Hidromorava

Në Aviano u “shkrua” ninulla për fëmijët e trembur të Kosovës

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Emin Azemi – Aksioni i NATO-s para 15 vjetëve e shndërroi letargjinë e mosveprimit kolektiv në kauzë sublime humane. Kosova kishte vite që po vuante përmasat shqetësuese të politikës genocidale të Beogradit dhe për pasojë rezultoi në një rezistencë të armatosur të shqiptarëve. Por, ajo që atëherë konsiderohej e pamundur, sot mësohet si histori. Për herë të parë në histori u takuan në një pikë solidariteti ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA dhe disa shtete evropiane, me aspiratën liridashëse të një populli.

Më 24 mars 1999, Avianoja ishte bërë baza më e përfolur ushtarake e NATO-s, prej ku u nis karvani i gjatë i shpëtimit. Strategët ushtarakë kishin përpiluar planin për ta shpëtuar gjumin e prishur të fëmijëve të Kosovës nga ulërima e bishave me fytyrë njeriu. Nga ajri vinin ninullat për fëmijët, kurse nga toka vinte marshi i pandërprerë i moralit diplomatik dhe solidaritetit ushtarak. UÇK dhe populli martir i Kosovës po e përjetonin mrekullinë e një kthese që po e fuste kohën në parametra të pakrahasueshëm me historitë e vuajtjeve dhe golgotave individuale e kolektive.
Por në krejt këtë rrëfim ishte një protagonist që i dha kujtesës sonë konturat e pashlyera të mbamendjes. Ai ishte Presidenti amerikan, Bill Clinton, fryma dhe fjala e të cilit ato ditë marsi kombinoheshin për të shqiptuar zëshëm apelin e njeriut që e kupton thirrjen e tjetrit kur e ka më së keqi.

“Është një rrugë në të cilën duhet të shkojë bota në shekullin 21. Mësimi është i njëjtë, fuqia e shembullit tuaj mbetet e njëjtë. Duhet të jeni shumë krenarë për atë që keni arritur dhe unë i thashë presidentit dhe kryeministrit se e keni bërë punën shumë më mirë se sa kanë menduar të tjerët. Keni konsoliduar institucionet demokratike, keni nxitur shtypin e lirë dhe shoqërinë civile. Edhe shumë vende të tjera do pasojnë pavarësinë tuaj, jeni pjesë e FMN-së dhe shumë shpejt do jeni edhe pjesë e NATO-s e BE-së. E keni kërkuar sigurinë tuaj në vendin tuaj dhe keni ndërmarrë hapat e duhur”.

Këto fjalë i tha në Prishtinë Presidenti Clinton, me rastin e inaugurimit të një bulevardi me emrin e tij para disa viteve, i cili me të drejtë është quajtur “Hero i Kosovës”. Ai ishte centrifuga e të gjitha magneteve diplomatike e ushtarake të botës në fund të viteve nëntëdhjetë, kur me një urdhër heroi të lavdishëm dhe të guximshëm ftoi gjithë botën demokratike e paqedashëse të ndërhyjë në Kosovë për ta shpëtuar një popull nga shfarosja.

Ishte Bill Clintoni ai që s’do të harrohet kurrë nga fëmijët e Kosovës, sepse vetëm ata e ndiejnë mungesën e prindit të vrarë në luftë për liri, ai që s’do të harrohet nga nënat kosovare, sepse vetëm ato e dinë se çka don të thotë të të dhunohet para sysh vajza dhe mos të kesh forcë për t’i dalë në ndihmë, ai që s’do të harrohet nga heronjtë e vërtetë të Kosovës, të cilët e dinë më së miri se çka don të thotë ndihma në sosjen e fishekut të fundit.

Bill Clintoni erdhi sërish në Prishtinë për t’ua përcjellë mesazhin shqiptarëve të Kosovës se Amerika vazhdon të jetë pranë e tyre, kurse shtatorja e ngritur për nder të tij, do të jetë një simbol që ua përkujton shqiptarëve njeriun që e ndryshoi rrjedhën e historisë. Nderi që i bëhet tani Clintonit, është mirënjohje për mikun që kthehet të vizitojë të afërmit e tij që në një kohë të vështirë kishin pasur nevojë për dorën e tij shpëtimtare.

Mobi Casa

Kosova dhe gjithë shqiptarët kanë arsye të jenë përkushtues ndaj Amerikës dhe nuk është vetëm rasti i fundit kur ky shtet i fuqishëm udhëhoqi aleancën perëndimore për të shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja dhe gjenocidi. Përkushtimi shqiptar kundrejt Amerikës është shndërruar tashmë në një doktrinë shpirtërore disadekëshe dhe “ëndrra amerikane” për shqiptarët është modeli më i kapshëm i luftës për liri e pavarësi. Mbase, jo rastësisht edhe Rilindësi ynë, Mjeda, në poemthin e tij “Liria” me mjeshtri dhe vizion kishte ditur ta skicojë tablon amerikane si një fushë ku të gjithë popujt e robëruar mund të gjejnë frymëzim për përpjekjet e tyre liridashëse.

Clintoni në Kosovë erdhi pas disa viteve udhëtimi të këtij vendi të lirë dhe të pacenuar nga okupimi serb. Shumëkush prej nesh mund të jetë më kërkues dhe më kritikues ndaj elitave politike dhe shoqërore të Kosovës për ritmin e ecjes në këto vite lirie, por askush nuk ka të drejtë ta mohojë një fakt: kjo liri nuk kishte mundur t’u vijë shqiptarëve pa kontributin dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të SHBA. Prandaj, të gjithë ata që flasin për heronjtë e Kosovës, nuk duhet t’i harrojnë edhe heronjtë e përtej Atlantikut, sidomos kryeheroin Bill Clinton.

Ne duhet të jemi krenarë që po jetojmë në epokën e Bill Clintonit, aq më tepër kur ishim edhe dëshmitarë të gjallë të një kohe, e cila me siguri do të ishte ndryshe, po të mos ishte Presidenti Clinton. Roli dhe konteksti i veprimit të kësaj figure të fuqishme politike ndërkombëtare, duhet të shërbejë si udhërrëfyes për moralin e politikanëve të cilët në momente të caktuara duhet të nxjerrin vendime largpamëse. Largpamësia e Bill Clintonit pati dy efekte në politikën ndërkombëtare: e tregoi në dritë të vërtetë drejtësinë e politikës së jashtme amerikane dhe e arsyetoi në praktikë besueshmërinë e një populli kundrejt një shteti, i cili në vazhdimësi i mban premtimet dhe fjalën e dhënë nuk e shkel me asnjë çmim.

Burrat që e krijuan Amerikën, dinë si ta bëjnë atë edhe joshëse për të tjerët. Bill Clinton është një nga ata që Amerikën na e sjell më afër zemrave tona. Ai është heroi që na bën të turpërohemi nga vetëbegenisja.

(Autori është publicist nga Shkupi. Kjo kolumne u shkrua për gazetën Tribuna)