Mobi Casa

Në pritje të roleve që do t`i thyenin kufijtë

/ 6 minuta lexim

E dëshmuar në shumë shfaqje teatrale, e angazhuar në shumë filma të metrazhit të shkurtë, sikurse që e kemi parë së fundi në serialin “O sa mirë”, dhe së shpejti do ta shohim në serialin tjetër “Stinë dashurie”, Albulena Kryeziu ka thënë për KultPlus se nëse do të vinte puna deri te profilizimi, atëherë padyshim do të mbetej filmi, duke synuar edhe rolin kryesor të ndonjë filmi të metrazhit të gjatë, nëpërmjet të cilit do ti thyente edhe kufijtë

KultPlus: Prej fillimit të serialit “ O sa mirë”, keni qenë e kyçur në një ndër rolet më të këndshme të serialit, ju personalisht si keni komunikuar me atë rol?

Albulena Kryeziu: Seriali “O sa mire”, ka qenë një përvojë e lezetshme,një sezonë e suksesshme e serialit, tashmë nuk jam pjesë e atij ekipi, megjithatë mund të them që ka qenë kënaqësi e veçante të punoj së pari me regjisorin e serialit Ilir Bokshi por edhe me të gjithë aktorët e këtij seriali pa përjashtim. Roli im, gjegjësisht personazhi “Tringa Belegu”, ishte jetëshkurtër në këtë serial sa i përket skenarit dhe producentëve, por jam shumë e lumtur që vazhdoj të marr mesazhe përmes FB prej adhuruesve të “Tringës”.

KultPlus: Është e natyrshme që televizioni të jep famë shumë më shpejt se sa që mendohet, edhe pse, ata që e duan teatrin ju kanë parë në shumë role të angazhuar, si e vlerësoni këtë, sa ja vlen mundi për angazhimin në teatër, kur është fjala te fama?

Albulena Kryeziu: Teatri është një institucion i cili fatkeqësisht po humb vlerat e tij, e në këtë pikë kanë ndikuar shumë faktorë. Televizioni është teknologji e kohës, forca dhe ndikimi i tij janë të pamohueshme. Por kur flasim në njërën anë për shfaqjet teatrore dhe në anën tjetër për famën mund të them se nuk qëndrojnë në proporcion me njëra tjetrën. Adhuruesit e teatrit janë evident, mbase nuk janë në numër sa ata të televizionit, por prapë se prapë zënë një vend të rëndësishëm. Besoj që secili aktor i teatrit është një artist i llojit të veçantë dhe puna e tyre s’ka të bëj me arritjen e famës po me diçka që është më shpirtërore.

KultPlus: Ju poashtu keni luajtur edhe në shumë filma të metrazhit të shkurtë, por që janë parë më shumë nëpër festivale, sa i vlerësoni filmat e këtij metrazhi?

Albulena Kryeziu: Karriera ime ka filluar pikërisht me filmat e metrazhit te shkurtë, edhe pse si aktore nuk e kam luksin t’i tregoj aftësitë e mia aty, por filmat e shkurtë mbesin gjithmonë të favorizuar nga ana ime. Janë filma të studentëve të regjisë së filmit që më kanë dhënë mundësinë të fitoj përvojën para kamerës. Ka shumë filma të shkurtër në të cilët kam luajtur, shumë prej tyre kanë fituar çmime, gjë e cila më bën të ndihem krenare.

KultPlus: Po ata të gjatë, e synoni ndonjë rol kryesor që do të ndihmonte deri te fama jashtë kufijve?

Albulena Kryeziu: Nëse do të kisha pasur mundësi të profilizohesha atëherë unë definitivisht do të isha aktore e filmit. Kam luajtur në disa filma të gjatë (rol jo protagonist) po ende nuk kam pasur një ofertë të mirë për rol kryesor në një film të gjatë. Po shpresoj të vij së shpejti.

KultPlus: Prej roleve në teatër, filmit të metrazhit të shkurtë dhe atij të gjatë, si dhe serialeve, cili nga këto projekte të duket që e paraqet profesionalizmin tënd?

Uji Dea

Albulena Kryeziu: Besoj që në secilën shfaqje, film apo edhe serial jam munduar të jap më të mirën time. Secili projekt, qoftë reklamë komerciale apo ndonjë videoklip e ka pasur përkushtimin tim. Aktrimi është puna dhe pasioni im. Kështu që nuk kisha ditur ta ndaj njërin nga tjetri sa i përket profesionalizmit tim. Parimet e mija në çdo projekt janë të njëjta.

KultPlus: Dhe së fundi kemi parë promon edhe të një seriali tjetër “Stinë dashurie”, që jeni e angazhuar por që do të fillon prej të dielës në transmetim, si po ia dilni me menaxhimin e angazhimit tuaj?

Albulena Kryeziu: Sa i përket serialit të ri mund të them me bindje se është një ekip i mrekullueshëm dhe kam kënaqësi të veçantë që po punoj me ta. Nuk dua të shpalos detaje tjera rreth serialit “Stine dashurie”, mbetet të shihet së shpejti në njërën nga televizionet tona. Tani për tani përpos këtij seriali kam vetëm një angazhim tjetër, është shfaqja “Ku…Çka?!!”, e cila vazhdon të jetë në repertorin e teatrit “Dodona”, dhe po shënon suksese edhe jashtë Kosovës. Tashmë me këtë shfaqje jemi në Frankfurt e më pas do të udhëtojmë për në Turqi. Edhe pse shpesh si artistë hasim në pengesa nga ato më banale prapë se prapë vullneti i mirë për punë nuk na mungon asnjëherë.

KultPlus: Pasi jemi në prag të festës së 8 marsit, çfarë do të thotë kjo festë për ju?

Albulena Kryeziu: Është një festë që me ngjall kujtime të fëmijërisë, sepse si fëmijë aso kohe s’kemi festuar shume festa, por 8 Marsi ka qenë një festë e cila ishte gjithmonë me diell dhe me plot urime dhe lule për nënat (atëherë konsiderohej vetëm si festë dedikuar nënës) shënonte një ditë të veçante për çdo fëmijë. Ka qenë ditë gëzimi prandaj çdo here. 8Marsi më sjell një ndjenjë gëzimi dhe dashurie.

KultPlus: Sa jeni e kënaqur me prezantimin e femrës në shoqërinë kosovare?

Albulena Kryeziu: Besoj që femrat kosovare janë më të fuqishme se kurrë më parë. Janë femra të cilat kanë idealet e tyre dhe dinë t’i mbrojnë të drejtat e tyre. Edhe pse ka raste kur diskriminohen, ato nuk heqin dorë nga idealet e tyre. Femrat kosovare i shoh si model të femrave të emancipuara të Evropës.

KultPlus: Dhe për fund, a ka ndonjë projekt të ri që ju pret në një të ardhme të afërt?

Albulena Kryeziu: Do të jetë një sezonë e ngjeshur me xhirimet e serialit të ri. Projekte tjera do të ketë, por mbetet të shihet, sepse hë për hë janë projekte të cilat nuk kanë marrë udhë ende. /KultPlus.com/