Fundamenti

Në përkujtim të 70 – vjetorit të masakrës serbe në xhaminë e Pozharanit

/ 13 minuta lexim
ARKATANA

Pozharan – Masakra serbe mbi shqiptarët e fshatit Pozharan, e njohur si “Masakra në Xhami “, nisi me 27 dhjetor të vitit 1944 dhe zgjati deri më 7 Janar të vitit 1945. Në këtë masakër të paparë me mjete të topitura gjetën vdekjen fillimisht katër qytetarë pozharanas : Shaban Halit Alidema, plak 75 vjeçar, Misin Xheladin Alidema, Ajet Fejzë Tërziqi dhe Ahmet Mustafë Zuka, ndërkaq 24 të tjerët, pozharanas të rinj dhe pleq u dërguan në burgun famëkeq të asaj kohë në Gjilan ku u torturuan dhe nga këta kurrë nuk u kthyen edhe 16 pozharanas të tjerë, të cilëve as varret nuk u dihen !

Dihet se gjatë historisë së vet të mundimshme popullsia shqiptare e rajonit të Anamoravës, sikurse edhe në viset tjera të Kosovës të banuara me shqiptarë, ka përjetuar shpesh masakra të llojllojshme, siç është rasti i masakrës serbe mbi shqiptarët e fshatit Lubishtë, Smirë, Gjylekar, etj, në Komunën e Vitisë, që janë bërë nga okupuesit e ndryshëm e veçmas ata serb.

Megjithatë, për nga mënyra se si është kryer masakra ndaj banorëve të Pozharanit e njohur si “Masakra në Xhami “ e bër dhe ekzekutuar këtu 70 vjet më parë, pra menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore përkatësisht me hyrjen e forcave partizane çetnike në Kosovë, e që ndodhi me 7 Janar të vitit 1945. 90 të shekullit XX, filluan të dalin shkrime që pasqyronin realitetin e hidhur të shqiptarëve nën sundimet e kohës. Ndërsa pas luftës së lavdishme të UÇK-së kundër ushtrisë serbe, policisë dhe organizimeve paramilitare, u krijuan kushte për të ndritur ngjarje e jetë veprimtarësh të të gjithë atyre që në ndonjë mënyrë qenë në shërbim të popullit, e kundër okupatorëve.

Oda e Shaban Halitit, ishte e hapur për aktivitete të lëvizjes kombëtare

Në mesin e burrave të kohës, dallohet Shaban Halit Alidema nga fshati Pozharan. Shabani, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, qe një nga feudalët e kohës, dhe njëkohësisht mbështetës i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim. Oda e Shaban Halitit qe mikpritëse për të parët e Lëvizjes: Hasan Prishtinën, Idriz Seferin, Islam Pirajn e ndonjë tjetër. Në atë odë u thurën plane për çlirim, u dhanë sqarime për veprim, u morën vendime për angazhim. Qe nga odat më në zë të kohës. Pas pushtimit të Kosovës nga forcat serbe, në vitin 1912, shqiptarët u gjetën në një sundim më të egër se i pari. Maltretimet nuk kishin të pushuar. Burrat më të mirë të vendit burgoseshin e vriteshin, ndërsa familjet e tyre shpronësoheshin.

Vuajtjet rriteshin për çdo ditë. Shaban Haliti qe ndër të burgosurit e parë. Katër vjet e nëntë muaj i kaloi në burgun e Zajeçarit, ku qëndroi së bashku me Idriz Seferin dhe Islam Pirajn. Gjatë kësaj kohe, pushteti i Mbretërisë jugosllave deshi që familjarët e Shaban Halitit t’i internonte në drejtim të panjohur, por pason një ndërhyrje te një mjek i njohur për kohën në Vrajë, të cilin do ta paguanin me lira, për t’i diagnostikuar familjarët e tij me TBC, me qëllim që të mos ndodhte internimi. Dhe kështu ndodh. Familjarët e tij (50 anëtarë) qëndrojnë vetëm dhjetë ditë në Gjilan, pastaj kthehen në vendlindje. Parja e bardhë, për ditë të zezë. Hiq nuk më janë dhimtë lirat, biro, – thoshte axha Shaban pastaj, sa herë bisedonim për ato ditë të vështira për familjen tonë, – shton Sadullah Alidema.

Organizimi shtetëror në Jugosllavinë Mbretërore filloi t’u lejojë shqiptarëve të kandidojnë për kryetar të ndonjë komune ku ata ishin shumicë. Kështu ndodhi edhe në Pozharan. Në vitin 1928, Shaban Haliti që për kundërkandidat pati Islam Pirajn, u zgjodh kryetar komune. Vetë Islam Piraj, para se të vdiste, më 1931, pasi kishte thirrur nga dy përfaqësuese të lagjeve të Pozheranit, iu kishte thënë: “Ndonëse Shabanin e pata kundërkandidat për kryetar, pas meje, Islam Pirës, nuk meriton kush ta marrë këtë detyrë, pos tij”.

Ndonjë dokument i kohës nuk ka mbetur për të dëshmuar më shumë për angazhimin e Shaban Halitit si kryetar komune, por ata që e patën njohur kanë folur për punët që kishte kryer me nder, për veprimtarinë atdhetare që zhvilloi gjatë asaj kohe. Bëri aq sa mundi në këtë anë për pajtimin e gjaqeve sepse në atë kohë hakmarrja ishte në vlug të së keqes, i kujton fjalët e pleqve të kohës Sadulla Alidema, i lindur më 1933, duke shtuar se axha Shaban kurrë s’ishte krenuar për këtë veprimtari. Ia kemi borxh popullit e vendit me kanë mirë mes veti. Se ndryshe nuk i qëndrojmë shkaut, plotëson me një thënie të Shabanit që është përsëritur shpesh tek Alidemët.

Gjithë ata që e njohën dhe patën punë me të thonë se ishte trim i mençur dhe largpamës. Nuk e kanë harruar qëndrimin e tij të prerë për të mos dhënë as edhe një shqiptar, kur po ia kërkonte krali serb, për një oficer të vrarë nga shqiptarët. Në të vërtetë, vrasja kishte ndodhë në komunën e Verbanit, prandaj Shabani nuk ishte pajtuar as për tri koka shqiptarësh t’i jepte nga komuna e tij e tri koka tjera shqiptarësh, kryetari i komunës së Verbanit, siç edhe kishte kërkuar ky i fundit. Nuk jepej koka e të pafajshmit nga Shabani. Jo për sa kohë vendoste ai. I tillë ishte Shaban Halit Alidema.

Axha Shaban e ka dashur shkollën shumë. Për ta shkolluar Bejtullahun, të cilin e kishte nip, kishte vendosur që për shkollimin e tij të punonte veçmas një gur mulliri, – thoshte tashme i ndjeri Ismajl Alidema i lindur më 1937. Ndërsa, Qahil Zuka, po nga Pozharani edhe ky i ndjerë vdiq në vitin 2012 /82/ vjeçar thoshte: “Burrë si Shaban Halitin nuk e gjen në këto anë. Baba më thoshte se pa të, Pozherani do të kish hequr shumë më shumë. I drejtë e i mençur. Unë e kam mbërri pak”.

Megjithatë, pushteti i kralit duke përcjellë angazhimin e Shabanit për mbarëvajtje të jetës së shqiptarëve, të bashkëkombësve të tij, po thurte plane për ta etiketuar. Dhe kur pushteti serb nuk ia arriti kësaj mënyre veprimi, përdori Gjykatën e të ashtuquajturit Qarku i Gjilanit, për të shpronësuar Shaban Halitin nga pasuria e tij, në mënyrë që si i varfër të mos kishte ndikim në popull. Po për këtë, më 23 mars 1932, me një aktvendim të asaj gjykate me nr. 11836/34, i konfiskohet tërë pasuria e patundshme.

Pastaj, vjen Lufta e Dytë Botërore. Shqiptarët silleshin ndryshe me ushtritë e huaja. Kishin përfituar nga ardhja e tyre. Ishin hapur shkolla në gjuhën shqipe. Flamuri kombëtar valonte lirshëm. Institucionet e kohës përfaqësoheshin nga ta, sepse ishin shumicë. E ndjenin lirinë, për aq sa nuk e kishin përjetuar nën okupatorin serb. Por, fillimi qe i vështirë. Aty kah fundi i majit i vitit 1941, një forcë gjermane po vinte nga Ferizaj.

Si tentuan t`i mashtrojnë gjermanët sërbet e Tankosiqit në fshatin Tankosiq tani Dardani duke u thënë se në Pozharan ka komunistë ?!

ARKATANA

Ndërsa, për t’i pritur kishin dalë rreth 200 kolonë serbë të Tankosiçit/ tash Dardania/ të cilët, nëpërmjet njërit që quhej Mihaillo dhe ish administratorit të Komunës, emri i të cilit nuk mbahet mend nga bashkëbiseduesit, do t’i thonë kolonelit gjerman se shqiptarët e fshatit Pozheran, nëpër të cilin do të kalonin, ishin komunistë, se me ta Gjermania do të kishte probleme dhe ndoshta do të vriteshin në të hyrë të fshatit. Koloneli, nuk kishte pritur as edhe një minutë, as kishte kërkuar sqarime të mëtejshme. Urdhri i tij qe i prerë: Të mblidhen të gjithë meshkujt e fshatit nga 16 deri në 80 vjeç. Urdhri ishte zbatuar. Pozharanasit qenë grumbulluar në oborrin e komunës. E kishin ndjerë rrezikun.

Po se nga vinte nuk e merrnin me mend. Plaku, Shaban Haliti po merrej me komandantin gjerman, i fliste herë shqip e herë serbisht, e më shumë me gjeste. E dinte se komandanti nuk e kuptonte, po duhej t’i vononte derisa të mbërrinte Ahmet Bajrami nga Radivojci, i cili dinte gjermanishten se për tri vjet radhazi kishte punuar në Austri, të cilin kishte shkuar ta thërriste Rrahman Rama. Sa mbërrin Ahmeti, përshëndet kolonelin me “Hajl Hitler”, pastaj kishte marrë vesh për shpifjen e serbëve kolonë, dhe ua kishte shpjeguar të pranishmëve. Plaku Shaban Haliti, kishte qeshur hidhur, dhe kishte shtuar, duke iu drejtuar kolonelit:

“Mos u besoni serbëve zotni kolonel, se e kanë për zakon me rrejt, komunistë janë ata, se s’e kemi as farë as fis rusin e Moskovit për me kanë me ta. Janë zaptues të kësaj toke, o zotëni, e dinë me ba politiken e dreqit .Na jemi në tokën tonë. Veç çka kemi heq, runa zot. Keni me pa se krejt të këqijat kanë me ju ardhë prej tyne.”

Ahmeti kishte përkthyer fjalë për fjalë, e koloneli e kish besuar Shabanin. E kish besuar për qëndrimin, për shikimin e syve, për të vërtetën që po nxirrte pa asnjë mëdyshje. Gjermanët kishin vazhduar rrugën për Gjilan, e populli i Pozharanit e kishte falënderuar burrin e qëndresës e të guximit, Shaban Halit Alidemën, se edhe njëherë i nxori nga rreziku.

Vjeshtë e vitit 1944. Paria e vendit dhe i gjithë populli përkrahin Shaban Halitin edhe kësaj here të jetë kryetar komune. Ani pse ishte në moshë të shtyrë. Por, komunistët kolonë serbë nuk po pajtoheshin assesi. Boshko Vllahoviqi dhe Simë Milinçiqi të OZNA-së hyjnë në zyrën e Shabanit dhe provojnë ta detyrojnë të largohet nga ajo. Ishin me armë në dorë. E kishin fituar pushtetin. Mund të bënin ç’të donin. E dinte plaku këtë. Po, të mos qëndronte, e të mos e thoshte fjalën para kolonëve serbë, do ta brente ndërgjegjja jetë e mot: Djem, jeni të ri e e keni gabim. Ulni ato armë se nuk po më tutni hiq. Veç populli mundet me më largu.
Familja e Alidemëve të Pozharanit ka pësuar nga pushteti komunist i sapo instaluar në Kosovë, si rrallë ndonjë familje tjetër. Janë të njohur me emër dhe mbiemër të vrarët: Shaban Halit Alidema, Behxhet Alidema, Misin Alidema, Osman Alidema, Shefki Alidema, Ali Alidema, Tefik Osman Alidema, Adem Alidema, ndërsa vëllezërit Izet dhe Bejtullah Alidema, nipa të Shaban Halitit, ikën nga Kosova dhe nuk e panë më vendin e tyre. Izeti, që vdiq në Gjermani, kishte shërbyer deri ne pension në forcat amerikane, ndërsa Bejtullahu, i cili kishte kryer Gjimnazin e Madh, vdiq në Turqi.

Aty kah fundi i vitit, Shabani shkarkohet nga detyra e kryetarit të komunës.

Komunizmi jugosllav kishte filluar kërdinë. Dhe nuk vonoi dita e tragjedisë. Më 7 janar 1945 në Pozharan arrin “Partizanska strazha”, e cila udhëhiqej nga Vukashin Kovaçeviç, prej Ramjanit, kolonistët Lluka Vlladushiç e Çedomir Andrijasheviç.

Në fillim çarmatosin rojën partizane shqiptare, pastaj fillojnë burgosjen e pozheranasve. Në oborrin e xhamisë ishin rreth 300 shqiptarë të moshave të ndryshme. Torturat nisin menjëherë, shqelma e dru për shqiptarët. Po printe një Veliçko, që njihej në popull si Veliçko maxhupi. Dikur kishte qenë rrogëtar te Shaban Haliti, e tani ishte korrier i Simo Mileniçit, kryeshef i Rrethit të Ferizajt.

Shaban Haliti nuk iu kishte përgjigjur thirrjes së pushtetit të ri, nuk ishte në mesin e të ngujuarve. Po qëndronte në shtëpi. Ishte edhe i sëmurë, edhe pleqëria e kish bërë të veten. Veliçko, që dinte shumëçka si për fjalët që ishin bërë në shtëpinë e Shabanit, si për mënyrën e punëve që kishte kryer si kryetar komune, pasi vëren mungesën e plakut, i shkon në shtëpi dhe aty ia nxjerrë shpirtin duke e munduar si mos më keq, në prani të gruas, Latifes. Vetëm katër veta do ta varrosnin të ndjerin Shaban, të afërm të tij: Hajriz Beqir Alidema, Halil Beqir Alidema, Ymer Alidema dhe Jakup Alidema.

Ndërsa, pushteti i kohës, për gjashtë javë e ruajti varrin e tij, sigurisht se mos ndokush i familjes do t’i bënte ndonjë foto e do ta nxirrte në ndonjë revistë kohe për të dëshmuar brutalitetin serb. Bile, as nuk u hap konak për ngushëllime. Nuk lejoi pushteti komunist.
Nga të tjerët që ishin të ngujuar në oborrin e xhamisë mbyten edhe tre, ndërsa 16 të tjerë mbyten në Gjilan.
* * *
Shaban Halit Alidema, shpallet armik i popullit dhe i konfiskohet e tërë pasuria. Arkivi Ndërkomunal në Gjilan ruan origjinalin me nr. 12 në emër të konfiskimit të pronës me numër të tapisë 70/48 të Shaban Halitit, ndërsa pas kërkesës së z. Halit Alidemës, përfaqësues i pasardhësve të Shabanit, Arkivi ka lëshuar një fotokopje më datë 29.05.2007, me nr. protokolli 167/2007, që është dëshmi për konfiskim të 17 hektarëve tokë të kësaj familjeje.

Pasardhësit e Shabanit kanë kërkuar të drejtën e tyre në institucionet shtetërore për rikthimin e pasurisë së tyre, me bindje të plotë se kërkojnë vetëm të vërtetën e mohuar për dekada me radhë, po sipas dokumenteve.

Duke përfunduar këtë shkrim për jetën dhe veprën e Shaban Halit Alidemës, mund të thuhet edhe nga këto pak dokumente dhe mbamendje, se historia e së shkuarës së afërt, ka arsye të hulumtohet edhe për këtë rast, e edhe për raste të tjera, sa e sa të zbehur nga kujtesa, të korrigjohet me argumente, të dalë në shesh e vërteta.

Dhe, njerëzit e këtillë që i dhanë kombit, do duhej përjetësuar. Këtë e meriton Shaban Halit Alidema, e meritojnë edhe pasardhësit e Shabanit, të cilët nuk u stepën. E bënë jetën si i gjithë populli. Me vuajtje punuan e u shkolluan. Dhe janë të njohur Alidemët e Pozheranit për arritje dijeje e pasurie, për burrëri e trimëri, për mikpritje e atdhedashuri. I mbrujtur me tipare të tilla qe edhe nipi i Shaban Halit Alidemës, atdhetari dhe patrioti profesori i nderuar dhe ish i burgosuri politik, Halil Alidema./aziz zuka/rajonipress/