që dikur ishte e papranueshme, tash është normale. Ato që dikur nuk ishin vlera, tash janë.

Lista e ndryshimeve të Vetëvendosjes është e gjatë. Aq e gjatë, sa zyrtarët partiakë lodhen duke i arsyetuar. Por, e gjatë është edhe mbamendja e njerëzve për gjithçka që kjo parti dikur ka kundërshtuar.

Për Vetëvendosjen në të kaluarën gjithçka ka qenë zi. Por, tash gjërat kanë ndryshuar. Marrëveshjet e Brukselit, në të kaluarën të demonizuara e të kundërshtuara edhe me protesta në rrugë e gaz lotsjellës në Kuvend, tashmë janë bërë të pranueshme dhe po zbatohen pa ndryshuar asnjë shkronjë nga versioni i atyre që i kanë nënshkruar. Njësoj po veprohet edhe në çështje të tjera. Premtimet e parimet po harrohen.

Dikush mund të thotë se partitë në opozitë mund të premtojnë gjithçka dhe se nuk ka moral në politikë. Por, është Vetëvendosja ajo që vazhdimisht ka përmendur moralin në politikë, që ka dhënë shembuj se si do të qeveris e si do të sillet në pushtet, që ka thënë se nuk do të jetë si të tjerët.

Megjithatë, emërimet e punësimet e partiakëve në poste publike dëshmojnë të kundërtën. Tash Vetëvendosja po e paraqet nepotizmin si vlerë. Sepse, standardet e vlerësimit kanë ndryshuar, sepse vetë partia i ka shkelur standardet e shumëproklamuara. Të këqijat e dikurshme janë normalizuar tash si jo shumë të këqija.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS