Në Gjilan mbahet sesion shkencor për Zonën Operative të Karadakut

Gjilan – Në Komunën e Gjilanit do të mbahet sesion shkencor me temën bosht “Zona Operative e Karadakut në Luftën e UÇK-së”, e siç ka theksuar Izmi Zeka, kryesues i Asamblesë Komunale të Gjilanit, nën patronatin e të cilës mbahet ky sesion, deri më tashti nuk ka pasur një sesion të tillë, nëpërmjet tij mëtohet që të ndriçohet historia e jonë më e re.
Sipas Zekës, ky do të jetë një sesion me përmasa të shkencës dhe shërben për ndriçimin e të kaluarës sonë, e cila duhet të jetë shtytëse për të ardhmen, kurse ai ka shtuar se lufta heroike e UÇK-së do të trajtohet nga gjetjet e hulumtuesve dhe do të kthehet në domenin e shkencës. Sipas Zekës, nuk është herët për t’u rrahur kjo temë, ngase historia na mëson se duhet shfrytëzuar njerëzit sa janë gjallë edhe pse nuk do të lihen anash as dëshmitë faktike.
Veton Nevzati, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte, ka theksuar se po vazhdojnë traditën që kishin nisur me shënimin e 100 – vjetorit të pavarësisë, kur ishte mbajtur sesion shkencor, duke dëshmuar se historia e Gjilanit po ndriçohet në faza të ndryshme. Ai ka thënë se drejtoria po i përkrah aktivitetet e tilla.
Fitim Rifati, hulumtues shkencor, ka thënë se të gjitha punimet do të botohen në një vëllim monografik dhe ka folur për tezat e sesionit, të cilat do të jenë: “Organizmi i ZOK-ut në kuadër të UÇK-së”, “Roli i ZOKU-ut në aksionet lokale dhe të përgjithshme të UÇK-së” dhe “Bashkëpunimi i ZOK-ut me organizatat vendore e ndërkombëtare”. Sipas tij, titulli i kumtesës së bashku me abstraktin duhet të dërgohet deri më 20 gusht, kurse Këshilli Organizativ do të njoftoj përmes adresës elektronike për (mos) pranimin e kumtesës.
Ai tha se objektiv i këtij sesioni do të jetë ndriçimi i rolit heronjve, dëshmorëve, martirëve i popullatës dhe të gjithë atyre që kontribuuan në luftën çlirimtare dhe botimi në një vëllim monografik.
Edhe Naim Musliu, historian, tha se historia e jonë më e re duhet të ndriçohet dhe ky sesion është një mundësi e mirë për këtë, gjë për të cilën duhet përgëzuar Asamblenë Komunale të Gjilanit e Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sporte.
Sesioni “Zona Operative e Karadakut në Luftën e UÇK-së” do të mbahet më 17 shtator në Teatrin e Qytetit në Gjilan./rajonipress/