Në Viti po shënohet 14 Qershori – Dita e çlirimit

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Viti – Me rastin e 14 Qershorit-Ditës së çlirimit të komunës së Vitisë sot është mbajtur një seancë solemne kushtuar kësaj dite të rëndësishme. Me pas janë mbajtur homazhe në varrezat e dëshmorëve në Viti, si dhe nën organizimin e Komunës së Vitisë, konkretisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport janë mbajtur disa aktivitete të ndryshme kurse sot në mbrëmje do të mbahet edhe koncerti festiv në qytetin e Vitisë.

Kryesuesi I Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi në seancën solemne që është mbajtur sot për nder të ditës së çlirimit të kësaj komune, ka folur mbi rëndësinë e kësaj dite.
“14 qershori është një ditë e veçantë për qytetarët e Vitisë, për vendin tonë sepse sot 23 vite më parë është çliruar ky vend nga robëria shekullore që e përcolli me shekuj trojet tona shqiptare. Prandaj kjo ditë është historike dhe veçantë sepse nga 14 qershori forcat e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, të brigadës 137 marshuan në Viti që simbolikisht shënojnë edhe ditën e çlirimit të Vitisë. Ai tha se kjo u bë e mundur me ndihmën e miqve ndërkombëtare duke mundësuar që sot të punojmë dhe të jetojmë lirshëm..”, tha kryesuesi Azizi.

Ndërkaq kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti në fjalën e tij të rastit fillimit i urojë të gjithë të pranishmit dhe qytetarët për ditën e çlirimit, duke e vlerësuar lartë këtë ditë historike. “23 vite më parë, më 14 qershor, pas shumë shekujve robëri, qytetarët e Komunës së Vitisë, përfundimisht frymuan lirshëm. Kjo liri e pritur me breza erdhi falë punës, sakrificës si dhe luftërave të lavdishme, të shumë e shumë burrave dhe grave të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë nga vetja e tyre, që brezat e rinj të jetojnë të lirë si gjithë popujt tjerë të botës”, u shpreh Haliti.

Ai tha se në këtë ditë të lavdishme, krahas festës, është e udhës që të kujtohen të gjithë ata që punuan, kontribuuan dhe dhanë jetën për liri, demokraci dhe pavarësi të Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare.

Uji Dea

Kurse Abdyl Bajrami nga OVL-UÇK në Viti tha se e drejta historike e çliroj këtë popull që sipas tij në mënyre sistematike është goditur gati tërë kohën për 87 vite.

Ai përmendi edhe kryengritjet e popullit shqiptar në Maqedoni e Serbi nga të cilat sipas tij është avancuar pozita e shqiptarëve. Bajrami gjithashtu urojë të gjithë qytetarët vitias ditën e çlirimit duke shprehur lavdinë për të gjithë dëshmorët e rënë për liri.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme pritet të mbahen edhe disa aktivitete të tjera, nën organizimin e komunës së Vitisë, konkretisht të DKRS-së, kurse koncerti festiv piret të mbahet në orën 19:00 në sheshin “Nijazi Azemi-Komandant Mjekra” në Viti./rajonipress/